Albania
Kina dhe Shqipëria, mes dritëhijeve dhe enigmave politike
Nga Oliverda Allmuça*
Gjeografikisht larg, e megjithatë marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Kinës kanë kaluar nëpër faza të rëndësishme, që prej pikënisjes së tyre pas Luftës së Dytë Botërore.
“Marrëdhëniet shqiptaro-kineze janë ndoshta një histori unike në marrëdhëniet midis shteteve. Gjatë komunizmit ishin marrëdhënie ideologjike që lindën dhe që u ndërtuan mbi bazën e konflikteve në lindje- thotë historiani Enver Bytyçi.
Këto marrëdhënie kanë reflektuar ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike në të dy vendet, duke kaluar nga një aleancë e ngushtë gjatë periudhës së komunizmit në një partneritet strategjik në kohët moderne. Pavarësisht gjendjes së marrëdhënieve mes dy qeverive, dritëhijet e kanë shoqëruar këtë gjithnjë këtë binom.
Ky artikull synon të analizojë evoluimin e këtyre marrëdhënieve, duke rrëmuar kështu në historinë dhe faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.
HISTORIA E MARRËDHËNIEVE (1949-1991)
Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Shqipëria e vogël që në atë kohë udhëhiqej nga diktatori Enver Hoxha, u bë një nga aleatët më të afërt të Kinës në Evropë.
Për analistin Ilir Kalemaj, pikënisja e marrëdhënieve ishte pasi Shqipëria propozoi Kinën për t’u bërë pjesë e Këshillit të Sigurimit.
“Por marrëdhëniet kanë patur ulje-ngritje. Kina dhe Shqipëria kanë patur një marrëdhënie të fortë strategjike në vitet ´´60 deri në gjysmën e viteve ´´70 të shekullit të kaluar. Madje shkuan deri aty sa, ishte Shqipëria e vogël që propozoi Kinën e madhe që të ishte pjestare e Këshillit të Sigurimit, në atë kohë si vend permanent me fuqi veto, pra të pranohej ajo që ishte republika socialiste e Kinës e Mao Ce Dunit në atë kohë.“
Studiuesi dhe historiani, Gjon Boriçi, i cili është përpjekur të çajë mes dritëhijeve të marrëdhënieve mes dy vendeve, thotë se kjo mbështetje e Shqipërisë, nuk kaloi pa u vënë re, për shkak të shpejtësisë me të cilën u mor vendimi, çfarë ngriti pikëpyetjet në shoqëritë e kohës.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë vendosur nga shkembimi i letrave përkatëse mes Enver Hoxhës atë kohë si kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme dhe ministrit të punëve të jashtme të Kinës që në nëntor të vitit ´´49, por për herë të pare ambasada shqiptare në Pekin është hapur në mars- prill të vitit 1954“, thekson ai.
Forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve arriti kulmin në vitin 1960, kur Shqipëria shkëputi çdo lidhje me Bashkimin Sovjetik dhe ktheu sytë për të kërkuar mbështetje nga Kina, e cila në atë kohë drejtohej nga Mao Ce Duni.
Gjatë kësaj kohe, Boriçi thotë se Kina, u kthye në varkë të shpëtimit për sistemin komunist shqiptar.
“Ndërhyrja financiare e kinës në vitin 1961 ishte vendimtare për shpëtimin e pushtetit të Enver Hoxhës, të jetëgjatësisë së regjimit komunist“.
Kjo mbështjetje u gjet si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, ndërsa preku kryesisht industrinë e rëndë, të cilën historiani Bytyçi e citon kështu.
“Në këtë periudhë marrëdhëniet, arritën lulëzimin. Në aspektin politik, pasi pati vizita mbi tre herë nga zyrtarët. Ndihmat ishin të mëdha. Në pesë vite, u ndërtuan më shumë se 400 objekte industriale.“
Një nga projektet më të rëndësishme ishte ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, i cili u bë simbol i bashkëpunimit mes dy vendeve. Megjithatë për Boriçin, cilësia e këtyre inevstimeve, ishte e ulët.
“Shumë prej uzinave dhe fabrikave që u ndërtuan nga Kina, nuk i mbijetuan kohës sepse teknologjia e tyre ishte e dobët dhe e prapambetur, megjithatë propaganda, tentoi të bënte të vetën thotë Boriçi.
Një tregues i rëndësisë që mori Shqipëria për Kinën, ishte edhe mbeshtetja ushtarake që i dha vendit, pavarësisht se politikat e brendshme të saj diktonin, më pak investime në infrastrukurën e armatimit.
Bytyci sqaron se “Ndonëse Kinezët ishin kundër investimeve, te shpenzimeve të mëdha të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, përsëri ata me kërkesë dhe insistim të qeverisë shqipëtare dhe të liderëve politikë dhe udhëheqësve komunist të kohës investuan miliarda edhe për ushtrinë. Kina ka investuar 11 miliardë dollar për ushtrinë shqiptare
Gjatë kësaj periudhe, Kina dhe Shqipëria ndanin pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe kritikonin Bashkimin Sovjetik për devijimin nga parimet marksiste-leniniste.
Shqipëria u shndërrua në një qendër ideologjike për Kinën, e cila e përdori si një bazë për të përhapur ndikimin e saj në rajon dhe për të promovuar versionin e saj të komunizmit në të gjithë Europën.
“Në vitet ´´60 kanë qenë ndihma dhe kreditë kineze të cilat bën të mundur edhe një lloj stabiliteti politiko ekonomik të shqipërise Për gjithë vitet ´´60 Shqipëria ka patur një rritje të konsiderueshme ekonomike dhe industriale, jo për meritën e saj. Sipas disa letrave të OKB-së rritja ekonomike e shqipërisë dhe industriale arrinte në shifrën 7.4%, për vitet ´´60, sqaron më tej Boriçi.
Ky bashkëpunim i ngushtë vazhdoi deri në fund të viteve 1970, kur Kina filloi të ndryshojë politikën e saj të jashtme dhe të zgjerojë marrëdhëniet me vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik, gjë që tronditi thellë lidhjen mes dy vendeve.
Për studiuesit, reagimi i Shqipërisë ishte i nxituar, sidomos duke marrë parasysh që grantet dhe kreditë e Kinës, i kishin dhënë një dorë të rëndësishme ekonomisë vendase.
Shkatërrimi i marrëdhënieve, veç dobësimit politik, solli një krizë në ekonominë shqiptare.
Brici thotë se për shkak të shkëputjes së kredive dhe granteve kineze “Në vitin 1990-1991 ekonomia dhe industria shqiptare shkuan në – 60%“ duke kaluar nëpër një fazë fatale.
Edhe në rastin e ndarjes, komunikimi publik i Kinës ishte shumë i kujdesur, ndryshe nga ai i zyrtarëve shqiptarë, që mes të tjerash, u përpoqën të rregullojnë marrëdhëniet me një truk politik, që nuk u pranua nga pala kineze.
Bytyci tregon se Hoxha dërgoi një letër në Kinë, ku fajin ja vendoste Beqir Ballukut, që sipas Partisë u etiketua si Armik i Popullit dhe u ekzekutua, gjë që nuk u besua nga zyrtarët në Kinë.
PERIUDHA E TRANZICIONIT (1991-2000)
Me rënien e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990, marrëdhëniet me Kinën u dobësuan ndjeshëm.
Shqipëria, thotë Analisti Ilir Kalemaj, filloi të orientonte politikën e saj të jashtme drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ndërkohë, Kina po kalonte nëpër transformime të mëdha ekonomike dhe po ndiqte politika të hapjes dhe reformës. Megjithatë, lidhjet historike mes dy vendeve mbetën një bazë e rëndësishme për rikthimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
Në këtë periudhë, Shqipëria u përball me sfida të mëdha ekonomike dhe politike. Ndërsa vendi po kalonte nga një sistem i centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë, investimet kineze u reduktuan ndjeshëm, ndrsa fokusi mbeti te industria përpunuese, thotë ekonomisti Eduart Gjokutaj.
“Industria e Kinës ëhstë mbajtur me industrinë e përpunimit. Ky do të ishte edhe modeli që do të sillej në Shqipëri,“ thotë ai.
Pasi kuptoi që nuk as rruga e Mëndafshit, as nisma „Një brez, një udhë“ nuk funksiononin dot pa fuqitë e mëdha perëndimore, Kina ishte e fokusuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre, por nga ana tjetër me synimin e qartë për të shtrirë ndikimin në Europë.
MARRËDHËNIET MODERNE (2000-2024)
Në fillim të shekullit të 21-të, Kina filloi të shfaqte interes më të madh për Ballkanin, duke parë rajonin sërish si një portë strategjike për në Evropë.
Investimet kineze në Shqipëri kanë përfshirë ndër vite projekte të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve, porteve dhe hekurudhave. Një nga projektet më të rëndësishme ishte ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, e cila lidh Shqipërinë me Kosovën dhe më tej me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Një tjertër fokus thotë Gjokutaj, ishte tregtia.
“Marrëdhëniet tregtare kanë një ekspansion. Edhe vetë bizneset shqiptare marrin lëndë të parë nga Kina, sidomos për shërbimet tekstile.“
Vitet e fundit janë karakterizuar nga marrëdhënie korrekte politike, ku bie në sy se Shqipëria ka mbajtur një politikë të balancuar duke ruajtur marrëdhënie të forta me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Ndërsa investimet kineze kanë sjellë përfitime ekonomike të konsiderueshme, ato gjithashtu kanë ngritur pyetje rreth transparencës dhe qëndrueshmërisë së projekteve.
“Natyrshëm që ka hapësira për më shumë bashkëpunim, por kjo kërkon kujdes sepse mund të bjerë ndesh me politikat dhe qasdjet strategjijke të Shqipërisë. Mund të konsideorhen të dëmshme nga aletatët perëndimorë, thotë Gjokutaj.
Për Kalemajn, Shqipëria është treguar e kujdesshme pasi “investimet kineze janë shtruar më shumë në vende të tjera të Ballkanit, sic është rasti i Serbisë dhe Beogradit.
Ndërsa për Bytycin, “Shqipëria duhet të ketë kujdes që të ndërtojë marrëdhëniet bazuar në interesin e kombit, sidomos në një kohë, kur marrëdhëniet ekonomike, kanë marrë qasje të reja.
Perspektivat për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë janë të ndërlidhura ngushtë me zhvillimet globale dhe rajonale. Ndërsa Kina vazhdon të zgjerojë ndikimin e saj ekonomik dhe politik në Ballkan, Shqipëria do të duhet të gjejë mënyra për të maksimizuar përfitimet nga ky bashkëpunim por duke ruajtur një politikë të jashtme të balancuar.
*Autorja eshte gazetare ne Shqiperi
Albania
Veshjet e Gabit dalin nga moda, bien importet
Nga një treg që në vitet 2015-2016 gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, në pesë vitet e fundit, importet e veshjeve të përdorura nuk arrijnë më shumë se 10 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë tkurrje të këtij tregu ndër vite, pavarësisht se në terren vërehet shtim i dyqaneve të vogla për veshje të përdorura. Në periudhën janar-gusht 2025, sasia e importit të veshjeve të përdorura arriti rreth 4,630 tonë, duke shënuar rënie me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në terma vlerash, importet për janar-gusht 2025 ishin 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se në janar-gusht 2024.
Në vitin 2020, importet e veshjeve të përdorura ranë në vlerën më të ulët për periudhën 2020-2024, në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë Covid-19. Pas këtij viti, importet u rritën dhe në 2021 arritën në 10.5 milionë euro, ose 22% më shumë se në 2020. Megjithatë, tendenca në vitet pasuese ishte në rënie, dhe në 2024 vlera e importeve u ul sërish në 8.6 milionë euro, apo 7% më pak krahasuar me 2023.
Në Tiranë, janë të shumta dyqanet që tregtojnë veshje të përdorura, të njohura ndryshe si “veshjet e Gabit”. Ky treg ka pësuar transformim vitet e fundit duke kaluar nga tregtimi në tezgë në tregtimin në ambiente dyqanesh ku produktet ekspozohen më mirë.
Shtimi i dyqaneve të vogla është nxitur nga leverdishmëria e biznesit, ku veshjet e kategorisë së parë ose “të dorës së parë” blihen me çmime prej rreth 1,000 lekësh për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë, me çmime nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Çdo copë tregtohet në pakicë me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, njohëse e tregtimit të veshjeve të përdorura, e pranishme në treg prej 15 vitesh me dyqan në Tiranë, thotë se një tjetër arsye e rritjes së numrit të dyqaneve është se ky biznes kërkon investim fillestar relativisht të ulët, nga 100 deri në 200 mijë lekë për ngritjen e tezgave dhe furnizimin me mall.
Ajo e lidh me dy faktorë kryesorë tkurrjen e kërkesës për këto veshje: cilësinë e ulët të mallrave në dengjet për tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato, si dhe rritjen e blerjeve online, sidomos nga vajzat e reja.
“Në furnizimet e dengjeve që bëjmë, gjejmë gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë nxitnin njerëzit të blinin veshje të përdorura. Për shembull, në një deng mund të ketë vetëm 1-2 copë veshje markash të shtrenjta. Xhupat po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen firmato, ndërsa markat kryesore nuk parapëlqehen për veshjet e përdorura. Në furnizimet tona nuk kemi xhupa firmato, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë shumë. Në përgjithësi, kërkesa për veshje të përdorura është ulur, pasi vajzat e reja zgjedhin të blejnë online. Kategoria që blen më shumë veshje të përdorura janë gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke”, shpjegon Zamira.
Monitor
Albania
Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari
Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet gjithashtu me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj.
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag.
Konkretisht, nga janari 2026, çdo i punësuar me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.
Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura nga paga mujore. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë do të rritet në rreth 17,709 lekë në muaj, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh çdo muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.
Në terma praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë si për punonjësit ashtu edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë gjithashtu më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës.
Sipas relacionit të projektbuxhetit dhe të dhënave të administratës tatimore, kjo politikë do të sjellë rreth 9 miliardë lekë të ardhura shtesë për arkën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku 7.6 miliardë lekë pritet të vijnë nga sigurimet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga sigurimet shëndetësore.
Për vitin 2026, të ardhurat totale nga kontributet janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.
Megjithatë, për mijëra të punësuar me paga mbi 176 mijë lekë, ky ndryshim nuk përkthehet në përmirësim të të ardhurave, por në një ulje të drejtpërdrejtë të pagës neto.
Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale shndërrohet në një barrë shtesë fiskale për një segment të konsiderueshëm të forcës së punës, duke rritur koston e punës për bizneset dhe duke reduktuar të ardhurat mujore reale të punonjësve me paga mesatare dhe të larta, që nga muaji janar 2026.
Ekofin.al
Albania
Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin
Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.
Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.
Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.
Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.
Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.
Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.
“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.
Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike. MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania7 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK7 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
