Shqiperia
Buxheti 2026 mbështetje peshkimit në katër shtylla, nga tregjet moderne te rritja e prodhimit biologjik
Sektori i peshkimit dhe akuakulturës do të ketë një vit të ri zhvillimi dhe modernizimi. Për vitin 2026 qeveria ka parashikuar 10% më shumë fonde për këtë sektor, duke vendosur një kurs të qartë drejt peshkimit të qëndrueshëm, me përdorim të përgjegjshëm të burimeve dhe standarde europiane.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla theksoi sot se buxheti i ri për sektorin e peshkimit dhe të akuakulturës arrin në 580 milionë lekë dhe do të ndihmojë në rritjen e prodhimit me 10-20% dhe në shtimin e eksporteve me 60-70% deri në vitin 2027, duke e bërë peshkimin një nga motorët e rinj të ekonomisë blu shqiptare.
Salla tha se “projektbuxheti për vitin 2026 mbështet katër shtylla kryesore në sektorin e peshkimit: Tregje moderne peshkimi, që garantojnë produkte më cilësore, të sigurta dhe të gjurmuara; Rritje e prodhimit biologjik, me rreth 2 milionë rasate peshku në vit për ripopullimin e liqeneve dhe ruajtjen e biodiversitetit; Zhvillimi i zonës së Butrintit, ku do të nisë thellimi i Kanalit të Vivarit, për të përmirësuar kushtet e rritjes së midhjes dhe për të shtuar prodhimin vendas dhe infrastrukturë portuale më moderne, me më shumë hapësira ankorimi dhe shërbime bazë për flotën e peshkimit”.
Një tjetër risi, vuri në dukje ai, është skema mbështetëse prej 400 milionë lekësh, e cila do të përdoret për modernizimin e flotës, zëvendësimin e motorëve, riparime, investime në akuakulturë dhe uljen e impaktit mjedisor.
Sipas ministrit Salla, këto investime janë të ndërtuara në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të Bashkimit Europian, duke forcuar kapacitetet kombëtare për përmbushjen e Kapitullit 13 të negociatave për anëtarësim në BE.
“Peshkimi shqiptar po hyn në një fazë të re zhvillimi. Synojmë më shumë prodhim, më shumë cilësi dhe më shumë eksporte drejt tregut europian”, u shpreh Salla, në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, gjatë diskutimit të pr.buxhetit 2026 për bujqësinë.
Albania
SPAK “bastis” Ministrinë e Financave/ Sekuestrohen dokumentet për gjobën 120 mln euro të Bankers Petroleum
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për heqjen e gjobës 120 milionë euro të Bankers Petroleum.
Kapitali ka mësuar se SPAK ka sekuestruar dokumentacionin në Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mbi praktikën e heqjes së gjobës më të madhe të vendosur ndonjëherë nga autoritetet fiskale të vendit. Kapitali lexoi një përgjigje zyrtare të Ministrisë së Financave ku konfirmon sekuestrimin e dokumentacionit nga SPAK.
Gjoba 120 milionë euro mbi Bankers Petroleum u vendos në vitin 2019 nga dogana e Fierit pas një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Sipas këtij hetimi të kryer nga doganat, Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrim akcize përmes solarit të prodhuar nga ARMO në rafinerinë e Ballshit.
Mbi këtë detyrim është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro sic parashikonte ligji i procedurave duke e çuar shumën totale që duhet të paguante kompania në 120 milionë euro.
Por menjëherë pas plotësimit të procesverbalit të gjobës nga dega e doganës së Fierit, Bankers Petroleum u ankua në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke e cilësuar gjobën si të paligjshme, pasi sipas saj ajo nuk ka patur detyrim për të paguar akcizën e holluesit. Belinda Ballukiu iu drejtua me shkresë ministrisë së Financave duke i kërkuar që të konsultohej me avokaturën e Shtetit.
Rrjedhimisht, ministrja e atëhershme e Financave, Anila Denaj udhëzoi doganën që të pezullonte përkohësisht vendosjen e gjobës, me qëllim që kjo çështje të konsultohej me Avokaturën e Shtetit për të mos e ekspozuar Shqipërinë përballë rrezikut të një arbitrazhi.
Pas udhëzimit të ministrisë së Financave, Dogana e Fierit e pezulloi vendosjen e gjobës. Kjo ishte zanafilla e një kalvari neglizhencë dhe paligjshmërie.
Ligji shqiptar përcakton se çdo vendim përfundimtar mbi gjobat administrative duhet të përpunohet brenda 6 muajsh nga momenti i vendosjes. Por në këtë rast, gjoba u mbajt pezull për gati 7 vite, pavarësisht korrenspodencës mes institucioneve. Vetëm një muaj më parë, Dogana e Fierit vendosi riaktivizimin e gjobës 120 milionë euroshe, pasi e kishte mbajtur të pezulluar për vite të tëra.
Gazheli e mbajti gjobën pezull
Portali Skyweb.al raportoi pak ditë më parë mbi ekzistencën e të paktën dy shkresave, sipas të cilave drejtuesit e Doganës së Fierit i kanë rikujtuar kreut të Doganave, Gent Gazheli gjobën ndaj Bankers, duke e njoftuar për nevojën që të procesohej, pasi po mbahej pezull prej tij.
Megjithatë, pavarësisht njoftimeve me email dhe me shkresë zyrtare, vendimi nuk u trajtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Skyweb.al ka mësuar se gjatë vitit 2021, Gazheli është njoftuar disa herë nga ish-kreu i Doganës së Fierit, Olti Kuke për afatin ligjor të gjobës, por sërish nuk ka marrë asnjë vendim, duke e mbajtur çështjen të pezulluar.
Vetëm pak ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit dhe referimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit drejt SPAK-ut, Drejtoria e Doganave ka rikthyer në vëmendje çështjen, duke tentuar të procesojë vonë një vendim që duhej marrë pesë vite më parë./Kapitali.al
Albania
BIRN: Pezullimi i Ballukut me vendim gjykate nuk është as antiligjor dhe as unik!
Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se ka vendosur të apelojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e quajtur atë një ‘akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv”.
Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pezullojë nga detyra Ballukun mbi të cilën rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera në të paktën dy raste, ndërsa hetimet mbi të vijojnë.
Vendimi e detyron atë që të mos e ushtrojë detyrën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa titujt e detyrave që mban i hiqen vetëm me shkarkim nga kryeministri ose me dorëheqje.
Po ndryshe nga ç’pritej Rama ka vendosur ta sfidojë këtë vendim të gjykatës duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese, që për opozitën tregon një “refleks antidemokratik” dhe të qënit bashkëpunëtor në aferat për të cilat akuzohet Balluku.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha në një konferencë për mediat të premten se “drejtësia po sfidohet hapur” dhe shënon një hap pas të vendit me demokracinë dhe shtetin ligjor.
“Në vend që të mbrojë interesat e shqiptarëve, kryeministri i vendit zyrtarisht është avokat i një të pandehur për abuzime me tenderat publikë”, tha Bardhi ndër të tjera.
Vendimi i mazhorancës socialiste për t’a çuar në Kushtetuese pezullimin e Ballukut nuk pritet të prodhojë një ndryshim të vendimit të gjykatës, i cili sipas juristëve, është i bazuar në praktikat ekzistuese dhe ligjet në fuqi.
Për juristin Jordan Daci ankimimi është një e drejtë juridike dhe vendimit të GJKKO-së i duhet ‘një test kushtetues”, duke qenë se është një precedent i zbatimit të neneve të Kodit të Procedurës Penale në nivel zyrtarësh qeveritare. Por ai i tha BIRN-it se “me praktikat ekzistuese kushtetuese ky vendim e kalon testin”.
Ai e lidh besimin e tij me rastin e kryetari të PD-së, Sali Berisha, i cili ankimoi si antikushtetues masën e sigurisë, “Detyrim paraqitje”, nga Prokuroria e Posaçme si kufizim të lirisë së deputetit, por Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë prokurorisë.
Krijimin e precedentit nga ana e Gjykatës Kushtetuese Daci e lidh me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vlerësimin e masës së pezullimit nga detyra.
“Duke qenë se Gjykata e ka konsideruar të lejuar vendosjen e masave kufizuese edhe ndaj deputetëve, nuk ka më bazë kushtetuese për të pretenduar një standard më të lartë mbrojtjeje për ministrat ose për kryeministrin”- analizon Daci, i cili pranon se në këtë praktikë ka një problem të cënimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ekuilibrit kushtetues.
Ndërsa avokati Gentian Serjani e sheh vendimin GJKKO-së krejtësisht të bazuar në nenin 135 të Kushtetutës dhe të mbështetur në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale.
“Duke ndjekur të njëjtën logjikë, nëse z. Rama kundërshton zbatimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese, lind pyetja: në rast se GJKKO do të kishte caktuar një masë shtrënguese më të rëndë, siç është arresti me burg, a do ta kishte kundërshtuar sërish z. Rama zbatimin e vendimit duke penguar arrestimin,” pyet Serjani në një analizë për BIRN.
Sa i përket interpretimit të neneve të Kodit të Procedurës penale, ku thuhet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, Serjani argumenton se në këtë kategori futen deputetët dhe të zgjedhurit vendorë; kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.
“Në rastin e znj. Balluku, nuk kemi të bëjmë me një person të zgjedhur drejtpërdrejt sipas ligjit elektoral për funksionet për të cilat është dhënë masa e pezullimit. Vendimi i GJKKO-së lidhet me ushtrimin e detyrave të saj si zv/ministre dhe ministër, detyra që burojnë nga emërimi i Kryeministrit, jo nga vota e qytetarëve”, thotë ai duke shtuar se “prandaj, kjo normë nuk mund të interpretohet si mbrojtje për funksionet e saj ekzekutive”.
Pretendimin e Kryeministrit se qeveria e tij ka mbetur pa zëvendëskryeministër Serjani e konsideron të pabazuar, sepse sipas tij, “pozicionet ministrore nuk janë funksione të lidhura me një individ të pandashëm, por me këdo që Kryeministri vendos të emëroj”.
“Në këtë rast, Kryeministri thjesht duhej të caktonte një zëvendësim, duke respektuar vendimin e drejtësisë, asaj drejtësie të re të cilën z.Rama e ka vlerësuar shpesh si arritje të qeverisë së tij”, shton ai.
Kryeministri Rama pretendoi se pezullimi i një anëtari qeverie nga drejtësia ishte “një rast unikal në historinë e Europës…” , por ekspertë të politikës thonë se ky pretendim nuk qëndron dhe ç’është më e rëndësishmja ai bie në kundërshtim me frymën e drejtësisë së re.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike, solli në vëmendje disa raste të ngjashme në botë ku janë pezulluar zyrtarë të lartë me vendime gjykate, ndërsa i kujton kryeministrit se standardi europian ku kërkon të anëtarësohet Shqipëria parashikon detyrime etike, politike dhe institucionale ku zyrtarët e akuzuar për korrupsion japin dorëheqje dhe më pas përballen me drejtësinë.
“Praktika, sipas të cilës dorëheqja refuzohet, përdoret qeveria e shteti kundër prokurorit/gjykatësit dhe refuzohet zbatimi i vendimit gjyqësor, ka pasoja thelbësore në cilësinë e shtetit dhe demokracisë dhe në aspektin kushtetues, mund ta çoj në një pozitë jo kushtetuese të vetë organit vendimmarrës, kryeministrit apo qeverisë”, shkruan ai në një analizë të publikuar në Facebook.
Sipas Krasniqit, “cilido që e ka këshilluar kryeministrin ndryshe, vetëm sa ka menduar me llogarinë afatshkurtër të forcës “83 mandate” jo me logjikën kushtetuese, pasojën afatgjatë dhe konceptin e shtetit të së drejtës”.
Edhe Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre në qeverinë Rama, dhe më pas një kritike e kësaj qeverisje komentoi deklaratat e kryeministrit duke folur për “kulturë të instrumentalizimit të ligjit” nga ana e mazhorancës socialiste.
“Ky është një rast unikal, sepse është po ashtu rast unikal që një ministër edhe njëherazi zv/Kryeministër merret i pandehur dy herë për të njëjtën vepër penale edhe nuk dorëhiqet, apo shkarkohet”, ironizoi ajo deklaratën e Ramës në një postim në Facebook.
Nga ana tjetër Serjani sjell në vëmendje se reforma në drejtësi u miratua pikërisht me qëllimin që të mos ketë më zyrtar të paprekshëm dhe nëse duhet t’i qëndrojmë besnikë frymës së kësaj reforme duhet të pranojmë edhe vendime të tilla nga drejtësia e re.
Albania
Zbardhet shkresa e Këshillit të Ministrave: Të pezullohet vendimi i GJKKO për Belinda Ballukun deri në shqyrtimin e çështjes nga Kushtetuesja!
Zbardhet shkresa e Këshillit të Ministrave drejtuar Kushtetueses lidhur me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, ndaj të cilës GJKKO vendosi dje dy masa; pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, për shkak të akuzave për shkelje të barazisë në tendera.
Në shkresën e Këshillit të Ministrave kërkohet pezullimi i vendimit të GJKKO për Belinda Ballukun deri në shqyrtimin e çështjes nga Kushtetuesja.
” Kryeministri i Republikës së Shqipërisë kërkon
- Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave
- Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë
- Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese
- Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”, thuhet në shkresën e Këshillit të Ministrave.
Kujtojmë se Balluku është e pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa për paracaktim të tenderit loti 4 unaza e Madhe Balluku dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi do të dalin të shtunën përpara gjykatës së posaçme ku do tu komunikohen masat e sigurisë. Gjyli dhe Elezi janë nën masën e arrestit në shtëpi.
Për sa i përket rastit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se institucioni i Kryeministrisë depozitoi në Gjykatën Kushtuese pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, me vendim të GJKKO.
-
Albania9 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK8 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports7 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 day agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
