Diaspora
Diaspora në zgjedhjet e vitit 2025: Pjesëmarrja e secilit ndikon në të ardhmen e vendit
nga Anila Hyka Smorgrav Antare e Keshillit Koordinues te Diaspores
Një Hap Historik për Demokracinë Shqiptare
Me miratimin e fundit të amandamenteve të kodit zgjedhor, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë për herë të parë mundësinë të votojnë nga vendet ku banojnë. Ky hap i rëndësishëm, jo vetëm që u jep një të drejtë të mohuar prej 30 vitesh, por e ngarkon diasporën shqiptare me një detyrë të madhe ndaj demokracisë së vendit dhe zhvillimit të tij.
Diaspora shqiptare përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Shqipërisë – mbi 1.2 milion shqiptarë, që përfaqësojnë pothuajse 40% të qytetarëve me të drejtë vote. Ndër vite, diaspora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit përmes remitancave, investimeve dhe mbështetjes së familjeve dhe komuniteteve lokale. Megjithatë, përfaqësimi i saj në proceset vendimmarrëse politike ka qenë i pamjaftueshëm. Tani, me mundësinë e re për të votuar nga vendet ku banojnë, diaspora ka shansin të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Shqipërisë.
Pse është e rëndësishme pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme?
Votimi është një ndër aktet më të fuqishme të demokracisë. Duke marrë pjesë në zgjedhje, ju ndikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e parlamentit, në përcaktimin e politikave kryesore dhe në drejtimin politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Për shumë vite, diaspora shqiptare ka dhënë një kontribut të madh për zhvillimin ekonomik të vendit, por zëri i saj shpesh ka mbetur i papërfaqësuar në vendimmarrjen politike.

Pjesëmarrja masive në zgjedhjet e vitit 2025 do të jetë një mundësi për të siguruar që prioritetet dhe sfidat e diasporës të jenë pjesë e axhendës politike të forcave në pushtet. Më poshtë janë disa arsye kryesore pse pjesëmarrja juaj është e rëndësishme:
- Forcimi i Demokracisë: Vota juaj është një instrument që forcon demokracinë. Duke marrë pjesë në zgjedhje, ju bëni që institucionet politike të jenë më të përgjegjshme dhe transparente ndaj qytetarëve të tyre, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.
- Përfaqësimi i Diasporës: Me një numër kaq të madh votuesish jashtë vendit, diaspora ka potencialin të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrja juaj siguron që çështjet dhe sfidat e diasporës të përfshihen në axhendën politike, duke lejuar edhe kandidatë nga diaspora të zgjidhen në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të jetë një hap i madh për të përmirësuar politikat që adresojnë nevojat e shqiptarëve jashtë vendit.
- Ndikimi në Politikbërjen: Përmes votës tuaj, ju do të keni ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe në formimin e qeverisë. Politikat kryesore në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe çështjeve sociale do të formësohen nga ata që ju zgjidhni, dhe vota juaj është mënyra më e mirë për të ndikuar në drejtimin e këtyre politikave.
Rëndësia e përgatitjes dhe ndërgjegjësimit
Përgatitja për zgjedhjet e 2025 është një sfidë e madhe si për institucionet shtetërore ashtu edhe për qytetarët. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po punon për të hartuar dhe finalizuar rregullat e reja, koha është e shkurtër për të rritur ndërgjegjësimin, për të testuar procesin dhe për të garantuar që çdo shtetas të ketë mundësinë të votojë. Për këtë arsye, është thelbësore që të gjithë të mobilizohemi në Diasporë, gjitha grupet dhe organizatat pavarësisht rolit që kryejnë, për tu bërë pjesë e procesit të vazhdueshëm të informimit dhe ndërgjegjësimit të pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e ardhshme.
Si funksionon procesi?
Aktualisht, procesi është në fazën e hartimit të rregulloreve dhe rregullave të regjistrimit të votuesve. Kjo përfshin dy faza kryesore:
- Faza e regjistrimit: KQZ po punon për krijimin e Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila do të përdoret për të siguruar që regjistrimi dhe verifikimi i të dhënave të votuesve të kryhet në mënyrë të sigurt dhe të besueshme. PER do të përdorë teknologji të përparuara për verifikimin e të dhënave biometrike dhe për të garantuar sigurinë e të dhënave personale sipas standardeve evropiane.
- Faza e votimit: Votimi pritet të realizohet me postë, dhe numërimi i votave do të kryhet në KQZ. Procedurat e plota të votimit do të publikohen sapo platforma e regjistrimit të jetë gati.
Çfarë duhet të bëjë çdo shtetas që tani?
Duke qenë se koha deri në zgjedhjet e 2025 është e kufizuar, është e rëndësishme që të përgatiteni që tani për të siguruar pjesëmarrjen tuaj në procesin zgjedhor:
- Kontrolloni Dokumentet e Identitetit: Një nga kushtet e votimit është të keni një pasaportë ose letërnjoftim (kartë identiteti ) të vlefshëm. Sigurohuni që dokumentet tuaja të identitetit janë të vlefshme dhe, nëse janë të skaduara, rinovoni ato sa më parë duke kontaktuar selitë diplomatike ose përmes portalit e-albania.al.
- Përgatituni për Regjistrimin: Procesi i votimit nga jashtë do të kërkojë një regjistrim paraprak. Edhe pse platforma e regjistrimit është ende në fazë përgatitore, është e rëndësishme të jeni të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij hapi dhe të ndiqni njoftimet e ardhshme nga KQZ dhe ambasadat shqiptare për procedurat e regjistrimit.
- Përfitoni nga Informacioni i Ofruar: KQZ, ambasadat dhe organizatat e diasporës do të ndërmarrin fushata informuese për të ndihmuar në kuptimin e procesit. Ndiqni këto njoftime dhe merrni pjesë në diskutime për t’u siguruar që jeni të informuar mbi të gjitha hapat që duhet të ndërmerrni.
- Shprehni Vullnetin për të Votuar: Kur të hapet procesi i regjistrimit, deklaroni vullnetin tuaj për të votuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo do të lejojë kohën e nevojshme për të korrigjuar çdo pasaktësi në të dhënat tuaja para afatit të mbylljes së regjistrimit.
- Përhapni Informacionin: Ndihmoni për të rritur ndërgjegjësimin brenda komunitetit tuaj. Informoni familjarët dhe miqtë tuaj që jetojnë jashtë vendit për këtë mundësi historike dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.
Si përfundim
Zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025 përfaqësojnë një mundësi të rrallë dhe të rëndësishme për diasporën shqiptare për të ndikuar në të ardhmen e vendit. Ndërsa institucionet po përgatisin infrastrukturën dhe rregullat e nevojshme për votimin nga jashtë, ju keni një detyrë të rëndësishme: të përgatiteni, të informoheni dhe të jeni pjesë aktive e këtij procesi. Vota juaj ka fuqinë të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Shqipëri dhe të forcojë demokracinë.
Mos e humbni këtë mundësi të rëndësishme! Qëndroni të informuar, regjistrohuni në kohë dhe sigurohuni që të keni dokumentacionin e vlefshëm për të ushtruar të drejtën tuaj të votës.
Së shpejti: Do të publikohen më shumë udhëzime dhe informacione nga KQZ dhe ambasadat për të siguruar një proces të qartë dhe të lehtë të regjistrimit dhe votimit nga jashtë.
Ndërkohë, bëhuni pjesë aktive e kësaj lëvizjeje historike për të mirën e Shqipërisë!!!!
Nga Anila Hyka SMØRGRAV eksperte në procesin digjital të votimit nga jashtë. Bashkë-drejtuese e Bordit Ekzekutiv Germin; anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës
Diaspora
Kryetari shqiptar i komunës së Morbachut bëhet viral në Gjermani
Kryetari i komunës së Morbachut në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica, është shndërruar së fundmi në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale dhe media gjermane, falë mënyrës së veçantë të komunikimit dhe afrimit me qytetarët e komunës që ai drejton.
Besiri, i cili u zgjodh kryetar komune si kandidat i SPD-së me 60.2 për qind të votave, po vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe njerëzore ndaj banorëve. Ai shihet shpesh në terren, në biseda të drejtpërdrejta me qytetarët, pa formalizma të tepruara, gjë që ka ndikuar dukshëm në rritjen e besimit dhe simpatinë ndaj tij.
Në video dhe intervista të shpërndara në rrjete sociale, banorë të Morbachut kanë folur me fjalë shumë pozitive për kryetarin e tyre. Giovanni Tatoli, nxënës, ka theksuar se Besiri është shumë i afërt me të rinjtë dhe i qasshëm në çdo moment. Po ashtu, edhe Rokkea Alabudalla, nxënëse, ka vlerësuar komunikimin e hapur dhe mënyrën miqësore me të cilën kryetari i komunës i dëgjon qytetarët.
Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe banore të tjera të komunës, si Sonja Kummerer, Manuela Fritsch dhe Marita Fritsch, të cilat e kanë përshkruar Besirin si një kryetar komune shumë të afërt me njerëzit, plot energji, shpeshherë edhe me humor, por mbi të gjitha si një drejtues që po bën një punë të mirë dhe të ndershme për komunitetin lokal.
Kjo qasje e tij ka bërë që Arianit Besiri të përmendet gjithnjë e më shumë si shembull pozitiv i integrimit dhe suksesit, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe më gjerë. Për shumë banorë të Morbachut, ai përfaqëson një model modern të udhëheqjes lokale, të bazuar në dialog, transparencë dhe afërsi me qytetarin./Albinfo.ch.
Diaspora
Nga Stambolli në SHBA: votimi i diasporës përfundon gradualisht deri pas mesnate
Pas një procesi përgatitor që ka zgjatur disa javë, sot është duke u zhvilluar votimi për shtetasit e Republikës së Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike jashtë vendit.
Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithsej 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht, kanë të drejtë të votojnë në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës.
Votimi do të përfundojë në orare të ndryshme, varësisht nga shteti pritës. Në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të mbyllet votimi në Konsullatën e Kosovës në Stamboll. Ndërkaq, në orën 19:00 do të mbyllen qendrat e votimit në shtete si Gjermania, Zvicra, Franca, Belgjika, Norvegjia, Austria, Suedia, Sllovenia, Danimarka, Italia, Kroacia, Holanda, Republika Çeke dhe Hungaria.
Në Ambasadën e Kosovës në Londër, procesi i votimit do të përfundojë në orën 20:00, ndërsa në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, votimi do të mbyllet në orën 01:00 të ditës së ardhshme, gjithnjë sipas kohës lokale në Kosovë.
Bota
Theu xhamin e mjetit të policisë me kokë! Autoritetet italiane arrestojnë 42-vjeçarin shqiptar agresiv
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmë më Fermo të Italisë, ku protagonist ka qenë një 42-vjeçar që sipas autoriteteve u raportua në një gjendje psiko-fizike jo normale për shkak të sjelljes së tij agresive.
I skeduar më parë si person problematik, ai u lokalizua nga karabinierët e Porto San Giorgio, që iu përgjigjën një njoftimi në një bar në Campofilone, pas një raportimi për një individ shqetësues.
Shqiptari ka qenë në gjendje mendore të trazuar, dhe të pakontrollueshme, aq sa dhunoi me shqelma dhe grushte efektivët që me shumë vështirësi e neutralizuan.
Por pavarësisht kësaj, në një gjendje krejtësisht të ndryshuar, ai arriti ta dëmtonte automjetin e shërbimit ushtarak me shqelma dhe goditje me kokë, duke dëmtuar derën e pasme të djathtë dhe duke thyer xhamin.
Gjatë operacionit, ai pësoi një dëmtim në kokë, i cili u trajtua në vend personeli i 118-ës, që më tej e dërguan në spitalin e Fermos. Efektivët gjithashtu u detyruan të kërkonin ndihmë mjekësore për lëndime të ndryshme, me një prognozë midis 7 dhe 10 ditësh, informon media italiane.
Pasi arrestimi u krye, burri iu nënshtrua detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
-
Albania7 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK7 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports6 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania23 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania23 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
