Popular

Harta e ndërrimit të viteve, bota feston për 26 orë, nga Kiritimati në Samoa, ja kush hyn i pari në 2026

Published

on

Ndërsa shumica prej nesh përgatiten për numërimin mbrapsht në mesnatë, tranzicioni global nga viti 2025 në vitin 2026 do të jetë në fakt një maratonë që do të zgjasë plot 26 orë, dhe jo 24 sa zgjat një ditë e zakonshme.

Ky fenomen ndodh për shkak të vijës së lakuar të ndërrimit të datës dhe tekave gjeopolitike të zonave kohore.

Të parët, ishulli i Krishtlindjeve

Sipas traditës, mesnata e parë që do të shënojë fillimin e vitit 2026 do të trokasë në atolin Kiritimati, i njohur ndryshe si Ishulli i Krishtlindjeve (i zbuluar nga Kapiteni Cook më 25 dhjetor 1777).

Advertisement

Ky ishull, pjesë e arkipelagut të Kiribatit në Oqeanin Paqësor qendror, ndodhet dy zona kohore në lindje të vijës ndërkombëtare të datës. Kjo bën që ata të jenë 13 orë përpara zonës sonë kohore (Shqipëri). Për ta kuptuar diferencën: edhe Sidnei i Australisë, që shpesh vetëshpallet si “Kryeqyteti Botëror i Vitit të Ri”, duhet të presë edhe 4 orë të tjera pas Kiritimatit për të ndezur fishekzjarrët e famshëm në Opera House.

Zig-zagu i kohës

Arsyeja e kësaj diference qëndron te Vija Ndërkombëtare e Datës. Kjo vijë imagjinare, e cila kalon nga veriu në jug, nuk është e drejtë. Që nga viti 1995, ajo ka pësuar një devijim të theksuar drejt lindjes (zig-zag), duke përfshirë brenda ditës së re arkipelagë si Kiribati, Samoa dhe Tonga, për t’i favorizuar ato në marrëdhëniet tregtare dhe kohore.

Advertisement

Të fundit, ishujt fqinjë me 24 orë diferencë

Paradoksi më i madh ndodh në fund të festimeve. Nga Kiritimati, nëse fluturon rreth 2,500 kilometra në jugperëndim, arrin në Samoan Amerikane. Këta ishuj do të jenë të fundit në planet që do të festojnë natën e Vitit të Ri, plot 26 orë pasi festa të ketë nisur në anën tjetër të oqeanit.

Çudia qëndron te fakti se Samoa e Pavarur dhe Samoa Amerikane, ndonëse janë pjesë e të njëjtit arkipelag gjeografik dhe ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, festojnë me 24 orë diferencë për shkak se vija e datës kalon mes tyre.

Advertisement

Kur viti 2026 të ketë përfshirë edhe ishullin e vogël të Tutuilas dhe Hawaiin, atëherë i gjithë planeti do të ketë hyrë zyrtarisht në vitin e ri.

Rekordi i Rusisë

Në terma kontinentalë, vendi me më shumë “Nata të Vitit të Ri” mbetet Rusia. E shtrirë në 11 zona kohore, nga enklava e Kaliningradit në Balltik e deri në Gadishullin e Chukotkas përballë Alaskës, Rusia feston për orë të tëra.

Advertisement

Edhe këtu, Ngushtica e Beringut ofron një tjetër kuriozitet: Chukotka ruse dhe Alaska amerikane ndahen vetëm nga pak kilometra det, por festojnë me një ditë të plotë diferencë.

Trending

Exit mobile version