Bota
Drejt mbylljes së një dite historike në SHBA
Votimi në ditën e zgjedhjeve u zhvillua kryesisht pa probleme në të gjithë vendin të martën me vetëm njoftime sporadike për vonesa për shkak të motit ekstrem, gabime shtypi në fletëvotime dhe probleme teknike.
Shumica e problemeve që u paraqitën deri në mesditë ishin “zhvillime të pritshme rutinë dhe për të cilat ishin marrë masat”, tha Cait Conley, këshilltare e lartë e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, në një konferencë për shtyp. Ajo tha se agjencia aktualisht nuk po gjurmonte ndonjë incident në nivel kombëtar apo të natyrës domethënëse që mund të ndikonte në sigurinë e zgjedhjeve.
Në shtetin e luhatur Pensilvani, iu dha zgjidhje me shpejtësi njoftimeve të hershme se vëzhguesit republikanë nuk lejoheshin të hynin në disa qendra votimi. Një gjykatës i shtetit të Pensilvanisë urdhëroi që qendrat e votimit të qëndrojnë të hapura për dy orë shtesë në qarkun Cambria, i cili votoi 68% për ish-presidentin Donald Trump në vitin 2020. Ky qark kërkoi zgjatjen e orarit, pasi një mosfunksionim i programit elektronik ndikoi tek makinat e skanimit të fletëvotimeve, megjithëse zyrtarët e qarkut konfirmuan se asnjë votues nuk ishte larguar nga qendrat e votimit dhe tha se të gjitha fletët e votimit do të numërohen.
Një tjetër difekt teknik në bashkinë Champaign, Illinois, si dhe problemet elektronike në Louisville, Kentucky, vonuan gjithashtu votimin, por këto probleme u rregulluan me shpejtësi dhe votimi rifilloi. Në bashkinë Maricopa të Arizonës, një vend votimi u vonua të hapej pasi një punonjës zgjedhor pati harruar të merrte çelësin me vete.
Në Misuri, përmbytjet e bënë të vështirë qasjen tek një prej vendvotimeve në zonën e St. Louisit. Megjithatë, në shtete të ndryshme të prekura nga reshjet, votuesit u mblodhën me entuziazëm nën çadra, ndërsa prisnin në radhë për të hedhur votat e tyre.
“Ne do të jemi si punonjësit e postës: në shi, borë ose ngricë”, tha votuesja Mary Roszkowski pasi hodhi votën e saj në Racine, Wisconsin, ndërsa era i përplaste në fytyrë pikat e shiut.
Në Maine, të paktën tre shkolla të mesme që shërbenin si vendvotime u përballën me njoftime të rreme për të shtëna, por votimi vazhdoi pa ndërprerje pasi policia konfirmoi se telefonatat ishin mashtrime. Në Xhorxhia, Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger tha se kishte disa kërcënime të raportuara për bomba pranë qendrave të votimit, por të gjitha u konsideruan jo të besueshme dhe autoritetet po hetonin.
FBI-ja të martën pasdite tha se ishte në dijeni të kërcënimeve të shumta jo të besueshme për bomba pranë vendeve të votimit në disa shtete dhe tha se shumë prej tyre dukej se e kishin origjinën nga adresa të postës elektronike të përdorura nga rusët.
Një aspekt që ndihmoi për mbarëvajtjen e votimit në ditën e zgjedhjeve ishte fakti se dhjetëra miliona amerikanë kishin hedhur paraprakisht me postë votat e tyre. Ndër ta ishin një numër rekord votuesish në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe shtete të tjera të fushëbetejës që mund të përcaktojnë fituesin.
Që nga e marta, gjurmimi nga agjencia e lajmeve Associated Press i votimit paraprak në mbarë vendin tregoi se mbi 82 milionë vota ishin hedhur tashmë – pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet presidenciale katër vite më parë. Kjo është nxitur pjesërisht nga votuesit republikanë, të cilët votuan me postë në një shkallë më të lartë se në zgjedhjet e mëparshme, pas një fushate nga ish-Presidenti Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan për t’iu kundërvënë avantazhit të demokratëve në votimin e hershëm.
Votimi i hershëm dhe me postë vazhdoi pa probleme të mëdha, përveç disa defekteve tipike që priten në çdo zgjedhje. Këtu përfshihen pjesët e Karolinës së Veriut të goditura muajin e kaluar nga Uragani Helene. Zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe vendore, duke përfituar nga ndryshimet e bëra nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët, bënë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’u siguruar që banorët të mund të votonin, ndërsa përballeshin me ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesën e ujit dhe rrugët e përmbytura. Kjo duket se vazhdoi të martën, ndërsa Bordi i Zgjedhjeve i Karolinës së Veriut nuk raportoi asnjë problem votimi.
Përveç uraganeve në Karolinën e Veriut dhe në Florida, ndërprerjet më shqetësuese të sezonit zgjedhor deri më tani ishin sulmet me zjarrvënie që dëmtuan fletët e votimit në dy kutitë e mbledhjes së votave pranë kufirit të shteteve Oregon dhe Washington. Autoritetet po bënin kërkime për të gjetur personin përgjegjës.
Mungesa e problemeve të rëndësishme dhe të përhapura nuk e ka ndalur kandidatin republikan Donald Trump dhe Komitetin Kombëtar Republikan, të bëjnë pretendime të shumta për manipulime ose ndërhyrje në zgjedhje gjatë periudhës së votimit të hershëm, një prelud i mundshëm i sfidave ligjore që mund të bëhen pas zgjedhjeve.
Ish-Presidenti Trump dhe republikanët gjithashtu kanë paralajmëruar për mundësinë që demokratët po rekrutojnë në masë jonënshtetas për të votuar, një pretendim që ata e kanë bërë pa prova dhe që bie ndesh me të dhënat, përfshirë edhe nga sekretarët republikanë të shteteve. Hulumtimet kanë treguar vazhdimisht se është i rrallë fenomeni i joshtetasve që regjistrohen për të votuar. Çdo person joshtetas që e bën këtë, përballet me mundësinë e padisë për vepër penale dhe dëbimin nga vendi.
Një rast votimi i një joshtetasi u kap gjatë votimit të hershëm muajin e kaluar dhe rezultoi në akuza penale në Miçigan, pasi një student nga Kina mori pjesë në mënyrë të kundraligjshme në votimin e hershëm.
Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që kur Donald Trump-i humbi përballë Joe Biden-it katër vite më parë dhe filloi përpjekjet e ndryshme për të anashkaluar rezultatin dhe për të qëndruar në pushtet. Kjo kulmoi me sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për të ndalur çertifikimin e rezultateve pasi ish-Presidenti Trump u tha mbështetësve të tij të “luftonin pa u ndalur”.
Edhe tani, një shumicë solide e republikanëve besojnë pretendimin e ish-Presidentit Trump se Presidenti Biden nuk u zgjodh në mënyrë legjitime, pavarësisht inspektimeve, auditimeve dhe rinumërimeve në shtetet e fushëbetejës elektorale, që pothuajse të gjitha konfirmuan fitoren e zotit Biden. Një anketim muajin e kaluar nga Qendra NORC e agjencisë së lajmeve Associated Press për Studimin e Çështjeve Publike tregoi se republikanët mbeten shumë më skeptikë se demokratët se votat e tyre do të numëroheshin me saktësi këtë vit.
Duke kërkuar të rindërtojnë besimin e votuesve në një sistem të sulmuar nga pretendime të pavërtetuara për manipulim të gjerë, ligjvënësit republikanë në mbi 12 shtete që nga viti 2020 kanë miratuar kufizime të reja për votimin. Këto rregulla përfshijnë shkurtimin e afateve për të aplikuar ose për të dorëzuar një fletëvotim me postë, pakësimin e kutive të disponueshme për mbledhjen e votave me postë, si dhe shtimin e kërkesave për dokumente indentifikimi.
Në fundjavën e fundit para ditës së zgjedhjeve, ish-Presidenti Trump vazhdoi të pretendojë se zgjedhjet po manipuloheshin në dëm të tij dhe tha se fituesi duhet të shpallet natën e zgjedhjeve, përpara se të numërohen të gjitha fletëvotimet.
Nënpresidentja Kamala Harris u bëri thirrje votuesve të mos bien pre e taktikës së ish-Presidentit Trump për të hedhur dyshime mbi zgjedhjet. Kandidatja demokrate u tha mbështetësve në një tubim të fundjavës në Miçigan se taktika kishte për qëllim t’u sugjeronte njerëzve “që nëse votojnë, vota e tyre nuk do të ketë rëndësi”. Në vend të kësaj, ajo u kërkoi personave që tashmë kishin votuar, të inkurajonin miqtë e tyre të bënin të njëjtën gjë.
Gjatë katër viteve me pretendime të pavërtetuara dhe teori konspirative të lidhura me votimin, zyrtarët lokalë të zgjedhjeve janë përballur me ngacmime dhe madje edhe kërcënime me vdekje. Kjo ka nxitur pjesëmarrje të lartë dhe ka sjellë rritjen e masave të sigurisë për zyrat zgjedhore dhe qendrat e votimit, përfshirë instalimin e butonave të alarmit dhe të xhamave antiplumb.
Ndërkohë që nuk ka patur raportime të mëdha për ndonjë veprim keqdashës kibernetik ndaj zyrave zgjedhore, aktorët e huaj kanë qenë aktivë në përdorimin e profileve të rreme të mediave sociale dhe faqeve të rreme të internetit për të nxitur shakatë partiake dhe dezinformatat. Në javët e fundit, zyrtarët amerikanë të zbulimit i kanë atribuar Rusisë video të shumta false që pretendojnë për manipulim zgjedhor në shtetet amerikane.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, ata qarkulluan një deklaratë të përbashkët me agjencitë federale të zbatimit të ligjit duke paralajmëruar se Rusia në veçanti po shtonte operacionet e saj të ndikimit, përfshirë mënyrat që mund të nxisnin dhunën dhe se pritej t’i vazhdonin përpjekjet edhe pasi të ishin hedhur votat.
Jen Easterly, zyrtarja më e lartë e sigurisë zgjedhore e vendit, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështeten tek zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve për informacion rreth zgjedhjeve.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi jemi në një cikël zgjedhor me një sasi të paprecedent dezinformimi, përfshirë dezinformimin që shpërndahet dhe përforcohet në mënyrë agresive nga kundërshtarët tanë të huaj në një shkallë më të madhe se kurrë më parë”, tha ajo. “Ne nuk mund të lejojmë që kundërshtarët tanë nga vende të tjera të kenë një votë në demokracinë tonë”./VOA
Bota
Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit
Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) në rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.
Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.
Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si “gënjeshtra tipike ruse”, që synonin t’i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev.
“Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme” tha Zelensky në X.
Në një deklaratë të ndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të 91 dronët që ai pretendoi se u nisën në rezidencën e Putinit u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Ai shtoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale si pasojë e sulmit.
“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë terrorizmi shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, tha ai, teksa shtoi se Rusia nuk kishte ndërmend të dilte nga procesi i negociatave me SHBA-në
Pretendimi nga Moska vjen pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan të rishikuar paqeje për t’i dhënë fund luftës.
Bota
Trump kërcënon Iranin: Do të na duhet t’i shkatërrojmë nëse rindërtojnë programin e raketave
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi të hënën se do të mbështesë një sulm tjetër kundër Iranit nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë programin e tij të raketave balistike.
“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtojë përsëri fuqinë e tij dhe, nëse po, do të na duhet t’i rrëzojmë”, tha Trump përpara se të takohej me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Do t’i rrëzojmë. Do t’i shkatërrojmë plotësisht”, theksoi ai.
Trump shtoi se do të mbështeste një sulm ndaj Iranit menjëherë nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë aftësinë e tij bërthamore, duke e këshilluar vendin që në vend të kësaj të kërkojë një marrëveshje me SHBA-në.
“Kjo është më e zgjuar. Ata mund të kishin bërë një marrëveshje herën e fundit përpara se ne të kalonim, e dini, një sulm të madh ndaj tyre”, theksoi ai.
SHBA-të më herët këtë vit bombarduan tre objekte bërthamore në Iran, në një sulm që Trump e ka cilësuar që atëherë si një sukses të madh ushtarak. Netanyahu në javët e fundit ka paralajmëruar se Irani po zgjeron përsëri programin e tij të raketave balistike.
Bota
U sulmua nga një peshkaqen, gjendet trupi i pajetë i atletes amerikane
Një atlete 55-vjeçare e disiplinës triatlon, ka humbur jetë në një sulm të tmerrshëm nga një peshkaqen në brigjet e Kalifornisë.
Siç raporton New York Post, Erica Fox ishte zhdukur që nga java e kaluar kur, sipas dëshmitarëve, ajo u pa duke notuar në brigjet e Pacific Grove, në Monterey Bay, kur një peshkaqen e sulmoi.
Që atëherë, atletja ishte shpallur e zhdukur nga autoritetet lokale pasi trupi i saj nuk ishte gjetur.
Në fakt, dëshmitarët okularë raportuan se kishin parë një peshkaqen me një trup njeriu në gojë të dilte nga uji dhe pastaj të fundosej përsëri.
Sot, frika e të gjithëve u konfirmua pasi, pas disa ditësh kërkimesh, mbetjet e gruas 55-vjeçare u gjetën në breg, pranë vendit ku ajo u sulmua për vdekje. Konkretisht, trupi u gjet në plazhin Davenport në Santa Cruz, rreth 15 kilometra nga vendi i ngjarjes.
Trupi i Fox u identifikua nga babai i saj. Edhe pse Zyra e Sherifit lokal tha se ende nuk e ka identifikuar zyrtarisht trupin, afërsia e dy vendeve sugjeron se është i atletes.
Megjithatë, për shkak të natyrës së zhdukjes së Fox, Zyrat e Sherifit të Qarkut Santa Cruz dhe Monterey, së bashku me Departamentin e Policisë së Pacific Grove, po hetojnë ende rastin.
Fox po stërvitej me të tjerë, duke notuar në grupe në vend si pjesë e stërvitjes së tyre të përditshme. Midis shokëve të saj të ekipit ishte edhe bashkëshorti i saj prej 30 vitesh, Jean-François Vanreuzel.
Tragjedia ndodhi më 23 dhjetor, kur grupi u njoftua nga një pronar varke që po kalonte se një peshkaqen ishte parë rreth 100 metra larg, dhe autoritetet ngritën alarmin dhe mbyllën plazhin.
Ekipi më pas u drejtua për në breg dhe zbuluan se Fox nuk ishte e pranishme.
“Thjesht u ndjeva e mpirë. Shpresoja që ndoshta ajo doli nga uji dhe pastaj vendosi të kthehej në këmbë”, tha shoqja e ekipit Sharon Carey.
Autoritetet u njoftuan menjëherë dhe një operacion kërkimi nisi menjëherë pas kësaj për të gjetur Fox.
Pas rreth 15 orësh kërkimi në ujë me anije, helikopterë dhe zhytës, operacioni u ndërpre. Zyra e Sherifit të Monterey-t dhe një ekip vullnetarësh vazhduan kërkimin, i cili përfundoi më herët në mënyrën më tragjike.
Megjithatë, Zyra e Sherifit të Qarkut Monterey, së bashku me ekipet e pavarura të kërkimit Bedrock Ocean Exploration dhe Angel’s Recovery Dive Team, vazhduan kërkimin edhe pas përfundimit zyrtar.
Fox ka garuar në dy gara Ironman dhe në evente të ndryshme të tjera për 20 vjet. Miqtë dhe familja e përshkruan atë si një “person jashtëzakonisht të lumtur, të gjallë, qesharak dhe të sjellshëm” e cila ishte e njohur mirë me rreziqet e oqeanit të hapur. Kohët e fundit ajo kishte marrë pjesë në një Seminar për Peshkaqenin e Madh të Bardhë për të mësuar më shumë rreth grabitqarit kryesor të oqeanit.
Në vitin 2013, ajo ndau një foto në Facebook të një peshkaqeni që notonte përkrah një zhytësi. “Kjo është kafsha më e rrezikshme në planet dhe një peshkaqen po noton qetësisht pranë saj”, shkruante ajo në postim.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Kosova19 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
