Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës. Albright vdiq më 23 mars në moshën 84-vjeçare, njoftoi familja e saj. Ajo kishte thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë “në emër të lirisë”. Ish-presidenti Bill Clinton, që e kishte emëruar Albrightin në postin e sekretares, tha se bota ka humbur shumë me vdekjen e saj. Albright ishte gruaja e parë që u emërua në postin e Sekretarit të Shtetit.
Trego më pak
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një takimi me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova më 10 dhjetor 1998. Ky takim u mbajt në Francë, ku Albright ishte takuar ehde me presidentin e atëhershëm të Francës, Jacques Chirac, me të cilin kishte biseduar për përpjekjet e udhëhequra nga NATO për arritjen e paqes në Kosovë.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, së bashku me ministrin e atëhershëm rus, Igor Ivanov, gjatë një ceremonie të mbajtur më 26 janar 1999 në Rusi. Gjatë kësaj vizite në Rusi, Albright kishte diskutuar me homologët e saj rusë për një sërë çështjes, përfshirë edhe situatën në Kosovë.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, së bashku me të dërguarin e atëhershëm të SHBA-së, Christopher Hill, ndërmjetësojnë takimin ndërmjet liderit të atëhershëm të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesve të delegacionit serb të përbërë nga Ratko Markoviq dhe Nikolla Shainoviq. Ky ishte takimi i parë kokë më kokë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Takimi u mbajt më 14 shkurt 1999 në Kështjellën e Rambujesë në Francë dhe erdhi pas ngecjeve në bisedimet e paqes.
Takimi i 14 shkurtit të vitit 1999 i kryesuar nga ish-sekretarja Madeleine Albright. Në këtë takim, në Rambuje, u takuan delegacioni i Kosovës dhe Serbisë. Grupi i Kontaktit, i fuqive botërore, kishte urdhëruar negociatorët që të arrinin një marrëveshje të paqes brenda javës ose do të përballeshin me sulme ajrore.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një paraqitjeje për gazetarët nga Ramubjeja më 14 shkurt 1999. Ajo i dha ultimatum Kosovës dhe Serbisë që të arrinin një marrëveshje të paqes, pasi për disa javë bisedimet e paqes kishin ngecur.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, së bashku me homologët e saj francezë dhe gjermanë, gjatë një konference pas takimit të fundit të Grupit të Kontaktit në Rambuje, më 20 shkurt 1999. Fuqitë botërore, që përbënin këtë grup kontakti, kishin vendosur afat për Kosovën dhe Serbinë që të arrinin një marrëveshje të paqes.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një prononcimi për media nga Rambuje më 21 shkurt 1999. Në këtë adresim, ajo kishte fajësuar serbët për mungesën e progresit në bisedime, pasi Beogradi kishte refuzuar praninë e paqeruajtësve të NATO-s në terren.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, duke shkuar në një rund bisedimesh midis serbëve dhe shqiptarëve që u mbajt më 23 shkurt në Rambuje të Francës.
Konferenca e fundit e përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit në bisedimet për Kosovën që u mbajt në Rambuje më 23 shkurt 1999. Përfaqësuesit ndërkombëtarë thanë se është arritur marrëveshje për një autonomi substanciale për Kosovën, pas bisedimeve midis përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një konference në Uashington më 22 mars 1999 tha se është e qartë se “koha po mbaron” për presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, teksa e kishte paralajmëruar se në të kundërtën do të përballej me sulmet ajrore të NATO-s.
Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, gjatë një takimi me këshilltarët e politikës së jashtme dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në Zyrën Ovale më 25 mars 1999, takim në të cilin u diskutua për bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja.
Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, gjatë një takimi me këshilltarët e politikës së jashtme dhe ish-sekretaren, Madeleine Albright, në Zyrën Ovale më 25 mars 1999, takim në të cilin u diskutua për bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një takimi me ish-sekretarin e Jashtëm britanik, Robin Cook. Të dy morën pjesë në një takim urgjent të NATO-s në Bruksel që u mbajt më 12 prill 1999. Të 19 ministrat e NATO-s kishin biseduar për planin e tyre ushtarak dhe politik, por edhe humanitar për krizën në Kosovë.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, duke dhënë dëshmi më 20 prill 1999 para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan lidhur me luftën në Kosovë. Një ditë para kësaj dëshmie, NATO kishte bombardua Jugosllavinë, por nuk kishte mundur që të ndihmonte qindra-mijëra shqiptarë, që kishin ikur nga shtëpitë e tyre dhe ishin fshehur në male.