Bota
Kongresi paralajmëroi përfundimin e fondeve për Ukrainën, Zelensky i drejtohet Senatit amerikan për të kërkuar ndihmë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet Senatit amerikan të martën, mes përpjekjeve intensive të Shtëpisë së Bardhë për të bindur Kongresin që të miratojë urgjentisht fondet shtesë që i duhen Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se presidenti Zelenskyy ishte ftuar të merrte pjesë virtualisht në një seancë konfidenciale në mënyrë që siç tha ai senatorët “të mund të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ai mbi rëndësinë” e projektligjit që parashikon miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën.
Drejtorja e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit të hënën se në fund të vitit, Shteteve të Bashkuara do t’u mbarojnë fondet për të dërguar armë dhe ndihma në Ukrainë.
Ajo shton se kjo do të thotë që Ukraina “nuk do të jetë më në gjendje të vazhdojë të luftojë’.
Në tetor, administrata e presidentit Joe Biden i kërkoi Kongresit të miratojë afro106 miliardë dollarë për të financuar planet ambicioze të Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare në Shtetet e Bashkuara.
Fondet për Ukrainën janë bërë temë debati politik, pasi disa ligjvënës republikanë në Kongresin e kontrolluar me një epërsi të lehtë nga partia e tyre, janë kundër ndihmave për Ukrainën.
Megjithatë, zonja Young shprehet në letrën e bërë publike lnga Shtëpia e Bardhë se ndërprerja e fondeve dhe dërgimit të armëve për Ukrainën do të shkonte në avantazh të Rusisë në fushën e betejës.
“Dua të jem e qartë: nëse Kongresi nuk vepron, deri në fund të vitit do të na mbarojmë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën, për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, shkruan zonja Young.
Ndërkohë përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së takohen të martën për të diskutuar për shanset e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.
Takimi shënon fillimin e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të vendeve anëtarë më 14-15 dhjetor, ku do të jepet një vlerësim për perspektivën e integrimit në BE për Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Bosnjën dhe vende të tjera.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërkuar që anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian të mos futet në programin e takimit të BE-së.
Në një letër që i dërgoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili do të kryesojë takimin në Bruksel, zoti Orban këmbënguli se fillimisht duhet të zhvillohet një “diskutim strategjik” për të ardhmen evropiane të Ukrainës dhe paralajmëroi se këmbëngulja për marrjen e një vendimi mund të shkatërrojë unitetin e BE-së.
Kryeministri Orban, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin në Evropë, thotë se Ukraina është “vite dritë larg” anëtarësimit në BE.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që “të shmangin këtë skenar kundërproduktiv për hir të unitetit, vlera jonë më e rëndësishme”.
Ai nuk tha shprehimisht se Hungaria do të vërë veton ndaj një lëvizjeje të mundshme për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, por një mundësi e tillë ishte e nënkuptuar.
Vendimet në lidhje me anëtarësimin në BE dhe buxhetin afatgjatë të BE-së, i cili përfshin 54.1 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, mund të merren vetëm me konsensus nga 27 vendet anëtare.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit shkatërruan ose frenuan të paktën 35 dronë ukrainas.
Ministria tha në platformën Telegram se parandaloi sulmet ukrainase ndaj Gadishullit të Krimesë dhe në Detin Azov.
Ushtria e Ukrainës tha të martën se Rusia ndërmori sulme gjatë natës me 17 drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe se mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 10 prej tyre.
Ushtria tha gjithashtu se Rusia lëshoi gjashtë raketa që kishin si objektiv rajonet Donetsk dhe Kherson.
Disa informacione për këtë artikull janë nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Bota
Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit
Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) në rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.
Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.
Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si “gënjeshtra tipike ruse”, që synonin t’i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev.
“Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme” tha Zelensky në X.
Në një deklaratë të ndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të 91 dronët që ai pretendoi se u nisën në rezidencën e Putinit u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Ai shtoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale si pasojë e sulmit.
“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë terrorizmi shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, tha ai, teksa shtoi se Rusia nuk kishte ndërmend të dilte nga procesi i negociatave me SHBA-në
Pretendimi nga Moska vjen pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan të rishikuar paqeje për t’i dhënë fund luftës.
Bota
Trump kërcënon Iranin: Do të na duhet t’i shkatërrojmë nëse rindërtojnë programin e raketave
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi të hënën se do të mbështesë një sulm tjetër kundër Iranit nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë programin e tij të raketave balistike.
“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtojë përsëri fuqinë e tij dhe, nëse po, do të na duhet t’i rrëzojmë”, tha Trump përpara se të takohej me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Do t’i rrëzojmë. Do t’i shkatërrojmë plotësisht”, theksoi ai.
Trump shtoi se do të mbështeste një sulm ndaj Iranit menjëherë nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë aftësinë e tij bërthamore, duke e këshilluar vendin që në vend të kësaj të kërkojë një marrëveshje me SHBA-në.
“Kjo është më e zgjuar. Ata mund të kishin bërë një marrëveshje herën e fundit përpara se ne të kalonim, e dini, një sulm të madh ndaj tyre”, theksoi ai.
SHBA-të më herët këtë vit bombarduan tre objekte bërthamore në Iran, në një sulm që Trump e ka cilësuar që atëherë si një sukses të madh ushtarak. Netanyahu në javët e fundit ka paralajmëruar se Irani po zgjeron përsëri programin e tij të raketave balistike.
Bota
U sulmua nga një peshkaqen, gjendet trupi i pajetë i atletes amerikane
Një atlete 55-vjeçare e disiplinës triatlon, ka humbur jetë në një sulm të tmerrshëm nga një peshkaqen në brigjet e Kalifornisë.
Siç raporton New York Post, Erica Fox ishte zhdukur që nga java e kaluar kur, sipas dëshmitarëve, ajo u pa duke notuar në brigjet e Pacific Grove, në Monterey Bay, kur një peshkaqen e sulmoi.
Që atëherë, atletja ishte shpallur e zhdukur nga autoritetet lokale pasi trupi i saj nuk ishte gjetur.
Në fakt, dëshmitarët okularë raportuan se kishin parë një peshkaqen me një trup njeriu në gojë të dilte nga uji dhe pastaj të fundosej përsëri.
Sot, frika e të gjithëve u konfirmua pasi, pas disa ditësh kërkimesh, mbetjet e gruas 55-vjeçare u gjetën në breg, pranë vendit ku ajo u sulmua për vdekje. Konkretisht, trupi u gjet në plazhin Davenport në Santa Cruz, rreth 15 kilometra nga vendi i ngjarjes.
Trupi i Fox u identifikua nga babai i saj. Edhe pse Zyra e Sherifit lokal tha se ende nuk e ka identifikuar zyrtarisht trupin, afërsia e dy vendeve sugjeron se është i atletes.
Megjithatë, për shkak të natyrës së zhdukjes së Fox, Zyrat e Sherifit të Qarkut Santa Cruz dhe Monterey, së bashku me Departamentin e Policisë së Pacific Grove, po hetojnë ende rastin.
Fox po stërvitej me të tjerë, duke notuar në grupe në vend si pjesë e stërvitjes së tyre të përditshme. Midis shokëve të saj të ekipit ishte edhe bashkëshorti i saj prej 30 vitesh, Jean-François Vanreuzel.
Tragjedia ndodhi më 23 dhjetor, kur grupi u njoftua nga një pronar varke që po kalonte se një peshkaqen ishte parë rreth 100 metra larg, dhe autoritetet ngritën alarmin dhe mbyllën plazhin.
Ekipi më pas u drejtua për në breg dhe zbuluan se Fox nuk ishte e pranishme.
“Thjesht u ndjeva e mpirë. Shpresoja që ndoshta ajo doli nga uji dhe pastaj vendosi të kthehej në këmbë”, tha shoqja e ekipit Sharon Carey.
Autoritetet u njoftuan menjëherë dhe një operacion kërkimi nisi menjëherë pas kësaj për të gjetur Fox.
Pas rreth 15 orësh kërkimi në ujë me anije, helikopterë dhe zhytës, operacioni u ndërpre. Zyra e Sherifit të Monterey-t dhe një ekip vullnetarësh vazhduan kërkimin, i cili përfundoi më herët në mënyrën më tragjike.
Megjithatë, Zyra e Sherifit të Qarkut Monterey, së bashku me ekipet e pavarura të kërkimit Bedrock Ocean Exploration dhe Angel’s Recovery Dive Team, vazhduan kërkimin edhe pas përfundimit zyrtar.
Fox ka garuar në dy gara Ironman dhe në evente të ndryshme të tjera për 20 vjet. Miqtë dhe familja e përshkruan atë si një “person jashtëzakonisht të lumtur, të gjallë, qesharak dhe të sjellshëm” e cila ishte e njohur mirë me rreziqet e oqeanit të hapur. Kohët e fundit ajo kishte marrë pjesë në një Seminar për Peshkaqenin e Madh të Bardhë për të mësuar më shumë rreth grabitqarit kryesor të oqeanit.
Në vitin 2013, ajo ndau një foto në Facebook të një peshkaqeni që notonte përkrah një zhytësi. “Kjo është kafsha më e rrezikshme në planet dhe një peshkaqen po noton qetësisht pranë saj”, shkruante ajo në postim.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports24 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania6 hours agoEmigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban
