Më 21 maj Greqia do ti drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit parlamentarë për katër vitet e ardhshme. Këtë vit në garë janë edhe 4 kandidatë shqiptarë. Gazeta Diaspora Shqiptare ka realizuar një intervistë me një prej tyre. Z. Fatos Malaj i cili kandidon për partinë PASOK. Kjo është hera e dytë që Malaj kandidon në zgjedhjet parlamentare. Edhe kësaj here kali i tij i betejës është emigracioni dhe problematikat e komunitetit shqiptarë në Greqi.
Z. Malaj kjo është hera juaj e dytë që kandidoni në parlamentin grek. Cila është arsyeja që ju rikthyet garës politike?
Në 20 vitet e fundit jam i angazhuar në çështjet e emigracionit, në çështje sociale dhe ato për të drejtat e njeriut, duke qenë mjaft aktiv në shoqërinë civile përmes organizatës jo-qeveritare që unë drejtoj “Arogi-Përkrahje”. Qysh prej 20 vitesh tashmë kam dhënë kontributin tim edhe në politikë, përmes forcës politike ku aderoj, PASOK. Kujtoj këtu që kam qenë këshilltar i ish-kryeministrit Papandreou për çështjet e emigracionit. Gjithashtu puna ime si Ndërmjetës Ndërkulturor më ka dhënë një njohuri të thellë të problematikave të emigracionit në Greqi dhe në të njëjtën kohë më mundëson që të jem në vijën e parë për të propozuar përmirësime në legjislacion në lidhje me këtë çështje, ashtu siç edhe kam bërë në të shkuarën. Gjithsesi mjaft probleme kërkojnë zgjidhje. Pra, rrjedhimisht ajo që mendoj është se vetëm përmes politikës dhe fuqisë që të jep një mandat në parlamentin grek mund të kemi një influencë më të madhe për ti dhënë zgjidhje problematikave ekzistuese.
Cilat janë shtylla kryesore të programit tuaj në këtë garë?
Programi im elektoral ka në fokus të veçantë zgjidhjen e problemeve të emigracionit, duke filluar këtu që nga zgjidhja e problemeve me lejet e qëndrimit, zgjidhja e problemeve me dhënien e nënshtetësisë greke e deri në zgjidhjen e problemeve sa i përket pensioneve për emigrantët që kanë punuar dhe kontribuar në ekonominë greke, pra drejtësi sociale. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme pasi, le ta quajmë “brezi i parë”, brezit të parë, atyre që kanë ardhur në fillim vitet ‘90 e punojnë e kontribuojnë në Greqi ua kemi borxh. Fëmijët e tyre ose le ta quajmë “brezi i dytë” që sot kanë të drejtën e votës duhet përpara se të hedhin votën të mendojnë për prindërit e tyre që kanë derdhur djersën e që kanë bërë sakrifica në këtë vend. Dhe tani ne duhet tua shpërblejmë.
Pasur parasysh edhe angazhimin tuaj kompetent për çështjet e legalizimit dhe integrimit në shoqërinë greke si do ta cilësonit gjendjen aktuale të komuniteti shqiptar në Greqi?
Kur flasim për bashkësinë shqiptare në Greqi duhet të kemi parasysh një diversitet sa i përket nivelit të integrimit të tyre. Brezi i dytë dhe i tretë janë tashmë të integruar plotësisht në shoqërinë greke falë politikave dhe nismës së PASOK një dekadë e kusur më parë. Duke qenë edhe shtetas grekë me të drejtë vote ata kanë dhe të drejtën e zgjedhjes dhe të të zgjedhurit. Brezi i parë i emigrantëve, janë gurë-themeli i bashkësisë, janë ata të cilët kanë bërë sakrificat më të mëdha për të hedhur themelet për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Janë ata të cilët janë më pak të integruar në shoqërinë greke dhe që edhe pas 30 viteve kontribut në ekonominë e vendit ku jetojnë, vazhdojnë të aplikojnë për rinovimin e lejeve të qëndrimit. Imagjinojeni si mund të ndjehet një emigrant shqiptar që edhe pas 30 viteve kontribut, për arsye të ndryshme të mos ketë mundësi të përfitojë nënshtetësinë greke por të vazhdojë të aplikojë për rinovimin e lejes së qëndrimit. Tani imagjinoni të njëjtin emigrant që kishte një leje qëndrimi dhjetëvjeçare ta rinovojë atë për vetëm tre vjet sepse ligji i jep vetëm këtë të drejtë. Këto janë padrejtësi sociale të cilat qeveritë e tetëvjeçarit të kaluar nuk morën mundin ti japin zgjidhje.
Sikurse e përmendet edhe sot. Më shumë se tre dekada që nga vala e parë ë emigracionit shqiptar në Greqi, brezi i parë i emigranëtev, pra një pjesë e mirë e shqiptareve që jetojnë në Greqiende përballen me vështirësitë e marrjes së dokumenteve dhe me frikën e ndryshimeve ligjore në ccdo kohë. Në gjykimin tuaj ku është ngërçi më i madh?
Ngërçi më i madh është në politikat e gabuara. Qeveritë e dy forcave politike që kanë qeverisur Greqinë në dy katërvjeçarët e fundit kanë bërë pak ose aspak për ti dhënë zgjidhje vështirësive së marrjes së dokumenteve. Vlen këtu për tu përmendur fakti që edhe për marrjen e nënshtetësisë greke, situata u përkeqësua shumë nën qeverisjen e radikalëve të majtë të SIRIZËS, që supozohet se janë progresistë, dhe gjithashtu të të djathtëve të Demokracisë së Re. Vonesat për marrjen e nënshtetësisë në disa rrethe u rritën deri në 7 ose 8 vite që nga momenti i aplikimit, ndërsa me ligj ky proces duhet të përfundojë brenda një viti. Në procesin e marrjes së nënshtetësisë me natyralizim u shtuan kushte ekonomike të cilat “dogjën” shumë nga ata që shpresonin ta merrnin nënshtetësinë.
Gjithashtu, një nga “risitë” që na çuan mbrapsht janë dhe provimet e famshme për historinë dhe qytetërimin helen që aplikantët duhet të kalojnë, të vështira mjaft aq sa edhe vetë qytetarët grekë nuk mund ti përgjigjen saktë shumicës së pyetjeve. Të gjitha këto pengesa erdhën nga politikat e gabuara të dy forcave politike që kanë qeverisur vendin në 8 vitet e fundit dhe që kanë qenë në disfavor të emigrantëve. Pikërisht këtyre problemeve ne si PASOK, por edhe unë personalisht nëse kam nderin të shërbej si deputet në parlamentin grek, synojmë tu japim zgjidhje duke zbatuar politika vërtetë progresiste dhe bashkëkohore, në favor të emigrantëve, duke i vlerësuar ata si bashkëqytetarë dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.
Sot në Greqi ka një brez vital të rinjsh të lindur nga prindër shqiptarë, por të mirë integruar në shoqërinë greke aq sa mund të flasim edhe për një “ftohje” apo “mungesë interesi ndaj vendit të origjinës”. A keni një strategji për vendosjen e lidhjeve, angazhimin e këtyre të rinjve të vendin e origjinës? Apo program për vazhdimësinë e ruajtjes se identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare ne komunitet.
Integrimi në shoqërinë greke i shumë të rinjve të lindur nga prindër shqiptarë është një proces natyral. Kujdesi nga shteti shqiptar nuk duhet të mungojë dhe duke qenë se në Greqi jeton numri më i madh i emigrantëve shqiptarë duhet të ketë një përkujdesje më të theksuar. Në të njëjtën kohë këtu në Greqi bashkësia shqiptare është një bashkësi vibrante me shumë shoqata aktive që japin kontributin e tyre vullnetarisht për mësimin e gjuhës shqipe si dhe për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare. Pra vazhdimësia e ruajtjes së kulturës dhe traditave duhet të nisë që nga shtëpia dhe duhet të mbështetet dhe të përforcohet nga shteti i origjinës. Personalisht gjithmonë kam mbështetur dhe kam qenë pjesë e aktiviteteve të bashkësisë shqiptare në Greqi. Pikërisht një koordinimin me shtetin shqiptar për promovimin e kulturës shqiptare në Greqi është në favor të të dyja vendeve sepse i sjell me afër ato. Mos harrojmë dhe faktin se Shqipëria aspiron ti bashkohet Bashkimit Evropian dhe kur kjo të ndodhë, ne të gjithë do ti përkasim një kulture evropiane.
Sikurse mund të jeni në dijeni prej pak muajsh kanë nisur diskutimet për realizimin e marrëveshjes së njohjes së kontributeve shoqërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Cili është mendimi juaj për këtë proces? Jemi në kohë? Është një proces i Vonuar? Cilat janë kategoritë e shqiptareve që mund/do të përfitojnë?
Patjetër që është një proces i vonuar. Janë me qindra mijëra shqiptarë në Greqi që kanë punuar, kanë dhënë kontribut në ekonominë greke, që me mundin e tyre kanë ndërtuar të ardhmen e fëmijëve dhe në fund nuk përfitojnë dot një pension dinjitoz. Kjo është padrejtësi sociale. Pensionet dinjitoze janë një obligim, e theksoj, një obligim që ua kemi prindërve tanë, që brezi i dytë apo i tretë ua ka prindërve të tyre. Kjo është një çështje madhore që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejtë. Unë synoj të jem zëri në parlamentin grek pikërisht për ti dhënë zgjidhje këtij problemi të shumë bashkëqytetarëve tanë.
Dhe një fund një mesazh për shqiptarët (qe votojnë dhe ) që jetojnë në Greqi.
Duhet theksuar fakti se ne tashmë jemi të integruar në shoqërinë greke. Kemi vite kontribut në shoqërinë dhe ekonominë greke. E kemi fituar të drejtën e nënshtetësisë dhe këtu dua të përmend nismën dhe risinë që solli PASOK në 2010 si partia, që e para nga të gjithë, mundësoi dhënien e nënshtetësisë greke për shumë emigrantë që ishin lindur ose kishin studiuar në shkollat greke.
Tashmë është koha të ndërgjegjësohemi dhe të konkretizohemi si faktor politik në Greqi. Jemi shtetas grekë me origjinë shqiptare dhe kështu duhet të mendojmë patjetër. Unë ju drejtohem pikërisht të gjithë shtetasve grekë me origjinë shqiptare të votojnë forcën politike PASOK e cila ka qënë, është dhe do të jetë forca progresiste në krah të emigrantëve dhe që lufton për drejtësi sociale. Unë jam kandidat i kësaj partie dhe një votë për mua është dhe një votë për PASOK, mbi të gjitha ama, është një votë për të ardhmen tonë, për zgjidhjen e problemeve tona, për drejtësi sociale. Vetëm të bashkuar mund ta arrijmë këtë ndaj dhe motoja ime në këtë garë elektorale është “të bashkuar për ndryshimin”.