I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për mediumin serb N1 se ai mendon se fillimi i një përmirësimi të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në horizont.
“Dhe më duhet të them se takimi mes Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në prani të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borell dhe Lajçakut”, tha ai.
Escobar tha se ata e inkurajuan Prishtinën që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se e sheh se ka vullnet për këtë. Ai ndër të tjera shtoi se askush nuk duhet të pësojë për shkak të targave dhe se të dy palët duhet të fokusohen në zgjidhjet evropiane. “Mendoj se duhet të harrojmë narrativën se “Kosova është Serbi” dhe të kalojmë në atë që “Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, theksoi ai.
Në një intervistë për N1, ai ka thënë se ka ardhur me mesazhin se ka shqetësim të madh në bashkësinë ndërkombëtare për përshkallëzimin e mundshëm të dhunës për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria e Kosovës. “Gjatë vizitës sime në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë krizë. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Uashingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i mundësojë popullit të Kosovës të jetojë në paqe”, tha Escobar.
I pyetur nëse ka paraqitur ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dokumenteve personale dhe targave, ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e procesit të negociatave që zhvillohet nën patronazhin e Bashkimit Evropian. “Procesi udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe ne e mbështesim atë proces, kështu që të gjitha propozimet dhe rekomandimet vijnë nga BE-ja”, shtoi ai.
Rreth konstatimit se mori pjesë në procesin e negociatave në Bruksel, ai tha se nuk ishte pjesë e negociatave dhe se ishte aty vetëm si mbështetje. “Roli im ishte të inkurajoja të dyja palët që të jenë konstruktive dhe fleksibile, për të dërguar një mesazh se SHBA-ja e mbështet plotësisht këtë proces dhe se është një proces që ka një rëndësi të madhe për aleancën euroatlantike. Por përveç kësaj, dua të them se ky proces është shumë i rëndësishëm edhe për SHBA-të, si dhe se ne jemi të përfshirë në të dhe se do të insistojmë në zbatimin e zgjidhjeve që dalin nga ky proces. Ne do të kërkojmë gjithashtu mënyra për të krijuar mundësi që do të ofrojnë mbështetje politike dhe ekonomike, të çojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe të na mundësojnë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë këto zgjidhje të funksionojnë për të dyja palët”, deklaroi Escobar.
Ambasadori Hill tha se pala serbe ishte e përgatitur mirë, ndryshe nga pala tjetër. I pyetur nëse kjo ishte edhe përshtypja e tij, ai thotë: “Negociatat janë aktualisht në një fazë shumë të ndjeshme. Pra, nuk dua të fajësoj askënd, sepse, të jem i sinqertë, gjithçka filloi në Bruksel dhe mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë. Përderisa kemi një zgjidhje paqësore, të zbatueshme dhe të realizueshme, e cila nuk e ndërlikon jetën e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, nuk mendoj se do të kemi problem. Edhe unë jam optimist, besoj se do t’ia dalim”.
I pyetur se si ka mundësi që prezenca e tij nuk e ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin që të jetë më fleksibël, pasi Amerika është një partner i rëndësishëm i Kosovës, Escobar tha se e kanë inkurajuar Prishtinën që të jetë konstruktive dhe se e ka parë që kishte vullnet rreth kësaj.
“E shihni, ne jemi një partner i rëndësishëm dhe ata janë partnerët tanë, kështu që ne kemi vërtet dialog të hapur me Kosovën. Dhe ne i inkurajuam ata të jenë më fleksibël dhe konstruktivë. E pashë që ka vullnet të mirë. Ata kanë shqetësimet e tyre, kështu që ne e morëm këtë parasysh. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në partneritetin tonë me Kosovën, por edhe në vullnetin e mirë dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë. Dhe për këtë dua të theksoj qartë: pas këtyre ditëve ka vend për optimizëm”, tha ai për N1, transmeton Klan Kosova.
Dëgjuam se Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken nuk do të hezitonte t’i bashkohej procesit të negociatave, nëse kjo do të ishte e nevojshme. I pyetur nëse është e nevojshme tani, ai thotë se do të thotë që nuk është dhe sqaron: “Nuk ka thënë se do të përfshihet në procesin e negociatave, por është i gatshëm të bëjë disa thirrje, të mbështesë procesin e negociatave dhe të çojë në një proces afrimi mes palëve biseduese”. Gjithashtu dua të theksoj se gjërat për të cilat po flasim aktualisht – e ato janë targat dhe dokumentet identifikuese, në fakt problem i vogël në kuadër të platformës gjithëpërfshirëse të negociatave. Ka të ngjarë që angazhimi i Amerikës të jetë i domosdoshëm, jo në negociata, por pas dialogut, për të forcuar rrugën drejt suksesit, për të arritur paqen përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të hapur një perspektivë evropiane për të dyja vendet”.
Rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe: Ne nuk vendosim afate
Escobar më herët ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të zbatohet, sepse ky obligim është pranuar në Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013.
I pyetur nëse ka marrë ndonjë garanci rreth afatit për këtë, Escobar përgjigjet – “ne nuk vendosim afate”. “Kërkesa e vetme, nëse mund ta quani kështu, është që ajo duhet të jetë e radhës në agjendë.” Pra, do na duhet të flasim rreth atij asociacioni dhe se si do ta zbatojmë. Është një detyrim ekzistues, është firmosur në marrëveshje, dhe ajo marrëveshje në qeverinë e Kosovës tashmë ka kaluar nëpër procese të ndryshme me të cilat është konfirmuar. Në takimin e Sekretarit të Shtetit, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, zotëri Blinken tha se duhet të zbatohet, për të cilën jemi pajtuar”, kujton Escobar.
Escobar tashmë ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në veri të Kosovës. I pyetur nëse vërtet ka potencial për konflikt, ai përgjigjet – “Shpresoj që jo”.
“Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se askush nuk duhet të vdesë ose të lëndohet për shkak të targave” Por, pavarësisht se për çfarë shpresojmë, ne jemi duke punuar në të njëjtën kohë për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe në pjesën tjetër të rajonit. KFOR-i është prezent, EULEX-i është i pranishëm, kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me të dyja qeveritë dhe po mundohemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet e kontestuara, para se të krijohet një situatë që mund të eskalojë në konflikt. Dhe shpresoj se kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai.
Në periudhën paraprake qytetarët e veriut të Kosovës kanë qenë dëshmitarë të pranisë së shtuar të forcave speciale të Policisë së Kosovës. I pyetur nëse e kishte diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Escobar deklaroi se këtë e kishte bërë, “por shkurtimisht”. “Forcat policore duhet të jenë prezente dhe të kujdesen për qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve”. Ne i inkurajojmë ata të gjejnë mënyra dhe të ndërtojnë besimin e nevojshëm mes forcave të policisë dhe njerëzve. Jo vetëm në veri, por në mbarë Kosovën. Në të njëjtën kohë, kjo është këshilla që ia kemi dhënë jo vetëm qeverisë së Kosovës por edhe të gjitha qeverive të rajonit”, ka theksuar ai.
“Ne kemi KFOR-in, EULEX-in, programe për trajnimin e policëve dhe gjyqtarëve… Të njëjtën gjë e ka edhe Bashkimi Evropian. Po mundohemi që të gjitha forcat policore të zonës t’i bëjmë shumë më profesionale. Ka të meta në të gjitha këto, por është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të bëjmë përparim. Dhe teksa ne ecim përpara dhe zbatojmë reformat, kjo do t’ju përgatisë gjithashtu për mbylljen e kapitullit, kur të bëheni zyrtarisht kandidatë për hyrje në Bashkimin Evropian. Ndaj do të thosha se në të gjithë rajonin ka vend për profesionalizimin e policisë”, vlerësoi zyrtari amerikan.
“Fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve është i dukshëm”
I pyetur se cilat janë garancitë që një krizë e tillë apo veprime të njëanshme nuk do të përsëriten, të dyja palët do të arrijnë një marrëveshje deri më 1 shtator, Escobar thekson se gjëja më e rëndësishme u arrit në Bruksel – që të dy liderët u angazhuan që të takohen çdo muaj.
“Dhe më duhet të them se takimi mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe paqësor”. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borell dhe Lajçak. Kështu që mendoj se është në horizont fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve mes këtyre dy palëve”, shton ai.
I pyetur nëse ka folur me presidentin Vuçiq se pse lideri i Listës Serbe, i cili është nën sanksionet amerikane, Milan Radoiçiq, luan një rol të rëndësishëm në takimet në palën serbe, Escobar u përgjigj: Para së gjithash, unë nuk takohem me askënd nën sanksionet tona, kështu që nuk ka qenë askush nën sanksione në takimin ku unë kam marrë pjesë. Kjo pjesë është krejtësisht e qartë për të gjithë. Njerëzit me të cilët u takova ishin shumë konstruktivë dhe shumë të përkushtuar ndaj idesë për të mbajtur situatën të qetë dhe të qëndrueshme në komunitetet që ata përfaqësojnë”.
“Ky është një shekull i mundësive për rajonin, Kosova dhe Serbia patjetër do të lidhen”
Ne e dimë se cili është qëndrimi i SHBA-së kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës, por pse do të ishte në interesin e Serbisë ta njohë Kosovën, nëse kjo pritet prej saj? Në këtë pyetje, Escobar thotë se duhet harruar se Kosova është Serbi, duke shtuar se Kosova dhe Serbia sipas tij do të lidhen në të ardhmen përmes marrëveshjeve të ndryshme dhe do të kenë marrëdhënie të mira.
“Mendoj se duhet ta harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë. Kështu që ju keni një të ardhme së bashku. Po largohet shumë shpejt nga problemet e viteve ’90, dhe po i afrohet mundësive që ofron shekulli 21. Shekulli i njëzet e një do të jetë një shekull i mundësive ekonomike për këtë rajon. Një shekull në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet një gjenerator i rritjes për të gjithë kontinentin evropian. Një shekull në të cilin do të bëheni qendra e prodhimit të energjisë, energjisë së rinovueshme, sektorit të IT, shpedicionit, transportit dhe shumë sektorëve të tjerë ekonomikë që vetëm ky rajon mund t’i ofrojë. Pra, realiteti është se në fund, në çdo rast, të gjithë do të jeni të lidhur përmes disa marrëveshjeve ekonomike rajonale, si CEFTA, Tregu i Përbashkët Rajonal ose Shengen i vogël dhe në fund edhe në Bashkimin Evropian. Në fund gjithsesi do të keni marrëdhënie të mira me Kosovën, do të jeni të lidhur me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Prandaj, sa më shpejt t’i zgjidhim këto çështje kontestuese, aq më shpejt do t’i arrijmë ato shanset e së ardhshme”, beson ai.
Për serbët nga Kosova
Serbët nga Kosova, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në institucionet e Kosovës, e shohin Serbinë si vendin e tyre. I pyetur se si do t’i qaset kësaj në dialog, ai thotë se kanë “dyshtetësi”.
“Le të jemi realistë”. Ata njerëz në Kosovë kanë shtetësi të dyfishtë. Ata janë shtetas të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kuptim, e drejta e tyre duhet të mbrohet nga të dyja palët. Si qytetarë të Serbisë, ata kanë të drejtë të votojnë dhe të marrin pjesë në jetën ekonomike dhe kulturore të Serbisë. Por si qytetarë të Kosovës, ata kanë të drejtën e mbrojtjes së institucioneve të Kosovës. Ne insistojmë për këtë. Ne këmbëngulim që të gjitha të drejtat demokratike duhet të mbrohen”, përfundoi Escobar. /N1info