Bota
Debati Trump-Harris dhe disa nga pyetjet kyçe rreth tij
Donald Trump dhe Kamala Harris do të debatojnë për herë të parë dhe ndoshta të fundit të martën në mbrëmje, ndërsa kandidatët presidencialë po bëjnë përpjekje për të rritur mbështjen mes votuesve amerikanë.
Përballja mes tyre vjen vetëm 75 ditë pas një paraqitjeje të dobët të Presidentit Joe Biden në debat, çka shkaktoi një tërmet politik, duke e detyruar atë të largohej nga gara.
Nënpresidentja Harris, e cila ka shërbyer më parë si prokurore, do të hyjë në debat me pritshmëri relativisht të larta, kundër një kundërshtari të shpallur fajtor për 34 akuza panale e me prirje për deklarata të rreme.
Debati që do zgjasë 90 minuta fillon në orën 21:00 në mbrëmje të martën në Qendrën Kombëtare Kushtetuese në Filadelfia. Në përputhje me rregullat e negociuara nga zyrtarët e të dyja fushatave, debati do të zhvillohet pa audiencë.
A mund të bëjë zonja Harris atë që nuk mundi të bëjë zoti Biden?
Presidenti Biden vendosi një sdandard tepër të ulët për zonjën Harris me debatin e 27 qershorit. Presidenti hasi në vështirësi të ofronte argumente koherente, apo edhe të përfundonte mendimin.
Koalicioni anti-Trump, mbeti i zhgënjyer që ai dështoi të përfitonte nga barra e dukshme politike që mbart zoti Trump – qoftë për abortin, sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, për çështje që lidhen me karakterin, apo problemet e tij ligjore.
Zonja Harris pritet që të ketë një paraqitje shumë më të mirë. Por edhe në këto kushte, të fitosh pikë kundër zotit Trump në skenën e një debati është më e lehtë të thuhet sesa të ndodhë.
Zoti Trump mund të jetë debatuesi më me përvojë në historinë moderne presidenciale. Si një ish-yll i televizionit, ai di si ta dominojë atë. Dhe qartësisht atij i pëlqen të debatojë.
Së fundmi zonja Harris ka sugjeruar se ajo po përgatitet për një përplasje politike.
“Donald, nëse ke diçka për të thënë, ma thuaj në fytyrë”, tha ajo duke folur në një tubim muajin e kaluar në Atlanta.
Por a mund ta përballojë ajo një debat të fortë? Kjo mbetet për t’u parë.
A mund të përqëndrohet Dondal Trump-i?
Zoti Trump nuk njihet për disiplinë, apo përgatitje. Paraqitjet e tij në debate, ashtu si stili i tij qeverisës, zakonisht ushqehen shumë më tepër nga instinkti, sesa nga të menduarit analitik.
Ndaj, pak presin që zoti Trump të ofrojë një linjë të qartë e të menduar akuzash kundër zonjës Harris.
Zoti Trump ka vënë në dyshim identitetin racor të zonjës Harris. E ka quajtur atë komuniste. Ka vënë në dyshim fuqinë e saj. E ka quajtur atë një liberale të San Franciskos. Dhe i ka kujtuar votuesve se ajo ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Biden, për gati katër vjet dhe me gjasë, do të vazhdojë politikat e tij edhe për katër vitet e ardhshme nëse i fiton zgjedhjet.
Është lidhja me zotin Biden, që shumë republikanë, si brenda ashtu edhe jashtë fushatës së zotit Trump, besojnë se do të jetë më e efektshme për të në debat. Ata duan që ai të evokojë pyetjen që shtroi Ronald Regan në skenën e debatit të vitit 1980, një fjali që e bëri atë popullor – “A jeni sot më mirë se ç’ishit katër vite më parë?
Pyetja që shtrohet është nëse Trumpi mund ta përçojë këtë mesazh në një mënyrë që të mos harrohet menjëherë nga ndonjë deklaratë tjetër e tij shumë më e debatueshme. Të dhënat e fundit ofrojnë arsye për të qenë skeptik.
Rëndësia e gjuhës së trupit
Natyrisht, do të ketë një dinamikë të dukshme gjinore në skenë të martën në mbrëmje.
E drejtë ose jo, gjuha e trupit dhe toni, shihen ndryshe në një debat mes një burri dhe një gruaje.
Kandidatët pritet të qëndrojnë pas podiumit gjatë debatit. Por republikanët shpresojnë që zoti Trump do të shmangë çdo provokim, si për shembull duke drejtuar gishtin ndaj zonjës Harris, ngritje zëri, ose të ecë drejt saj, veprime që nuk do të shiheshin me sy të mirë nga një pjesë e votuesve gra.
Zonja Harris, pritet të përballet me sfida unike, sikurse ajo që lidhet me racën dhe gjininë e saj, ndërsa amerikanët po peshojnë nëse do ta votonin atë si presidenten e parë grua të vendit. Disa votues ende thonë se nuk e duan këtë gjë.
Por krahas dinamikës gjinore, ajo që nuk duhet nënvlerësuar është pesha që ka diferencës e tyre në moshë.
Zonja Harris është pothuajse dy dekada më e re se 78-vjeçari Donald Trump. Mosha shihej si një avantazh politik për zotin Trump, kur ai përballej me 81-vjeçarin Joe Biden, por situata tashmë ka ndryshur kur ka përballë 59-vjeçaren Kamala Harris. Nëse fiton, Donal Trump do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e Shtetet e Bashkuara.
Formati i debatit do të jetë disi i ndryshëm, në përputhje me një sërë rregullash për të cilat kandidatët ranë dakord këtë javë.
Në mjediset ku do të mbahet debati nuk do të ketë publik si dhe nuk do të lejohen deklarata hapëse. Mikrofonat e kandidatëve do të mbyllen ndërsa flet kundërshtari, çështje që nxiti polemika ditët e fundit.
Zoti Trump, pa shumë dëshirë, pranoi mbylljen e mikrofonave kur u përball me zotin Biden në qershor, por pas atij debati, ekipi i tij tha se do të ishte mirë që mikrofonat të qëndronin mbyllur ndërsa kundërshtari fliste. Ekipi i zonjës Harris kërkoi rikthimin në një format normal, me mikrofona gjatë gjithë kohës hapur.
Aborti dhe emigracioni, çështje që do dominojnë
Politika ndonjëherë luan një rol dytësor pas personalitetit në debatet presidenciale.
Por mes dy kandidatëve ka dallime dramatike për çështje kyçe që janë në mendjen e miliona votuesve.
Republikanët shpresojnë që zoti Trump ta trajtojë imigracionin si një çështje thelbësore të debatit. Republikanët kanë dënuar në mënyrë efektive trajtimin e imigracionit të paligjshëm nga ana e administratës Biden në kufirin SHBA-Meksikë, për pjesën më të madhe të katër viteve të fundit.
Dikur një çështje që tërhiqte më së shumti bazën republikane, imigracioni i paligjshëm dhe shqetësimet e lidhura me drogën, krimin dhe sigurinë kombëtare, janë tashmë një çështje kryesore për votuesit e të gjithë spektrin politik.
Zonja Harris me gjasë do të përpiqet t’u kujtojë votuesve se zoti Trump ndihmoi në rrëzimin e një projektligji dypartiak mbi imigracionin që do të kishte bërë shumë, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Por në përgjithësi, zonja Harris ka të ngjarë të qëndrojë në pozita mbrojtëse, kur të ngrihet çështja.
Demokratët duan përqëndrim tek aborti
Gjatë administratës së tij zoti Trump, caktoi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët më vonë rrëzuan vendimin historik ‘Roe kundër Wade’ që orfonte mbrojtje kushtetuese për të drejtën e grave për abort. Zoti Trump ka thënë vazhdimisht se ai është krenar që ky vendim u rrëzua.
Por ai është i vetëdijshëm se një pikëpamje e tillë nuk është popullore në mesin e shumë grave, ndaj është përpjekur ta moderojë qëndrimin e tij mbi çështjen që ka nxitur shumë përçarje në vend.
Megjithatë zonja Harris nuk do t’ia bëjë të lehtë.
Si grua, ajo mund të jetë më efektive në trajtimin e kësaj çështjeje sesa ishte zoti Biden. Po kështu zoti Trump nuk ka luksin të humbasë më shumë votuese gra.
Situatat e paparashikueshme që mund të krijojë zoti Trump
Nëse i pyet kundërshtarët e mëparshëm gjatë debateve të zotit Trump se çfarë presin ata të shohin të martën në mbrëmje – shumë thonë të njëjtën gjë: kushtojini vëmendje asaj që ai thotë, ose bën, e për të cilat zonja Harris nuk mund të përgatitet.
Zoti Trump është mjeshtër i të paparashikuarës, që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm politik duke injoruar rregullat tradicionale të politikës. Ai do të thotë ose do të bëjë gjithçka që mendon se është më e mira në këtë moment. Dhe zonja Harris, e cila i ka kushtuar disa ditë përgatitjes për debatin, nuk mund të planifikojë gjithçka.
Por në këtë pikë, është e vështirë të imagjinohet që zoti Trump mund të befasojë dikë me çështje të reja. Ai ka vlerësuar diktatorët, ka sugjeruar pezullim të zbatimit të Kushtetutës dhe ka thënë se zonja Harris vetëm së fundmi ka thënë se është “zezake”.
Edhe vetë ekipi i zotit Trump gjendesh shpesh përpara të papriturash, në raport me atë që ai parashikon të thotë apo bëjë. Kjo është tepër e rrezikshme për zotin Trump, por gjithashtu ushtron presion të madh tek zonja Harris./VOA
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
Bota
Kush është “zbatuesi hije” i Shtëpisë së Bardhë me ndikim të jashtëzakonshëm te Trump
Presidenti Trump ishte i lodhur. Gjatë një takimi me ligjvënësit e grupit republikan në Shtëpinë e Bardhë gjatë verës, Trump qortoi ashpër kreun e House Freedom Caucus, Andy Harris, sepse kishte ngritur shqetësime rreth legjislacionit kryesor të presidentit për taksat dhe shpenzimet. Trump kërkoi që Harris të rreshtohej…pastaj presidenti u largua papritur nga dhoma, sipas njerëzve që morën pjesë në takim.
Pasi Trump u largua, Harris e drejtoi zemërimin e tij te James Blair, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit. Harris e akuzoi Blair-in se donte të gjente një sfidues republikan në zgjedhjet primare për ta rrëzuar atë.
“Unë thjesht punoj për presidentin, zotëri,” u përgjigj Blair, sipas njerëzve në dhomë. Ky nuk ishte një mohim.
Blair, një operativ 36-vjeçar qeros nga Florida, të cilin kolegët e përshkruajnë si intensiv dhe të zjarrtë, është bërë një figurë tejet e rëndësishme në mandatin e dytë të Trump-it, duke bindur ligjvënësit, duke zbatuar besnikërinë ndaj Trump-it, duke formësuar mesazhet e presidentit për shëndetësinë dhe ekonominë, si dhe duke orkestruar strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Gjurmët e tij janë aq të dukshme në planin e rishpërndarjes së zonave të Republikanwve, saqë disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë i referohen atij si “Blairymandering.”
Titulli i Blair-it – zëvendësshef i stafit – nuk e pasqyron plotësisht ndikimin e tij. Ai ishte në mesin e shtatë zyrtarëve të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Shtetit, që përfaqësuan administratën ë një set fotografik të fundit për Vanity Fair. Ai e përshkroi veten si një “rojtar”.
“Presidenti mbështetet tek ai jashtëzakonisht shumë,” tha Russell Vought, drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, në një intervistë.
Deri më tani, Blair i ka mbajtur republikanët kryesisht të bashkuar rreth Trump-it. Ai ndihmoi në sigurimin e kalimit të paketës së taksave dhe shpenzimeve të Trump-it, duke kufizuar largimet nga radhët e republikanëve të Kongresit dhe duke fituar mbështetjen e Harris dhe konservatorëve të tjerë.
Në një deklaratë, Harris tha se “mosmarrëveshjet nuk janë të pazakonta gjatë negociatave të nivelit të lartë” dhe e quajti punën e Blair-it “të lavdërueshme”. Një zëdhënëse e Harris hodhi poshtë pretendimin se kongresmeni ngriti mundësinë e një sfide në primare gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Por përpara ka sfida të mëdha. Blair po përpiqet të shmangë humbje republikane në mesmandat. Blair po punon për të parandaluar thellimin e çarjeve në Partinë Republikane. Dhe ai do të duhet të bindë republikanët skeptikë dhe gjykatat që të pranojnë përpjekjet e tij për të riformuar hartat e Kongresit.
Jo më një “i ngurtë”
Blair u soll në fushatën presidenciale të Trump-it të vitit 2024 nga atëherë shefja e fushatës Susie Wiles, e cila tani shërben si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Wiles dhe Blair më parë punuan për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, dhe më vonë u ftohën me të pasi u larguan në fillim të vitit të parë të guvernatorit në detyrë.
Një nga punët e para të Blair-it për Trump-in gjatë primareve të vitit 2024 ishte sulmi ndaj DeSantis, shpesh duke përdorur informacione rreth guvernatorit që i kishte mbledhur duke punuar për të.
Pas atentatit ndaj Trump-it në korrik 2024, Blair ndonjëherë sillte një jelek antiplumb dhe një armë në punë, kujtojnë ish-ndihmësit e fushatës.
Blair fillimisht nuk kishte një marrëdhënie të ngushtë me Trump-in, i cili u thoshte ndihmësve në atë kohë se ai ishte “i ngurtë”. Por Trump e njohu Blair-in pas zgjedhjeve dhe tani flet me të rregullisht, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Blair është kërkues, i prirur për të kritikuar dhe vazhdimisht në telefonin e tij, sipas njerëzve që e njohin. Disa në Uashington e quajnë atë “Orakulli” për shkak të njohurive të tij enciklopedike mbi të dhënat. Fjalitë e tij shpesh fillojnë me: “Presidenti dëshiron…”
“Ka një arsye pse Presidenti Trump e thërret zëvendësshefin e tij të stafit ‘James i Shkëlqyer’,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Blair ndonjëherë ka përqafuar rolin e “policit të keq”, duke u dërguar lajme të vështira për t’u gëlltitur ligjvënësve. Ai u tha republikanëve që kishin shqetësime rreth paketës së taksave dhe shpenzimeve se një votë kundër legjislacionit do ishte një votë kundër presidentit dhe axhendës së tij dhe do trajtohej si e tillë, sipas njerëzve të njohur me bisedat. Kjo u pa nga disa ligjvënës si një kërcënim.
Ai shpesh këshillon ligjvënësit republikanë se si duhet të votojnë, si duhet të drejtojnë fushatat, kur nuk duhet të kërkojnë poste më të larta dhe kur Trump është i zemëruar. Ai u kujton ligjvënësve se Trump është më popullor në rrethet e tyre sesa janë ata vetë, duke sjellë ndonjëherë sondazhe për të përforcuar argumentin e tij. Ndërsa Trump ka bërë presion për të hequr *”filibuster”-in, Blair është takuar privatisht me senatorët javët e fundit për të paraqitur ndryshimet e mundshme.
Blair ka filluar t’u japë këshilla anëtarëve mbi përballueshmërinë e jetesës që nuk përputhen gjithmonë me mesazhet publike të Trump-it, duke thënë se kjo çështje do jetë në qendër të zgjedhjeve të mesmandatit.
“Jo shumë respekt”
Taktikat e Blair-it kanë zemëruar disa në Kapitol Hill. Anëtarët janë ankuar privatisht se si Shtëpia e Bardhë nuk duket se e kupton që Kongresi është një degë e barabartë e qeverisë. Disa republikanë kanë njoftuar tërheqjen në vend që të përballen me rizgjedhjen, dhe të tjerë po e konsiderojnë tërheqjen, thanë republikanët e lartë të Hill-it.
Deputetja Marjorie Taylor Greene, që po tërhiqet, shprehu zemërim te zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij viti se Blair dhe ekipi i marrëdhënieve legjislative ishin përçmues ndaj saj. Zyra e saj nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Nuk ka shumë respekt ndaj Kongresit”, tha Erick Erickson, një aktivist konservator.
Në një deklaratë të shkruar, Blair citoi nga fjalimi i përgatitur që Presidenti John F. Kennedy do mbante në Dallas ditën kur u vra: “Gjithmonë do ketë zëra disidentë në vend, duke shprehur kundërshtim pa alternativa, duke gjetur gabime por asnjëherë favor, duke parë errësirë në çdo anë dhe duke kërkuar ndikim pa përgjegjësi.”
Blair ka bërë presion mbi anëtarët në rrethe konkurruese që të kandidojnë për rizgjedhje pasi mori vesh se po planifikonin të tërhiqeshin ose të kërkonin një zyrë tjetër. Ndonjëherë, bisedat janë nxehur. Ai e shkurajoi ligjvënësin Mike Lawler nga kandidimi për guvernator në Nju Jork, dhe këshilloi deputetin Bill Huizenga kundër kandidimit për Senat në Miçigan, duke zemëruar këtë të fundit.
“A është ai i drejtpërdrejtë? Sigurisht. Kjo është një gjë e mirë për sa më përket mua. Një nga problemet në Uashington është se shumë njerëz janë të butë,” tha Lawler. Blair u shpreh “shumë mirënjohës” që anëtarët dëgjuan.
Muajt e fundit, Blair e ka kthyer fokusin te zgjedhjet e mesmandatit. Ai dha një prezantim në PowerPoint mbi garat dhe strategjitë e veçanta për ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë në Camp David. Dhe ai ka intervistuar kandidatë për dhjetëra gara potenciale, duke pyetur për besnikërinë e tyre ndaj Trump-it, nëse mbështesin axhendën e presidentit dhe si planifikojnë të fitojnë.
Blair e ka përshkruar veten te bashkëpunëtorët si “shumë djathtas”, por ai ndonjëherë i paraqet presidentit dhe ekipit të tij të dhëna që tregojnë dobësitë e mundshme politike të politikave të administratës. Ai ka informuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbi sondazhet që tregojnë se bastisjet e emigracionit që përqendrohen në dëbimin e kriminelëve do ishin më popullore sesa bastisjet me shtrirje të gjerë. Ai i dha Trump-it grafiqe së fundmi që tregonin se sa pesimistë ishin shumë amerikanë për ekonominë.
Në prill, Blair i prezantoi presidentit një plan agresiv për të rishikuar hartat e Kongresit në përpjekje për të mbajtur kontrollin republikan të Dhomës. Plani ishte guximshëm, por Trump-it i pëlqeu dhe i tha Blair-it të sulmonte.
Për javë të tëra, Blair u bëri presion ligjvënësve të Indianas, përfshirë kreun e Senatit shtetëror Rodric Bray, për të mbështetur një plan rishpërndarjeje të zonave të mbështetur nga Trump. Në një telefonatë natën para votimit, Blair e akuzoi Bray-n se po luante lojëra dhe po punonte kundër republikanëve. Bray i tha se rishikimi i hartave nuk ishte i duhur. Aleatët e Trump tani po paralajmërojnë të mos mbështesin krerët republikanë të shtetit në primare.
Wall Street Journal – Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
-
Albania7 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports5 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania7 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania22 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania23 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
