Albania
Escobar: E mbështesim “Ballkanin e Hapur”, nëse është i hapur për të gjitha vendet
Në prag të vizitës së parë zyrtare në Tiranë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur besimin se Shqipëria me shumë mundësi do të bëhet në të ardhmen anëtare e Bashkimit Evropian.
“Kur shikon rajonin në tërësi administratat fiskale në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut i bëjnë ato unike dhe kështu kualifikohen për anëtarësim në BE. Ne jemi dëshmitarë të rritjes ekonomike fenomenale në Ballkanin Perëndimor. Me integrimin evropian dhe të gjitha proceset e lidhura ekonomike në rajon do të ketë një burim rritjeje dhe zhvillimi për Evropën. Integrimi i shpejte i këtij rajoni do të jetë një burim rajonal për sektorin e energjisë, transportit, sektorit të IT, teknologjisë dhe duke pasur parasysh qendrat e mëdha universitare”.
I pyetur për faktin faktin se ka rezistencë ndaj projektit “Ballkani i Hapur” në Bosnje Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, që nënkupton krijimin e një tregu të përbashkët dhe zonës ekonomike mes vendeve të rajonit, Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë iniciativë.
“Ne mbështesim çdo përpjekje për integrimin ekonomik rajonal, Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTen dhe Ballkanin e Hapur. Për sa kohë që është e hapur për të gjitha vendet, për sa kohë që ofron sisteme ligjore dhe rregullatore dhe i ngre ato në nivel evropian, për sa kohë që promovon drejtësinë, tregtinë e hapur, ne do t’i mbështesim këto parime”.
I dërguari amerikan për rajonin thekson se integrimit ekonomik duhet t’i paraprijë krijimi i institucioneve të forta ndërsa administrata e re amerikane është e fokusuar në radhë të parë në problemin e korrupsionit.
“Nuk mund të kesh iniciativë për kufijtë e hapur nëse nuk ke rregullore të përshtatshme për hyrjen e njerëzve, kundër pastrimit të parave, kundër kontrabandës etj. Në fund të fundit, ekonomitë e kësaj zone nuk mund të funksionojnë nëse keni një treg prej 600,000 në Mal të Zi ose 2 milionë në Maqedoninë e Veriut. Ju duhet një treg nga 20 milionë që të gjithë të marrin pjesë në të. Kjo është baza mbi të cilën ne kushtëzojmë mbështetjen tonë për “Ballkanin e Hapur”.
Escobar ka vënë në dukje se në ditët në vijim edhe politika e re amerikane e sanksioneve ndaj individëve të korruptuar do të zgjerohet./tvklan.al/
Albania
E tmerrshme në Pogradec, i moshuari përdhunon 12-vjeçaren
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Piskupat. Një 12-vjeçare nga ky fshat është përdhunuar brutalisht para 4 muajsh nga një 67-vjeçar po nga i njëjti fshat.
Ngjarja ka ndodhur 4 muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm tani pasi 12-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe është 4-muajshe.
E mitura e terrorizuar nuk u ka treguar prindërve të saj për ngjarjen pasi 67-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht se do ta vriste në raste se i tregonte prindërve.
E mitura në praninë e psikologut janë pyetur mbrëmjen e sotme për orë të tëra në prokurori ku ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe se si autori e kishte përdhunuar me forcë duke e lidhur, në banesën e tij.
Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë atë pasi ajo po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë dhe mjekët i kanë informuar se vajza ishte shtatzënë 4 muajshe.
Fill pas kësaj vajza ka treguar më pas ngjarjen dhe sesi 67-vjeçari e kishte përdhunuar në banesën e tij, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Mësohet se autori është baba i 4 fëmijëve si dhe është edhe gjysh. Ndërsa mitura tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe psikologëve pasi është në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
Albania
Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
Nga Auron Tare:
Në arkivat amerikanë të Luftës së Dytë Botërore ruhet një dokument befasues: Dosja e Shqipërisë në kuadër të “Komisionit Robert”, një grup ekspertësh të universiteteve më të rëndësishme amerikane, mes tyre edhe Harvardit. Qëllimi i këtij komisioni ishte i jashtëzakonshëm për kohën: hartimi i listave të pasurive kulturore në Europë që duhej të shpëtoheshin me çdo kusht gjatë operacioneve ushtarake.
Në një botë të përfshirë nga lufta totale, kur qytete të tëra po fshiheshin nga hartat, ky ekip shkencëtarësh dhe historianësh punonte ditë e natë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të popujve – përfshirë edhe tonën.
Shqipëria në sytë e Harvardit
Në Dosjen e Shqipërisë, ekspertët amerikanë kishin përpiluar me imtësi një listë të zonave me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike dhe kulturore:
trashëgimia ilire, gjurmët e qytetërimeve greke, romake, bizantine dhe çdo sit që duhej shmangur nga bombardimet.
Madje kishin hartuar edhe harta të posaçme me pikat që s’duhej të prekej as një bombë, as këmbësoria amerikane në rast zbarkimi.
Në faqen e parë të raportit të tyre, të ruajtur sot në Harvard, theksohet qartë rëndësia e madhe e trashëgimisë ILIRE – një prioritet i padiskutueshëm për studiuesit amerikanë.
Ironikisht, kjo është po ajo trashëgimi që sot disa pseudo-arkeologë të “shkollës së re internacionale” në Shqipëri e shohin si mbetje të nacionalizmit komunist dhe për këtë arsye e shpërfillin.
Ironia që djeg
Këtu fillon ironia e madhe historike:
Në kohë lufte, kur Europa digjej, akademikët amerikanë angazhoheshin për të mbrojtur pasuritë tona kulturore…
Ndërsa pas viteve ’90, në kohë paqeje, shumë prej këtyre thesareve u lanë të rrënohen, u grabitën, u zhdukën ose u shkatërruan nga vetë shqiptarët – më keq se çdo bombardim i mundshëm i aviacionit amerikan.
Ndërtesa, kështjella, objekte arkeologjike, muze, site të lashta – një pasuri mijëravjecare.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Bota1 day agoMijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
