Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, ka deklaruar se Finlanda, nën cilësinë e vendit që ka presidencën e BE-së gjatë këtij gjashtëmujori, ka dhënë mbështetje të pakursyer për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Vizita e ministrit Havisto është e një rëndësie të posaçme për shkak të rrethanave dhe e një vlere të veçantë për shkak të kohës. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të një komunikimi intensiv të ministrit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, por edhe pak javë para vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në veçanti. Duke marrë parasysh faktin që procesi i zgjerimit është një prej prioriteteve kryesore të presidencës finlandeze të këshillit, një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve të sotme u përqendrua pikërisht në argumentet dhe arsyet se Shqipëria duhet të negociatat në tetor të këtij viti. Një vendim i tillë është para së gjithash një reflektim i meritave dhe arritjeve të Shqipërisë”, u shpreh Cakaj.
Ministri nënvizoi se që prej vendimit të Këshillit të 2018 Shqipëria është obliguar në 3 fusha kryesore për të marrë atë që meriton, përkatësisht, hapjen e negociatave. “Kushti i parë ka qenë thellimi i rezultateve në procesin e Vetingut. Kushti i dytë ka qenë ngritja e trupave të reja në kornizën e Reformës në Drejtësi dhe kushti i tretë ka qenë vazhdimi dhe ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
“Sipas KE, – u shpreh Cakaj, – Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj të mjaftueshme për të filluar bisedimet për anëtarësim. Në këtë kontekst, përpjekja jonë qendrore është përkthimi i vlerësimit teknik të komisionit në një vullnet politik afirmativ të këshillit. Pavarësisht kësaj ne duhet po ashtu të nënvizojmë se hapja e negociatave për anëtarësim në BE nuk është vetëm kurorëzim i rezultateve të reformave të deritanishme të Shqipërisë por po ashtu një motiv shtesë për të vazhduar në kursin reformator dhe të pakthyeshëm që ka marrë Shqipëria qoftë përmes instrumenteve të shtuara të asistencës teknike që pasojnë pas hapjes së negociatave, qoftë përmes detyrimeve konkrete në plotësimin e kushteve që vijnë në kapitujt e procesit negociator. Çelja e negociatave në tetor ka po ashtu një vlerë më të përgjithshme gjeostrategjike sepse është me rol të veçantë në konsolidimin e frymës euroatlantike të rajonin dhe forcimin e stabilitetit demokratik në veçanti”.
“Finlanda si vend anëtar i BE dhe si presidencë e Këshillit konfirmon mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë në tetor dhe veç kësaj po ashtu konfirmon angazhimin e mëtejshëm për të punuar me vendet anëtare për t’i bindur ato se jemi para një momenti kyç dhe meritat e Shqipërisë duhet të vlerësohen dhe momentumi proeuropian në rajon duhet kultivuar më tej”, – deklaroi ai, duke shtuar se, krahas mbështetjes politike të Finlandës për Shqipërinë, Finlanda ka mbështetur edhe në nivel të asistencës teknike aspiratat europiane të Shqipërisë me theks të veçantë duke dhënë kontribut financiar e teknik në kuadër të obligimeve me të cilat Shqipëria duhet të ballafaqohet në Kapitullin 12.
“Me ministrin vlerësuam pozitivisht edhe bashkëpunimin midis dy vendeve në kuadër të diplomacisë shumëplanëshe, duke filluar nga bashkëpunimi në kuadër të OSBE dhe të KiE dhe po ashtu me këmbimin e mbështetjeve për aspiratat tona për Këshillin e Sigurimit”, – nënvizoi ministri Cakaj. /ATSH/