Armëpushimi i Krishtlindjes së vitit 1914, ishte një armëpushim jozyrtar dhe i improvizuar, që ndodhi përgjatë Frontit Perëndimor në Luftën e Parë Botërore. Pauza midis luftimeve nuk kishte bekimin e komandantëve madhorë në të dyja palët.
Por përgjatë pjesës më të madhe të frontit prej 48 km të kontrolluar nga Forca Ekspedicionale Britanike, armët heshtën për një kohë të shkurtër.
Vendet e Evropës, shkuan në luftë në verën e vitit 1914, me entuziazëm dhe besim se konflikti do të mbaronte maksimumi deri për Krishtlindjet e atij viti. Megjithatë, brenda disa muajsh, qindra mijëra ushtarë ishin vrarë në luftime e ashpra. Përparimi i gjermanëve u frenua në Marnë, ndërsa një fronti i ri lufte midis Gjermanisë dhe Aleatëve ishte hapur në Ipre. Rezultati ishte një front i përgjakshëm, që shtrihej nga kufiri zviceran deri në Detin e Veriut.
Nga dhjetori i vitit 1914 kishte nisur lufta e transheve, dhe javët e shumta me shira të dendur, i kishin shndërruar llogoret më moçale të akullta. Për ushtarët në Frontin Perëndimor, jeta e përditshme ishte e mjerueshme. Dhe ky mjerim ndahej nga armiqtë që në disa pika të frontit ndodheshin vetëm rreth 46 metra larg.
Në fillim të dhjetorit, pati një përpjekje për të siguruar një armëpushim zyrtar për pushimet e Krishtlindjes. Papa Benedikti XV, ishte ngjitur në krye të Vatikanit vetëm një muaj pas shpërthimit të luftës. Më 7 dhjetor, ai u bëri thirrje udhëheqësve të Evropës “që armët të heshtnin të paktën natën që këndonin engjëjt”.
Shpresa e Benediktit ishte që një armëpushim, t’i jepte mundësi fuqive ndërluftuese që të negocionin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Por për këtë, pati shumë pak interes nga udhëheqësit e të dyja palëve. Gjithsesi kjo nuk i pengoi ushtarët në front që të merrnin vetë nismën.
Perandori gjermanVilhelmi II, kontribuoi në atmosferën e festave kur dërgoi në front Tannenbäume (pemët e Krishtlindjeve), në një përpjekje për të forcuar moralin e ushtarëve gjermanë. Më 23 dhjetor, këta të fundit filluan t’i vendosnin pemët jashtë llogoreve të tyre. Ata kënduan himne të tilla si “Stille Nacht” (Nata e Heshtur). Befas nga llogoret e kundërshtarëve, iu përgjigjën me këngët e tyre të Krishtlindjeve. Ndërsa kishte relativisht pak trupa britanike që flisnin gjermanisht, shumë gjermanë kishin punuar në Britani para luftës, dhe kjo përvojë e lehtësoi komunikimin midis dy grupeve.
Në veçanti, ishin saksonët ata që u motivuan të nisnin dialogun me britanikët. Ushtarët e të dyja palëve, i konsideronin saksonët njerëz të dashur dhe të besueshëm. Armëpushimi i Krishtlindjeve pati sukses më të madh, pikërisht në zonat ku trupat britanike u përballën me regjimentet saksone.
Armëpushimi nuk u miratua gjerësisht në zonat e frontit të kontrolluara nga francezët. Ushtarët gjermanë e kishin kaluar vitin 1914 duke pushtuar një pjesë të madhe të territorit francez, dhe mëria ndaj pushtuesve ishte shumë i fortë. Ndërkohë, nuk pati një armëpushim ekuivalent në Frontin Lindor, pasi Rusia përdorte kalendarin Julian, dhe Krishtlindjet Ortodokse Ruse kremtoheshin në fillim të Janarit. Në prag të Krishtlindjes, disa oficerë britanikë të rangut të ulët britanik, nisën të urdhëronin njerëzit e tyre të mos qëllonin armikun nëse ai nuk qëllonte.
Kjo politikë u bë e njohur si qasja “jeto dhe lëri të jetojnë”, dhe do të përdorej herë pas herë gjatë gjithë luftës, sidomos në sektorë më pak aktivë të luftës. Vendimi i oficerëve u mor pa asnjë autorizim nga lart, dhe armëpushimi i paqartë filloi të zgjerohej dalëngadalë filloi. Në mëngjesin e ditës së Krishtlindjes, ushtarët gjermanë dolën nga llogoret e tyre, duke tundur krahët për t’i treguar kundërshtarëve se nuk kishin asnjë qëllim të keq. Kur u bë e qartë se ata nuk mbanin armë, ushtarët britanikë u bashkuan me ta në “Tokën e Askujt” për të biseduar dhe shkëmbyer dhurata. Censura nuk ishte vendosur ende për letrat që dërgoheshin në shtëpi. Ushtarët britanikë shkruanin në to se luajtën futboll, dhe ndanë ushqim dhe pije me burrat që deri një ditë më parë kishin qenë armiqtë e tyre. Ato rrëfime, nxirrin në pah faktin, se vetë burrat mezi i besonin ngjarjeve të jashtëzakonshme që po ndodhnin rreth tyre, dhe se ata e kuptuan domethënien e tyre unike dhe historike.
Ndërkohë si rezultat i zbatimit jo universal të armëpushimit pati disa viktima. Madje edhe midis njësive që dëshmuan armëpushimin, jo të gjithë burrat e miratuan vendimin. Adolf Hitleri e kritikoi ashpër sjelljen e njerëzve në regjimentin e tij, që kishin vendosur të bashkoheshin me Britanikët në “Token e Askujt”.
“Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë në kohë lufte. A nuk keni sadopak ndjenjën gjermane të nderit?”- u bërtiti ai. Në ditët pas Krishtlindjes, dhuna në Frontin Perëndimor u rikthye, edhe pse në disa zona armëpushimi vazhdoi deri pas Ditës së Vitit të Ri. Ndërsa armëpushimi nuk mund të kishte sukses pa miratimin e oficerëve të rinj në të dy palët, gjeneralët britanikë dhe gjermanë ndërmorën shpejt hapa për të parandaluar ndonjë episod të mëtejshëm të vëllazërimit midis ushtarëve të tyre.
Në atë kohë nuk pati gjyqe ushtarake, apo ndëshkime të lidhura me ngjarjet e Armëpushimit të Krishtlindjeve. Gjithsesi më vonë nuk pati më armëpushime të këtij lloji, deri në armëpushimin e nëntorit 1918, që i dha fund asaj lufte./