Technologji
Kërkesa e studentëve në Serbi për zgjedhje të parakohshme, provë për pushtetin dhe opozitën
Pas më shumë se pesë muajsh protestash, studentët në Serbi kanë kërkuar shpërbërjen e menjëhershme të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke sfiduar si Qeverinë ashtu edhe opozitën.
Studentët protestues e arsyetuan kërkesën e tyre përmes një njoftimi në Instagram se “pushteti nuk po tregon as iniciativën më të vogël” për t’i përmbushur kërkesat e tyre.
Përgjegjësia për vdekjen e 16 njerëzve nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si dhe ndjekja penale e atyre që kanë sulmuar studentë dhe pjesëmarrës të tjerë gjatë protestave, janë ndër kërkesat kryesore që studentët ua kanë paraqitur institucioneve të Serbisë, përcjell A2.
“Konstatojmë se rrënjët e korrupsionit të pushtetit kanë depërtuar thellë në institucionet shtetërore, duke pamundësuar ushtrimin e pavarur të detyrave nga këto institucione”, thuhet në deklaratën e studentëve, e publikuar më 5 maj.
Në rast se mbahen zgjedhje, studentët kanë bërë të ditur se nuk do të paraqesin listë kandidatësh, por do të mbështesin ato parti apo lista që, sipas tyre, mund të formojnë një qeveri që do t’i përmbushë kërkesat e tyre.
Si po reagon opozita ndaj kërkesës së studentëve?
Shumica e partive opozitare kanë shprehur mbështetje për studentët protestues dhe për kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Partia Demokratike (DS) ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë “çdo ndihmë për një listë universitare-studentore”, por vetë nuk do të garojë në ato zgjedhje. Megjithatë, DS-ja thekson se “në Serbi nuk ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Fronti i gjelbër majtist (ZLF) e konsideron të arsyeshme kërkesën për zgjedhje të reja, duke thënë se “Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka humbur çdo legjitimitet për të udhëhequr vendin”. Ata theksuan se qëllimi i tyre kryesor është rrëzimi i pushtetit aktual.
Mbështetje për këtë kërkesë kanë dhënë edhe lëvizja Kreni-promeni (Lëviz-Ndrysho), Kryengritja Ekologjike dhe Partia Socialdemokrate (SDS).
“E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë e rëndë dhe jashtëzakonisht e rrezikshme është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka shkruar Boris Tadiq, kryetar i SDS-së, në rrjetin social X.
Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (NDSS), Millosh Jovanoviq, ka deklaruar se është “dëm i madh nëse është hequr dorë nga ideja e një Qeverie tranzitore”.
“NDSS ende beson se kjo është e vetmja zgjidhje e mundshme, që mund të realizohet vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjithë qytetarëve me bindje opozitare”, tha Jovanoviq për agjencinë Beta.
Lëvizja Popullore e Serbisë, nën udhëheqjen e Miroslav Alleksiq, ka qenë për zgjedhje të parakohshme edhe para kërkesës së studentëve.
Deri në përfundim të këtij artikulli, Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë (SSP) nuk është prononcuar për zgjedhjet e mundshme të parakohshme.
Si po reagon pushteti?
Partia Përparimtare Serbe (SNS) nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për kërkesën e studentëve.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka shkruar në rrjetin X se “kërkesat origjinale të studentëve” kanë të bëjnë me prokurorinë dhe gjyqësorin, dhe jo me pushtetin legjislativ apo ekzekutiv.
“Ato institucione nuk ndryshohen nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Bërnabiq.
Ajo ka vënë në dyshim edhe kërkesën e studentëve për shpalljen e konkursit për anëtarët e rinj të Këshillit të Entit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), për të cilin komisioni përkatës parlamentar ka njoftuar se do të mbahet më 8 maj.
“Nëse tani kërkoni shpërbërje urgjente dhe të pakushtëzuar të Kuvendit, përse e keni bllokuar RTS-në për 15 ditë?”, ka shkruar Bërnabiq në rrjetin X.
Studentët kanë bllokuar ndërtesat e RTS-së për dy javë, duke kërkuar shpalljen e një konkursi të ri për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të REM-it.
Komisioni për Informim i Kuvendit ka nisur këtë procedurë më 28 prill, dhe siç është bërë e ditur, njoftimi publik do të publikohet më 8 maj në Fletoren Zyrtare.
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, partner i koalicionit të SNS-së, ka deklaruar se nuk sheh arsye për zgjedhje të parakohshme.
“Qeveria ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Nuk jam për ngjarje të jashtëzakonshme, por për zgjedhje të rregullta – dhe këtë nuk e kam fshehur kurrë”, ka thënë Daçiq për TV Pink.
Opozita “në provë”
Analisti politik Boshko Jakshiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesa e studentëve është “epilog logjik dhe i pritshëm i ngjarjeve të muajve të fundit”.
Sipas tij, kjo kërkesë është “një provë e madhe” për opozitën.
“Nëse partitë opozitare nuk janë të gatshme të lënë mënjanë identitetet e tyre dhe të bashkohen në një front të vetëm, ato që nuk e bëjnë këtë, apo shprehin rezerva, mund të përjashtohen nga skena politike”, ka thënë Jakshiq.
Rruga deri te kërkesa për zgjedhje
Pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, shpërthyen protesta në shumë qytete të Serbisë.
Protestat udhëhiqen nga studentët që për më shumë se pesë muaj kanë bllokuar fakultetet duke kërkuar drejtësi për vdekjen e 16 njerëzve.
Studentët kanë marrë mbështetje nga profesorët, punëtorët e arsimit, bujqit, avokatët, aktorët dhe një pjesë e qytetarëve.
Ndërkohë, Serbia ka emëruar një kryeministër të ri. Kuvendi i Serbisë më 16 prill ka votuar për një qeveri të re, e cila udhëhiqet nga endokrinologu dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut.
Qeveria e re u formua pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit në fund të janarit, i cili u tërhoq nga posti pas incidentit ku anëtarë të SNS-së, partisë që ai udhëheq, rrahën një studente në Novi Sad.
Në mes të prillit, me nismën e presidentit Aleksandar Vuçiq, u formua në Beograd “Lëvizja për popullin dhe shtetin”. Vuçiq i paraqiti kërkesat e tij institucioneve për “rivendosjen e rendit në shtet” dhe “respektimin e plotë të Kushtetutës”.
Sa është përmirësuar procesi zgjedhor?
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në dhjetor 2023, pas muajsh protestash pas dy masakrave në maj, ku humbën jetën 19 njerëz, shumica fëmijë dhe të rinj.
Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet u shoqëruan me një sërë parregullsish dhe opozita i cilësoi si “të pandershme” dhe “të manipuluara”.
Pas akuzave, Misioni i ODIHR-it i OSBE-së dha 25 rekomandime për përmirësimin e kushteve të zgjedhjeve.
U formua edhe një grup punues me përfaqësues të pushtetit, opozitës dhe shoqërisë civile.
Nemanja Nenadiq, drejtor programor i “Transparency Serbia”, tha për REL se në vitin 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e këtij grupi.
“Jo vetëm që nuk janë mbajtur mbledhje, por struktura nuk ekziston më siç ishte planifikuar fillimisht”, tha ai.
Ai shtoi se kjo ndodhi pasi përfaqësuesit e opozitës dhe të OJQ-ve, përfshirë “Transparency Serbia”, vendosën të largohen për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e pushtetit.
Nenadiq paralajmëron se tani ka rreziqe të reja për barazinë e garës zgjedhore dhe përdorimin e burimeve publike në fushata.
“Partia në pushtet ka mbajtur aktivitete të rëndësishme pa i prezantuar si të vetat, por duke përfshirë strukturat shtetërore”, tha ai.
Si shembull, ai përmendi tubimin e prillit të organizuar nga presidenti Vuçiq për promovimin e “Lëvizjes për popullin dhe shtetin”.
“Edhe sot nuk dihet kush ishte organizatori zyrtar i atij tubimi”, tha ai.
Përmirësimi i kushteve zgjedhore ishte gjithashtu temë e takimeve të komisionares për zgjerim të BE-së, Marta Kos, në Beograd, ku ajo bëri thirrje për reforma dhe përmbushje të obligimeve ndaj BE-së.
Në raportin e fundit, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të rekomandimeve të ODIHR-it përpara çdo zgjedhjeje të re./ REL
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
UK18 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania19 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
