Albania
Inceneratori që nuk ekziston, edhe 13 milion euro pagesa në 2025
Për vitin që vjen, rreth 12.5 milion euro nga taksat e banorëve të qarkut të Tiranës do të shkojnë për inceneratorin që duhej të ishte ndërtuar dhe do ishte duke prodhuar energji elektrike, por që në fakt nuk ekziston. Të dhënat janë marrë nga projektbuxheti i vitit 2025. Tabela poshtë:

Për inceneratorin inekzistent, qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për një ton mbeturina që thjesht groposen, por që ndërkohë paguhen për një proces shumë më të komplikuar që parashikonte djegien dhe prodhimin e energjisë.
Deri në shtator, Open Data njoftoi se janë paguar rreth 10 milionë euro, një shumë që e çon financimin e buxhetit të shtetit në total për këtë objekt në gati 72 milionë euro.
Kompania e Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit, “Integrated Energy B.V SPV” u sekuestrua në gusht të vitit 2023 dhe paratë tashmë shkojnë në agjencinë e administrimit të pronave të sekuestruara. SPAK ka arrestuar disa drejtorë të bashkisë së Tiranës, antarët e komisionit që dhanë koncensionin dhe që llogaritën faturën e kripur të inceneratorit.
Si e mbrojti Rama dhe Veliaj vjedhjen tek inceneratori i Tiranës
Para sekuestrimit që i bëri SPAK inceneratorit, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kanë mbrojtur faktin se pagesat për inceneratorin e Tiranës duhet të vazhdonin pavarësisht se skema e korrupsionit tashmë ishte një skandal i njohur gjerësisht. Kur opozita dononconte faktin se paratë shkonin tek personat në kërkim, Rama mjaftohej duke thënë se “Tirana paguan shërbimin”.
Tirana është befasisht e pastër. Doni të bëjmë një provë. Është një provë që se bëjmë dot. Të ndalojmë pagesat për tre ditë e të shihni se ca ndodh me Tiranën. Sepse atje zhvillohet operacion i përditshëm i grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve. Paguajmë shërbimin”, shprehej Rama.
Kur Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja u shpallën në kërkim, atëherë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pagesat do të vazhdojnë me arsyetimin se: “Në rast se ne nuk zbatojmë kontratat, nga ana e ligjit tregtar të kontratës, ne do t’i krijonim Republikës së Shqipërisë një dëm të tillë që me siguri do të përgjigjeshim në Arbitrazh”.
Ndërkohë Erjon Veliaj ka qenë njësoj shpërfillës për faktin se paratë paguheshin por vidheshin sepse në realitet as nuk bëhej djegie e plehrave, as nuk kishte incenerator.
“Cili është në kërkim dhe kush është pronari s’është problemi im”, ka thënë Veliaj kur pyetej për këtë çështje “Ka një supervizor privat, sot është në burg, se ai duhet ta kontrollonte. Kontratën ka detyrë supervizori ta monitorojë. A është Tirana më e pastër? A paguajmë më pak, kaq i intereson qytetarët”, shprehej ai.
Hetimet e SPAK për vjedhjen e parave të inceneratorit të Tiranës nuk arritën asnjëherë tek Edi Rama që firmosi bonus për kompaninë e dy Klodëve në mënyrë të paligjshme dhe tek Erjon Veliaj, që firmosi angazhimin financiar prej më shumë se 120 milion eurosh pa marrë miratimin e këshillit bashkiak të Tiranës./Lapsi.al/
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
Albania
Vlora 4 ditë pa ujë, kryetarja e bashkisë: Defekti, fatkeqësi natyrore. Ujësjellësi s’është në varësinë tonë, protestën po e bën opozita
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat lidhur me situatën e mungesës së ujit prej katër ditësh në Vlorë, u shpreh se problemi vjen prej ujësjellësit dhe se kjo nuk është në përgjegjësi të bashkisë.
Sipas saj, defekti në tubacion që la Vlorën katër ditë pa ujë, është “fatkeqësi natyrore” dhe se nuk duhet përdorur për politikë.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen.
Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.
Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, tha ajo.
Albania
U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar. Dy muaj më parë, pas një ndjekjeje, ai u bllokua nga policia dhe në makinën e tij u gjetën pothuajse 5 kilogramë kokainë. I riu – që sipas tij vepronte për shkak të borxheve nga lojërat e fatit – nuk i mohoi faktet. “Por ju lutem, më lini të kthehem sa më shpejt në vendin tim,” kërkoi ai gjatë seancës gjyqësore.
Policia e kishte vënë re makinën e të riut në fillim të shtatorit 2024 gjatë një kontrolli në Mechelen. Kur oficerët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi. Ndjekja zgjati shumë pak: disa metra më tutje, makina u bllokua.
“Kjo ndodhi sepse disa automjete kishin ndaluar në rrugë,” u tha në seancë.
Ajo që ra në sy ishte se xhami i pasmë i makinës ishte i hapur. Një qese blu, e vërejtur gjatë kontrollit, ishte zhdukur.
“Por u gjet shumë shpejt,” shpjegoi prokurori Bjorn Vervoort. “Në qesen plastike kishte pak më pak se 4.6 kilogramë kokainë.”
Vlera e drogës në tregun e rrugës ishte mbi 230 mijë euro.
“Një sasi e tillë nuk u jepet tregtarëve të zakonshëm,” theksoi prokurori, duke sugjeruar se shqiptari nuk ishte një shitës i thjeshtë, por kishte mundësisht një rol të rëndësishëm në një rrjet më të madh trafiku.
“Edhe 600 eurot cash – në prerje prej 50 eurosh – si dhe dy telefonat celularë të gjetur në makinën e tij (një makinë me qira) mund të jenë prova shtesë,” shtoi prokurori.
Ai kërkoi një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
“Kam ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim,” tha 23-vjeçari. “Me këto para doja të shlyeja borxhet e bixhozit, rreth 30.000 euro. Por këtu nuk gjeta punë.”
I riu deklaroi se kishte hyrë rastësisht në botën e drogës.
“Gjatë një daljeje nate në Bruksel,” pranoi ai. “Papritur më folën, më dhanë para dhe gjithë atë kokainë. Në këmbim, duhej ta shisja”.
Avokati i tij, Kilian Rabau, i kërkoi gjykatës të mos japë dënim efektiv me burg, por burg me kusht.
“Le të jetë një sinjal i fortë, por lejojeni të kthehet në vendin e tij,” tha ai.
Pas shqyrtimit, gjykatësja vendosi se faktet ishin të provuara dhe e dënoi të riun me 2 vite burg me kusht dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania16 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania16 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania17 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK16 hours agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Albania49 minutes agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Kosova18 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
