Nga Andi Bushati
Sali Berisha ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë: të denoncojë. Këtë radhë në daljen e tij përpara derës së SPAK, lapsi i ka rënë gjykatëses star të reformës në drejtësi, asaj që ka marrë mbi supe shumë prej proceseve të bujshme. Berisha ka dëshmuar me dokumentat origjinale të ardhura nga Greqia, se ajo ka qenë e dënuar në shtetin fqinjë, për arsye se ka dashur të kalojë kufirin me vizë të fallcifikuar.
Deri këtu historia është e njohur. Që në kulm të gjykimit kundër kreut të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, mediat greke e bënë të ditur këtë skandal. Ato, duke treguar historinë e zonjës me tre mbriemra (Spata të vajzërisë; Maneku nga martesa e parë, me të cilin pati tentuar të shkojë në Greqi; Gjoka nga martesa e dytë, të cilin e përdori për të manipuluar Vettingun) tentuan të hidhnin hije dyshimi mbi këtë proces të trukuar nga fillimi në fund.
Por, në këtë pikë, puna nuk është tek fati personal i zonjës Gjoka. Ajo mund të përdorë më së miri justifikimin që Edi Rama ka përsëritur, me dhjetra herë, për të gjithë banditët e rilindjes që i dogji njëri pas tjetrit ligji i dekriminalizimit: ashtu ishte koha dhe kaq ishin mundësitë e shqiptarëve për lëvizjen e lirë.
Pra thjeshtë, ajo mund të mbrohej me një “gabim rinor” të 20 e ca viteve më parë.
Këtu problemi qëndron se simbolika e rastit të saj është nga ato që njollosin mbarë reformën në drejtësi. Dhe jo në një, por në disa etapa. Fillimisht, pasi kjo histori na tregon se nga sita drakoniane e vettingut paskan depërtuar personazhe të tillë me kredibilitet moral të cënueshëm. Dhe kjo jo thjeshtë për gabimin rinor të dhjetorit 2002, por për atë të fallcifikimit të paskrupullt të dokumentit me anë të cilit ajo arriti të futej mes gjykatëseve të zgjedhur të vendit. Aty znj. Gjoka ka gënjyer hapur duke thënë se nuk ka qenë kurrë e dënuar apo e dëbuar jashtë shtetit.
Po a mbaron këtu? Natyrisht që jo. Kur ky skandal plasi, fillimisht në gazetën greke Ta Nea, një tjetër institucion i drejtësisë së re, një nga ato për të cilat Veliaj thoshte në përgjimet nga burgu se janë produkt i votave tona socialiste, i doli asaj hapur në mbrojtje. Këshilli i Lartë Gjyqësor prodhoi me shpejtësinë e dritës një deklaratë se ajo po sulmohej duke i cënuar rëndë figurën. “Qeveria e gykatësve” qëndroi e pashqetësuar nga denoncimet e forta dhe nuk hodhi asnjë hap për të gjetur të vërtetën për kryetaren e GJKKO-së që dyshohej se kishte mashtruar në shkelje të ligjit.
Vetëm kur mediat greke vijuan me dokumenta që e bënë të pashmangshëm mbylljen e syve përballë skandalit ata i kërkuan prokurorisë së përgjigjshme të verifikonte. Kjo prokurori vijoi lojën e fshehjes së krimit. Ka kaluar plot një vit nga kohe kur me një dokument zyrtar ky institucion i konfirmoi redaksisë së Lapsi.al se po e hetonte çështjen e Irena Gjokës në Greqi.
Por, për 12 muaj ata nuk arritën dot të jepnin përgjigje, as të nxirrnin nga arkivat dokumentin e gjykatës së Janinës që Berisha bëri publik sot.
Vallë edhe dy shkallët e vettingut, edhe KLGJ-ja edhe Prokuroria e Përgjithshme kanë dështuar nga paaftësia në zbardhjen e të vërtetës për këtë personazh? Eshtë e vështirë ti besosh kësaj hipoteze, sidomos po i hodhe një sy çështjeve të bujshme gjyqësore të cilave i ka vënë gjoksin znj. Gjoka. Ajo qëndron pas izolimit të liderit të opozitës Berisha.
Ndonëse ky i fundit dhe avokatët e tij kërkuan disa herë dorëheqjen e saj për konfikt interesi, pasi kur ishte kish qenë president ai e kishte shkarkuar me firmën e tij, ajo nuk u largua për asnjë çast nga procesi i dyshimtë që e mbajti atë të mbyllur në shtëpi. Ajo kontibuoi edhe në moslejimin e betimit të Alfred Belerit si kryebashkiak i Himarës duke përligjur një burgim të sajuar me prova fallco dhe dëshmitarë të dënuar nga policia.
Po ti hedhësh një sy pasqyrimit që i ka bërë shtypi vendimeve të saj, aty gjen dyshime për vonesa në nxjerrjen e urdhërit të arrestit për bosët e inceneratorëve që arritën të arratisen. Aty shikon çlirim nga sekuestro të pronave për ndërtues të qendrës së Tiranës të lidhur shumë ngushtë me qeverinë.
Pra, nga aktet që ka ndërmarrë në kryerjen e detyrës e ke të lehtë të kuptosh se znj.Gjoka ka qenë e ashpër me kundërshtarët e pushtetit dhe dorëlëshuar me njerëzit pranë tij. E ndoshta kjo spjegon më së miri edhe arsyen se pse të gjitha hallkat e sistemit që duhet ta penalizonte janë treguar tolerante me të.
Mjafton kaq për të kuptuar se dokumentat e dënimit të saj në Janinë, që Sali Berisha bëri publike sot, nuk kanë fare të bëjnë me gafën e pakujdesshme të një të reje të dëshiruar për të kaluar kufirin. Mënyra si i është toleruar manipulimi i ststemit dhe se si më pas organet e tjera janë rekur ta fshehin këtë, dëshmon më shumë për një pengmarrje. Për njerëzit e kapur që janë vënë në krye të drejtësisë së rilindur.
Pikërisht për këtë, incidenti ku u përfshi Irena Gjoka dy dekada më parë, nuk është thjeshtë një histrori personale. Ai është një nga ato shembuj që po shtojnë njollat e turpit mbi reformën në drejtësi, e cila sa më shumë kohë kalon aq më e pa mbrojtshme bëhet edhe nga idhtarët e vet me fanatikë.