Albania
Gjuha shqipe ka nevojë për një fjalor të ri
Eksperimentet gjuhësore vazhdojnë çdo ditë në të gjitha fushat. Fajtorët kryesorë janë ata që shesin. Po i quajmë kështu ata që reklamojnë. Sot jetojmë në një treg të lirë dhe suksesi arrihet duke shitur.
Pra duhet të dish se si të shesësh modën, informacionin, muzikën dhe çfarëdolloj malli tjetër. Dihet mirë që e zakonshmja nuk tërheq vëmendje. Kështu për të pasur vëmendjen e publikut e folura e atyre që “shesin” duhet të ketë risi. Fjalë ndjellëse që tingëllojnë ndjellëse.
Pasi artikulohen në televizion, në radio dhe internet, këto fjalë merren nga publiku dhe pastaj përdoren në jetën e përditshme. Kështu pa qenë nevoja, ne harrojmë fjalët shqip dhe marrim ato të një gjuhe tjetër.
“Thuhet aksi Tiranë – Durrës. Nuk thuhet më boshti Tiranë – Durrës. Aks rrugor është fjalë e huaj. Fjala memorie nuk duhej të futet. Kemi fjalën kujtesë. Kjo fjalë do harrohet me kalimin e kohës”, tregon profesori Edmond Tupja për TopChannel.
Studiuesit mendojnë se jo të gjitha fjalët e huaja që kanë hyrë në dekadat e fundit duhet eliminuar. Ka me qindra mijëra fjalë që në fakt janë të nevojshme dhe ato duhen përshtatur. Për këtë kërkohet një fjalor i ri.
Fjalori i fundit që ka nxjerrë instituti i gjuhësisë dhe letërsinë është i vitit 2006.
Ky fjalor nuk i përgjigjet sot nevojës që ka gjuha shqipe. Hartimi i një fjalori të ri është një nevojë urgjente. Fjalët që kemi huazuar nga gjuhët e reja duhen studiuar, duhen përshtatur me normat e shqipes dhe duhen hedhur në përdorim.
Drejtori i institutit të gjuhësisë dhe letërsisë na jep një shifër të përafërt se sa janë fjalët që ka gjuha shqipe sot me pasurimin që ndodh vit pas viti.
Pra nga 500 mijë fjalë, ne kemi të vendosura në fjalori ne vitit 2006 vetëm 48 mijë. Pjesa tjetër janë lënë në përdorim të lirë e të pastudiuar.
Goditja më e rëndë e gjuhës shqipe tek dokumentet zyrtare të institucioneve, shkruhen me gabime
Gjuha e saktë është thelbësore në fushën juridike. Një vendim i drejtë gjykate, por i shkruar gabim mund të kishte pasoja të rënda për palët kundërshtare.
“Një qytetar nga Pogradeci vjen tek katedra e gjuhësisë dhe kërkon shpjegimin e një fjale, me atë fitoi gjyqin sepse gjykatësit e interpretonin gabim një lidhëz”, tregon Profesori Rami Memushaj.
Në këtë dokument-rregullore të brendshme të miratuar nga gjykata administrative e Gjirokastrës gjysma e kokës së dokumentit është më shkronjën “ë” ndërsa gjysmat e fjalëve janë pa këtë shkronjë.
Një dokument tjetër vjen nga Bashkia e Fierit. Është një vendim i prillit 2019 për ndarjen e territorit brenda qytetit. Në të gjitha rastet fjala “lagjja” shkruhet gabim, pasi mungon shkronja “J”. Skandali më i madh është që në fund të dokumentit, ku fjalët Kryetari i Këshillit të Bashkisë shkruhen me shkronjën “Ë”. Kjo shkronjë nuk ekziston në alfabetin shqiptar. Përveç kësaj, termi i saktë nuk është këshilli i bashkisë, por këshilli bashkiak.
Tani kalojmë tek një vendim tjetër i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vendimi është i vitit 2016. Në disa paragrafë të këtij dokumenti përdoret shkronja “ë” në disa të tjerë nuk përdoret. Fjala “gjyqësor”, herë shkruhet “gjyqsor” dhe herë “gjyqësor”. Në fakt, variant i saktë është ai pa shkronjën “ë”. Më poshtë lexojmë fjalët “object gjykimi”. Siç e shikoni, fjala objekt është shkruar në anglisht dhe jo në shqip, pasi është shkruar me “c” dhe jo me “k”.
Një paragraf më poshtë përdoren fjalët “në favor të fëmijës të mitur”. Në fakt duhet të ishte “në favor të fëmijës së mitur”. Në të njëjtin vendim, Gjykata e Tiranës e shkruan disa herë fjalën çështje me c dhe jo me “ç”. Gjithashtu pa shkronjën “ë”. Ajo lexohet “ceshtje”. Ndërkohë fjalën “çmon” e shkruan “cmon”. Më poshtë fjalën njëri-tjetrin e shkruan pa vizë në mes.
Më pas lexojmë një fjali pa kuptim: “paditësja është shumë të lidhur me fëmijën”. Në fakt duhej thënë se “ajo është shume e lidhur me fëmijën”. Në të njëjtin paragraf mungon një lidhës. Aty shkruhet “e ka marrë forcë fëmijën”. Duhej të ishte: “e ka marrë me forcë fëmijën”.
Pra këtu kemi një shembull se si një vendim gjykate shkruhet shkel e shko.
Në kohën e sistemit komunist, shteti ishte kujdesur që makinat e shkrimit që vinin nga jashtë, të prodhoheshin që në fabrikë të pajisura me shkronjën ç dhe shkronjën ë. Që zakonisht gjuhët e tjera nuk i kanë.
Qesharake, shkollat dhe tabelat orientuese të Bashkisë, të shkruara gabim
Të shkruarit gabim të gjuhës shqipe vihet re në Shqipëri gjithandej ashtu siç vihen re edhe fjalët e huaja. Sapo futesh në kufirin shqiptar, i takon të dyja këto fenomene.
Së pari, në tabelën që thotë: “Mirësevini në Shqipëri”, fjalët janë shkruar së bashku. Sipas drejtshkrimit, ato duhen shkruar veç e veç. Kjo ndodh në të gjitha pikat doganore.
Së dyti, gjuha shqipe nuk respektohet kur vulosen pasaportat e atyre që kalojnë doganën.
Por nuk janë vetëm tabelat në pikat kufitare të shkruara gabim. Edhe në shkollat tona, atje ku është djepi i dijes, bëhen gabime trashanike. Tabelat “mirëseerdhët nxënës të dashur” shkruhet gabim. Fjalët bashkohen. Më absurd është emri i një shkolle 9 – vjeçare në Tiranë. Në ballë të godinës lexon: “shkolla Sabahudin Gabrani”. Ndërsa tek pllaka në hyrje të oborrit lexon: “Sabaudin Gabrani”. I mungon shkronja “h”. Gjithashtu shkolla 9 – vjeçare duhej të ishte shkruar me një vizë në mes. Ky gabim vihet re edhe në shkolla të tjera.
Edhe në hapësirat publike të qyteteve tona, gjuha standarde shtrembërohet gjithandej. Bashkia e Tiranës tek rrethimet me xham që ka vendosur tek Pazari i Ri, këtë fjalë e ka shkruar të gjithën bashkë. Pra “pazari i ri” në një fjalë të vetme. Por jo vetëm tek xhamat. Ky emër vendi është shkruar në këtë mënyrë edhe tek tabelat zyrtare të Bashkisë. Por, nuk është ky i vetmi problem. Në hyrje të tregut të peshkut dhe mishit, bashkia ka vendosur fjalën “MARKATA”. Kjo fjalë nuk është shqip.
Një gabim tjetër i bashkisë Tiranë vihet re tek tabelat e parkimit me pagesë në rrugët e qytetit. Aty lexohet “Parking me pagesë”. Gjysma e fjalisë anglisht dhe gjysma shqip. Sot qeveritarët mbrojtjen e gjuhës e kanë lënë në harresë të plotë.
Albania
Shqipëria “kampione” e rritjes së çmimeve
Tryeza e festave edhe këtë vit do t’i kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës, por jo vetëm, vijojnë të rriten. Produktet bazë ushqimore, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.
Shqipëria, nga vendi më i varfër tre dekada më parë, është transformuar në vendin më të shtrenjtë në rajon për të jetuar. Një realitet që reflektohet drejtpërdrejt në konsum, në zakonet e blerjes dhe në mirëqenien e familjeve shqiptare. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur Shqipëria, sipas FMN, mbetet ende një nga vendet me fuqinë blerëse për individ më të ulët në Evropë dhe Ballkan.
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas Barometrit, 72 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në rajon, pas Kosovës, ku për 77% të qytetarëve çmimet janë një problem shqetësues.
Iu rikthyem disa tregjeve në kryeqytet, të cilat i kishim vizituar tre vite më parë, për të krahasuar çmimet dhe për të parë nga afër se si ka ndryshuar situata. Diferencat janë të dukshme, ndërsa rritja e çmimeve ndihet pothuajse në çdo produkt.
Seli, tregtare prej vitesh, thotë se produktet që vijojnë të rriten janë perimet si kastraveci dhe domatja, që variojnë nga 200–240 lekë për kilogram. Një vit më parë, produktet e njëjta të serrave që prodhohen në vend ishin rreth 180–200 lekë për kilogram.
“Në janar çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse mbarojnë produktet e serrave dhe hyn vetëm importi”, thotë Seli, duke shtuar se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë punën e tregtarëve të vegjël.
Me këto çmime edhe ne nuk presim të shesim shumë, duke e parë nga këndvështrimi i familjares tanimë e jo i tregtares, thotë ajo me shqetësim, ndërsa pranon se edhe vetë blen më pak për familjen e saj.
Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar disa herë se po i mbikëqyr çmimet, kjo nuk e ka ndaluar abuzimin. Situata ka sjellë edhe penalizime për subjektet që kanë shkelur ligjin.
“Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë ndërmarrje grumbulluese për bashkërendim të çmimeve në dëm të fermerëve. Autoriteti thekson se pas një hetimi që zgjati gati dy vite dhe përfshiu disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi praktika të ndaluara që kishin shtrembëruar konkurrencën, kishin diktuar çmimet e blerjes si dhe kishin rënduar pozitat negociuese të fermerëve,” shprehet ky institucion.
Sipas Artan Gjergjit, ekspert ekonomik, fenomeni i rritjes së çmimeve është kompleks dhe ndikohet nga disa faktorë njëkohësisht.
“Duke qenë se jemi një vend i cili mbi 80% të transaksioneve import-eksport i ka me vendet e BE-së, padyshim që jemi të ekspozuar edhe ndaj ndikimit që ka inflacioni në këto tregje,” shpjegon ai.
Megjithatë, ajo që e bën paradoksale këtë fenomen është fakti se, edhe pse prej muajsh në Shqipëri vlera e euros është në pikën më të ulët, kjo nuk reflektohet në çmimet që shohim tek produktet. Madje, importi vijon të hyjë me çmime të shtuara, duke mos sjellë asnjë lehtësim për konsumatorët.
Një tjetër komponent është mungesa e konkurrencës në tregje të caktuara, e sidomos në sektorin e tregtisë, përfshirë mallrat ushqimore, thotë Gjergji, duke theksuar se kjo situatë favorizon rritjen artificiale të çmimeve.
Por mungesa e vijueshme e produkteve vendase mbetet faktori më madhor, që prej vitesh po dëmton ekonominë dhe po rrit varësinë nga importi. Sipas Barometrit, në vitin 2025 rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve.
Një vit më parë, indeksi i publikuar nga “Mercer” e rendiste Tiranën në vendin e 103-të në botë, duke kryesuar si qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në rajon. Elementet e marra në shqyrtim ishin strehimi dhe ushqimet, dy zëra që rëndojnë më shumë buxhetin familjar.
Për familjet shqiptare, ushqimi mbetet një nga shpenzimet më të mëdha mujore dhe një barrë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.
Adileja është kryefamiljare dhe tregon se sa shpenzon në pazar:
“Blej gjithmonë sasi të vogla, vetëm për konsum ditor, që të mos më prishen, kryesisht perime; fruta më pak, sepse janë shumë të shtrenjta. Këto kohë kam blerë portokalle, se janë 100 lekë kilogrami. Me 5000 lekë thuajse nuk blen dot as për 2~3 ditë produkte bazë.”
Eksperti Gjergji thotë se ky lloj kursimi i detyruar redukton ndjeshëm mirëqenien.
“Reduktojnë në mënyrë drastike mirëqenien e individëve, pasi me të njëjtën sasi parash në dispozicion nuk mund të blejnë të njëjtën sasi mallrash dhe detyrohen të heqin dorë nga cilësia,” shprehet ai.
Të dhënat e INSTAT për muajin shtator 2025 tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me rreth 2.4% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje të përgjithshme të kostos së jetesës për familjet shqiptare, dhe kjo përkthehet edhe në çmime më të larta, sa më shumë i afrohemi fundvitit.
Rritje të vazhdueshme që prej vitit 2019 ka pasur edhe bulmeti dhe nënproduktet e tij, ku rritjen më të madhe e ka djathi. Një kilogram djathë nga baxhot e Sarandës një vit më parë kushtonte 1200 lekë, ndërsa sot varion nga 1400~1500 lekë për kilogram.
Produktet e mishit po ashtu janë shtrenjtuar ndjeshëm. Mishi i viçit dhe ai i qingjit konsiderohen më të shtrenjtit, ku nga 1000~1100 lekë tanimë kushtojnë 1300~1500 lekë për kilogram. Mishi kryesisht po importohet, për shkak se blegtoria çdo vit njeh rënie shumë të ndjeshme.
Edhe këtë vit Shqipëria vijon të jetë “kampione” e rritjes së çmimeve, krahasimisht jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me vende europiane si Greqia dhe Italia. Faturat e fundvitit po u rëndojnë xhepat qytetarëve, të cilët, në vend që të mendojnë për të festuar, duhet të mendojnë për paratë e shpenzuara për tryezën festive.
Në shumë familje, blerjet po kufizohen vetëm në minimumin e domosdoshëm, ndërsa konsumi vijon të bjerë ndjeshëm.
Albania
Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë
Dinamo ka fituar Superkupën e Shqipërisë, pasi mundi 3-1 Egnatian në finalen e luajtur në “Air Albania”. Rrogozhinasit e nisën shumë mirë takimin, duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 9-të me anë të Flamur Ruçit, i cili duke përfituar nga një moskuptim mes tyre i mbrojtësve të Dinamos, mposht Aldo Teqja dhe dërgon topin në rrjetë.
“Blutë” reagojnë direkt dhe i afrohen shumë golit të barazimit në minutën e 11-të, por goditja e Karamba Gassama ndalet nga shtylla. Në minutën e 15-të, Dinamo pretendon për penallti, pasi topi i goditur nga Gassama preket me dorë nga Fernando, por për arbitrin kryesor të finales, Enea Jorgji ishte çdo gjë “ok” dhe loja vijoi normalisht.
Në minutat në vijim, të dyja ekipet patën mundësitë e tyre, por pjesa e parë mbyllet 1-0 për Egnatian.
Pjesa e dytë foli e gjitha për Dinamon. “Blutë” përmbysën shifrat për 5 minuta. Fillimisht, Dejvi Bregu duke përfituar nga një top i kthyer mbrpasht gabim nga Eljon Sota, e dërgoi atë në rrjetë.
Në minutën e 59-të, Nani shënoi golin e përmbysjes për Dinamon, pasi u tregua i vëmendshëm në zonë, ku dërgoi në rrjetë topin e kthyer mbrapsht nga pritja e Dajsinanit pas goditjes së Bernard Berishës. Pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga Edlir Tetova, rrogozhinasit nuk arritën dot të barazonin shifrat. Goli i tretë për “Blutë” që vulosi përfundimisht fitoren erdhi në minutën e fundit shtesë nga Klevi Qefalija.
Albania
Shpërthim i fuqishëm në Shkodër, vdes 55-vjeçari
Shpërthim në hyrjen e një pallati në Perash në Shkodër. Një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka humbur jetën.
Fillimisht u raportuar për shpërthimin e boksit elektrik në hyrje të pallatit, por pas veprimeve të para ka rezultuar lëndë plasëse.
Policia në vendngjarje ka nisur hetimet ndërsa punonjësit e OSHEE kanë konfirmuar se shpërthimi nuk ka ardhur nga boksi elektrik.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike.
Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësave elektrikë.
-
Albania18 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK18 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports17 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
