Bota
Dialogu me Serbinë prioritet apo jo i qeverisë së ardhshme të Kosovës?
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet ta formojë qeverinë e Kosovës, thotë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij. Por BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë nga qeveria e re të hyjë në dialog me Serbinë.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, partia e të cilit fitoi thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se ai nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. Kurti thotë se megjithatë ai do të merret me dialogun dhe bisedimet kurdo që të ndodhin, dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve për siç thotë “për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta”. Kështu ka deklaruar Albin Kurti në ditët e para sapo partia e tij doli e para në zgjedhje, ndonëse ai vetë nuk ishte pjesë e listës zgjedhore. “Bisedimet nuk duhet të përqëndrohen rreth mënyrës se si të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë”, tha Kurti duke shtuar se me “Serbinë duhet të diskutojmë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtar”, tha Kurti për AFP.
BE pret angazhim për dialogun
Sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet dhe partia e zotit Kurti doli fituese, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në reagimin e parë përmendën dialogun si një nga çështjet, për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re. “Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Borrel dhe Varhelyi.
Josep Borrell
SHBA pret gatishmëri nga të gjitha palët për kompromis
Edhe kreu i ri i politikës së jashtme amerikane Antony Blinken, ka thënë se “një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis”. Blinken këtë e tha në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Ditë më parë, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të përfshinte njohjen e ndërsjellë. Në përgjigje, Vuçiq ka thënë se ka përpjekje që njohja e ndërsjellë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, porse është detyrim i tij t’i mbrojë interesat e Serbisë.
Nga ana e saj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se “është për të ardhur keq që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij”. “Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, ka thënë Bërnabiq. Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë një përparësi për Prishtinën. Bernabiq është e bindur se siҫ thotë “Kosova nuk ka perspektive pa dialog dhe marrëveshje me Beogradin”, duke shtuar se “Kosova nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet”.

Duhet strategji e përbashkët e Kosovës për dialogun
Analistët politik thonë që në raport me dialogun me Serbinë partitë politike parlamentare duhet të hartojnë një strategji të përbashkët. Naim Rashiti i tha DW se “dialogu me Serbinë do të vazhdojë të mbetet temë përçarëse brenda Kosovës, përderisa nuk do të ketë një unitet politik”. “Dialogu do të mbetet temë përçarëse derisa të mos këtë një marrëveshje apo një koordinim politik të brendshëm ndërinstitucional dhe ndërpolitik. A do të ndodhë kjo nuk e di, për shumëkënd kanë humbur shpresat, sepse të gjitha partitë politike dhe liderët politik janë të papërcaktuar për një zgjidhje dhe s’kanë agjendë të qartë për dialogun me Serbinë”, thotë Rashiti. Sipas tij, nëse subjektet politike nuk ulen bashkërisht dhe ta hartojnë një strategji të qartë, atëherë ai mendon se “nuk do të ketë dialog të mirëfilltë”.
Së fundmi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një raportim para përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, ka thënë se ai “nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”. Lajqak ka ripërsëritur kërkesën e tij për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi, menjëherë pas formimit të qeverisë të re. Sipas tij, gjatë procesit të mëhershëm, është arritur pajtueshmëri me palët për të arritur marrëveshjen ligjore të obligueshme për të dy palët, e për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania15 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK14 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports13 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania15 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
