Nëse vazhdon trendi i deritashëm i futjes së lumenjve nëpër gypa, mjedisi mund të mbesë pa rrjedhë të ujit. Kjo ndodh në emër të prodhimit të energjisë së ripërtërishme e në dëm të ekosistemit, meqë po lejohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla pa u përfillur legjislacioni për mbrojtje të mjedisit.
Operimi i 14 hidrocentraleve të vogla dhe 21 të tjerave që janë në fazën e ndryshme të procesimit, pa analizë të mirëfilltë ujore dhe mjedisore përveç dëmtimit të ekosistemeve dhe biodiversitetit, po e rrezikon edhe rendimentin bujqësor, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas organizatave të shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve të mjedisit, institucionet janë duke shkaktuar “krim mjedisor”, duke lëshuar licenca dhe autorizime për ndërtim dhe operim të këtyre hidrocentraleve.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit, si dhe mekanizmat e tjerë kanë dështuar që të sigurojnë se projektet respektojnë standarde mjedisore dhe obligimet ligjore që kanë.
Kompanitë në shumicën e rasteve kanë abuzuar me licencat dhe nuk kanë respektuar kontratat. Kjo ka hasur në kundërshtim të banorëve, të cilët përmes protestave të shumta janë munduar që të kundërshtojnë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.
“Luftë” kundër futjes së lumit në gypa
Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës kanë frikë se lumi Lepenc që kalon pranë shtëpive të tyre do të mbetet pa ujë.
Ata pa dallim etnie, që nga viti 2015 vazhdimisht kanë protestuar për mbrojtjen nga veprimet e dëmshme ndaj resurseve ujore (lumenjve) në pellgun e lumit Lepenc, respektivisht devijimin e ujërave që rezulton në mungesë të tij për nevoja të bujqësisë.
Protesta të tilla ka pasur edhe ditëve të fundit, pranë lumit në pjesën ku kompania “Matkos grup” ka filluar ndërtimin e hidrocentralit rreth 5 vjetëve më parë. Ky është hidrocentrali i 4-t që po ndërtohet nga kjo kompani në atë zonë. Nga punimet e zhvilluara në atë zonë përveç shtratit të lumit është dëmtuar edhe bregu i tij, ku janë prerë disa lisa.
Rrjedha e lumit ka filluar të ndryshojë, e bashkë me të të pakohet edhe niveli i ujit.