Kuvend/ Miratohen ligjet për kanabisin për qëllime mjekësore dhe studimet në Mjekësi! Kalon edhe ligji për Akademinë e Shkencave

albnews
By
5 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Në një seancë maratonë që zgjati deri pas mesnate të së enjtes, Kuvendi ka miratuar tre ligjet e shumë diskutuara, atë për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ligjin për studimet në Mjekësi dhe ndryshimet në ligjin e Akademisë së Shkencave.

Ligji për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore u miratuar me 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenim, ndërsa 39 deputetët nuk votuan.

Pro ligjit për studimet në Mjekësi votuan 73 deputetë, teksa 23 u shprehën kundër, ndërsa 40 nuk kanë votuar. Ndryshimet në Ligjin e Akademisë së Shkenca kaluan me 70 pro, 23 kundër, 2 abstenim dhe 39 deputetë nuk votuan.

Seanca e djeshme parlamentare, e fundit për këtë sesion, u shoqërua me debate të forta mes opozitës dhe maxhorancës. Që në nisje të saj u regjistruan tensione, pasi opozita nuk lejoi vijimin e rendit të ditës, duke kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama dhe mocion me debat. Pas disa orë diskutimesh, kërkesat e tyre u hodhën poshtë me votim në Kuvend. Po ashtu, opozita kundërshtoi edhe të tre ligjet, duke i konsideruar si të iniciuar nga grupet klienteliste.

Ndërkohë, seanca e djeshme u shoqërua edhe me protestë nga studentët e mjekësisë, të cilët kundërshtuan ligjin. Ata bën kërkesë edhe për të qenë në pranishëm në seancë, në mënyrë që të dëgjohen argumentet e tyre, por kërkesa e tyre nuk u pranua.

Çfarë përmbajnë ligjet

Ligji për studimet në Mjekësi

Sipas këtij ligji, maturantët që fitojnë të drejtën për t’u regjistruar për mjekësi, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Mjekësisë, ku do të pranojnë që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare, për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Për pjesën tjetër, ata që e kanë nisur universitetin dhe ata që janë në përfundim, ka dy alternativa. Ata që janë nga viti i dytë deri në vitin e katërt duhet të qëndrojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Nëse nuk do të duan që të qëndrojnë, alternativa tjetër është që të paguajnë koston e plotë të studimeve për vitet e studimit që i kanë mbetur.

Ligji për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore

Ky ligj përcakton kuadrin rregullator për mënyrën se si do iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas ligjit, detyrohet edhe ngritja e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit. Kjo Agjenci është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni i fundit i kanabisit. Në ligj janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara. Parashikohet edhe ngritja e regjistrit të posaçëm të subjekteve të licencuara dhe të lejuara.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar. Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.

Licenca jepet për një periudhë 15-vjeçare. Në raste shkeljesh, gjobat janë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë, ku kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë apo rreth 960 mijë euro.

Ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave

Sipas ndryshimeve të bërë në ligjin për Akademinë e Shkencave, kryetarit i lejohet një mandat i dytë dhe i hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç

Aktualisht Akademia e Shkencave, drejtohet nga Skënder Gjinushi. Mandati 4-vjeçar i Gjinushit ka përfunduar dhe ligji i ri i jep të drejtën që të rikandidojë për një mandat të dytë 4-vjeçar radhazi.

Share This Article