Bota
Çfarë ka në dorë NATO në zgjidhjen e konfliktit Greqi-Turqi?
Tensionet në Mesdheun Lindor midis Greqisë dhe Turqisë, dy anëtare të NATO-s, po rriten në mënyrë të rrezikshme. Por a mundet aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, të bëjë diçka për ta de-përshkallëzuar krizën? Disa nga ekspertët më të njohur të fushës, tentojnë t’i japin një përgjigje kësaj pyetje.
Elizabet Brou, anëtare e Institutit Mbretëror mbi Shërbimet e Mbrojtjes dhe Studimet e Sigurisë:
Kur Greqia dhe Turqia u anëtarësuan në NATO në vitin 1952, ato e bënë këtë gjë bazuar në supozimin se anëtarësimi i të dyja vendeve në aleancë, do të zbuste sjelljen e tyre ndaj njëri-tjetrit. Edhe Kina u ftua t’i bashkohej Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2001 me të njëjtën premisë.
Por siç e tregon çdo këshilltar i marrëdhënieve mbi çiftet në konflikt, ju nuk mund të ndryshoni dot personalitetin e dikujt. Për këtë arsye, NATO e sheh sot veten me 2 shtete anëtare që janë zyrtarisht aleate, por që dyshimi i të cilëve ndaj njëri-tjetrin nuk është zhdukur asnjëherë.
Po si të ndërmjetësohet midis dy anëtarëve pa marrë anë? NATO duket e paralizuar. Por në realitet, nuk është kështu. Sigurisht, 2 shtete anëtare që grinden me njëri-tjetrin ndikojnë në një aleancë, por NATO po vazhdon të jetë ende e fortë në misionin e saj kryesor:mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve të saj anëtare nga kërcënimet e shumta territoriale të vendeve të tjera dhe aktorët jo-shtetërorë.
NATO mund të kërkojë më shumë pjesëmarrje nga Greqia dhe Turqia në misionet e saj. Për shembull, asnjë nga këto 2 vende nuk kontribuon në mbrojtjen e shteteve baltike dhe Polonisë. Dhe solidariteti është reciprok.
Fransua Heisburg, këshilltar në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike:
Synimi i NATO-s si organizatë është të sigurojë mbrojtjen kolektive të anëtarëve të saj në bazë të Traktatit themeltar të Uashingtonit. Ajo nuk u krijua për të gjykuar mosmarrëveshjet midis anëtarëve. Prandaj nuk është befasi që NATO është paralizuar mbi konfliktin aktual Greqi-Turqi.
Edhe në vitin 1974, kur Greqia dhe Turqia ishin në kulmin e luftës për Qipron, nuk ishte NATO ajo që parandaloi luftimet, por përfshirja e anëtares më të fuqishme, SHBA-së. Në
atë kohë, Shtetet e Bashkuara u angazhuan fort për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, dhe në thelb arritën një armëpushim me forcat turke që ndodheshin në Qipro.
Në vitin 2020, Shtetet e Bashkuara po mbajnë qëllimisht një profil shumë më të ulët, dhe po operojnë pa një sens të qartë drejtimi. Kjo vlen si për krizën greko-turke, ashtu edhe për krizën më të gjerë shumëplanëshe në Mesdheun Lindor, e cila përfshin lojtarë të shumtë lokalë dhe të jashtëm.
Ajo që po shohim është një shembull rajonal i asaj që ndodh në një botë multipolare, në mungesë të udhëheqjes së vendosur amerikane. Dhe ky nuk është një moment kalimtar, i lidhur me sjelljen tekanjoze të presidentit Donald Trump. Momenti përcaktues ishte refuzimi i ish-presidentit amerikan Barak Obama për të mbrojtur “vijën e tij të kuqe” në Siri në gushtin e vitit 2013.
Eleni Panajota, studiuese në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe atë të Jashtme:
NATO është paralizuar nga mungesa e udhëheqjes së saj, dhe jo nga “konflikti Greqi-Turqi”, që po nxitet nga një Turqi gjithnjë e më agresive dhe antagoniste, e prirur të bëjë rrëmujë duke hapur sherre mbi kufijtë detarë dhe lejet e shpimit nënujore.
Ndërsa vlerësohet si një anëtare strategjikisht e rëndësishme e NATO-s, Turqia po përpiqet sistematikisht të shkruajë një rregullore të re, duke shfuqizuar haptas rregullat që supozohet të respektojë. Blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes nga raketat S-400, ishte një shkelje e madhe e rregullave të mbrojtjes ajrore të NATO-s, por gjithsesi e toleruar.
Dhe padyshim, toleranca krijon më tej njëanshmëri dhe nxit për sjellje më agresive. Ndaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka një detyrë të vështirë përpara. NATO vepron përmes konsensusit, me një asimetri të mirë-dokumentuar të fuqisë midis aleancës së 30 kombeve.
Por nën Erdoganin, Turqia po eksporton autoritarizmin e brendshëm dhe po shpërfill hapur rregullat në skenën ndërkombëtare. Me këtë rrugë që po ndjek, ajo po minon mbrojtjen kolektive dhe vlerat liberale të NATO-s. Sa më shumë që Stoltenberg të ruajë një fasadë të neutralitetit, dhe të fshehë pamundësinë aktuale të NATO-s për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës, aq më shumë ai po i bën një dëm të madh organizatës së cilës duhej të shërbejë.
Për të shmangur një “aksident” të mundshëm, paraliza e aleancës duhet t’i hapë rrugë gjenerimit të një kornize pragmatike dhe të besueshme të de-përshkallëzimit, duke shfrytëzuar potencialisht edhe situatën e përkeqësuar ekonomike të Turqisë.
Xhejmi Shi, profesor i strategjisë dhe sigurisë në Universitetin Eksteter, Britani:
Puna e përditshme e NATO-s – konsultat, stërvitjet dhe operacionet – po vazhdojnë normalisht. Për më tepër, NATO ka një histori të gjatë të trajtimit të mosmarrëveshjeve greko-turke në Egje, qoftë lidhur me pretendimet territoriale, shkeljet e hapësirës ajrore, stërvitjet detare dhe kohët e fundit monitorimin e emigrimit të paligjshëm nga Turqia në Greqi.
Prandaj, prisni më shumë diplomaci të fuqishme të zhvilluar në prapaskenë. Është pikërisht anëtarësimi i Turqisë në NATO, ai që ofron një kornizë për menaxhimin e mosmarrëveshjeve greko-turke. Nëse Turqia ikën nga NATO, ajo do të humbasë ndikimin e saj mbi Perëndimin, sidomos për sa i përket mbështetjes për shumë probleme të sigurisë në rajon.
Megjithatë Turqia është shumë e rëndësishme për t’u izoluar. Prandaj, ashtu siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, aleatët kryesorë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, duhet të mbështesin Stoltenbergun dhe të ulin Athinën dhe Ankaranë në tryezën e bisedimeve, siç ka propozuar Turqia.
Në fund do të duhet të gjendet një zgjidhje, që u jep të gjitha palëve qasje të barabartë në rezervat e naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, në këmbim të heqjes dorë nga aktivitetet ushtarake provokative. Por le ta shohim NATO-n si çelësin e zgjidhjes, dhe jo “viktimën e pafat”.
Sinan Ylgen, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Europe”:
NATO vërtet mund të ketë një rol në zbutjen e konfliktit në lidhje me Mesdheun Lindor. Së pari, ajo mund të shfrytëzojë pozicionin e saj unik si një platformë politike që përfshin palët kryesore të mosmarrëveshjes. Gjithashtu, duke pasur parasysh pasojat potencialisht katastrofike për integritetin e aleancës të një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak të konfliktit, NATO duhet t’i japë përparësi kësaj aftësie.
Stoltenberg ka një rol si një ndërmjetës i besueshëm i negociatave. Por çështja mund të vendoset në agjendën zyrtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, organit kryesor të vendimmarrjes së NATO-s, për të lejuar një shkëmbim të pjekur të pikëpamjeve midis Turqisë, Greqisë dhe Francës.
Së dyti, NATO mund të jetë më aktive në vendosjen dhe mbikëqyrjen e masave teknike të sh-tensionimit të situatës në Mesdheun Lindor. Një nga shembujt është incidenti i fundit detar midis një fregate turke dhe asaj greke. NATO mund të udhëheqë krijimin e mekanizmave që do të parandalonin përsëritjen e këtyre lloj incidentesh, të cilat mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të padëshiruar. / “Carnegie Europe” – Bota.al
Bota
Kaos dhe dhunë në Holandë gjatë Vitit të Ri, viktima dhe të plagosur nga fishekzjarret
Policia holandeze njoftoi të enjten se gjatë festimeve të natës së Vitit të Ri është përballur me një valë dhune të paprecedentë. Oficerët e rendit u sulmuan me fishekzjarre dhe mjete shpërthyese, ndërsa incidente të shumta u regjistruan në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë sulme ndaj policisë dhe zjarrfikësve.
Sipas BBC, në Amsterdam u përfshi nga flakët kisha historike Vondelkerk, e ndërtuar në vitin 1872 dhe e vendosur pranë parkut Vondelpark. Zjarri shpërtheu në orët e para të Vitit të Ri, duke shkaktuar shembjen e kullës 50 metra të lartë dhe dëmtime të rënda në çati. Autoritetet bëjnë të ditur se, megjithë dëmet, struktura e kishës pritet të mbetet e qëndrueshme.
Mediat lokale raportuan për dy viktima në Holandë si pasojë e incidenteve me fishekzjarre: një 17-vjeçar nga Nijmegen dhe një burrë 38-vjeçar nga Aalsmeer. Ndërkohë, në Rotterdam, spitali i specializuar për sëmundjet e syrit trajtoi 14 persona me lëndime të rënda okulare, mes tyre 10 të mitur, dhe dy pacientë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ngjarje të rënda u shënuan edhe në Gjermani, ku policia e qytetit Bielefeld konfirmoi se dy të rinj 18-vjeçarë humbën jetën pasi përdorën fishekzjarre të prodhuara artizanalisht.
Në qytetin jugor holandez Breda, forcat e policisë u sulmuan me bomba benzine. Kryetarja e Unionit të Policisë, Nine Kooiman, deklaroi se edhe vetë është goditur me fishekzjarre dhe eksplozivë gjatë shërbimit në Amsterdam, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të dhunshme dhe të paprecedentë.
Sipas Shoqatës Holandeze të Piroteknikës, shpenzimet për fishekzjarre këtë vit arritën në 129 milionë euro, shifër rekord. Autoritetet kanë bërë të ditur se ndalimi i fishekzjarreve jozyrtare pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Bota
Dhjetëra njerëz të vdekur nga shpërthimi në Zvicër (video momentit te shperthimit)
Një shpërthim në një bar të quajtur Le Constellation në një bar skish në Zvicër, ka shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike.
Autoritetet po hetojnë për shkakun e zjarrit, i cili shpërtheu rreth orës 01:30.
Zjarri ka përfshirë një pjesë të madhe të lokalit dhe ka shkaktuar panik mes klientëve dhe punonjësve. Policia ka njoftuar se pas shpërthimit ka pasur shumë viktima, dhe disa kombësi janë të përfshira në këtë tragjedi.
Përhapja e zjarrit ka qenë e shpejtë dhe ka vështirësuar mundësitë e evakuimit. Dëshmitarët kanë raportuar për shpërthime të forta dhe shpërndarje të tymit të dendur.
Shkaku i zjarrit nuk është i qartë, por autoritetet fillimisht spekuluan për një shpërthim, ndërsa prokurori lokal ka theksuar se nuk ka dyshim që ky mund të jetë një akt i qëllimshëm.
Autoritetet zvicerane janë duke zhvilluar hetime për të zbuluar shkaqet e ngjarjes dhe për të identifikuar të gjithë viktimat dhe të plagosurit.
Bota
Tragjedia me 47 viktima, qeveria zvicerane shpall pesë ditë zije
Një zjarr shkatërrimtar gjatë natës së Vitit të Ri në barin “Le Constellation” në restorant luksoz të skive Crans-Montana ka shkaktuar të paktën 47 viktima dhe 115 të plagosur, ndër të cilët janë edhe shumë shtetas italianë, disa prej të cilëve rezultojnë të zhdukur.
Shumica e të lënduarve janë të rinj, në moshat 16-26 vjeç.
Si shenjë nderimi për viktimat dhe solidariteti me familjet e tyre, qeveria zvicerane ka shpallur pesë ditë zie kombëtare, një vendim i jashtëzakonshëm për një tragjedi të këtij shkalle në vend.
Presidenti i Konfederatës Helvetike, Guy Parmelin, vizitoi vendin e ngjarjes dhe e cilësoi zjarrin si “një nga tragjeditë më të rënda që Zvicra ka përjetuar ndonjëherë”.
Ai premtoi se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
“Lutjet dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi. Zvicra do të qëndrojë e bashkuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe për të shmangur përsëritjen e një tragjedie të tillë”, tha Parmelin.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, konfirmoi se 12-15 shtetas italianë janë të shtruar në spitalet zvicerane, disa në gjendje të rëndë, ndërsa 16 italianë rezultojnë të zhdukur. Tre të plagosur rëndë do të transferohen në Milano për trajtim.
Komuniteti lokal ka vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa aktivitetet festive për Vitin e Ri janë anuluar.
Autoritetet paralajmërojnë se procesi i identifikimit të viktimave dhe trajtimi i të plagosurve do të zgjasë javë, ndërsa pesë ditët e zie janë një shenjë respekti dhe reflektimi kombëtar.
-
Albania1 day ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania5 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK1 day agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK5 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
