Fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi dhe kryeministrja e tanishme e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, i ka mbrojtur veprimet e qeverisë së saj kundër akuzave për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ajo tha se këto akuza janë pamje mashtruese e gjendjes në rajonin Rakhine.
Duke folur para një paneli prej 17 gjykatësve nga pjesë të ndryshme të botës, liderja 74-vjeçare i mohori raportimet për dhunë shtetërore kundër myslimanëve të komunitetit Rohingya, ndërsa fajin për shpërthimin e konfliktit ua hodhi separatistëve.
Dikur e vlerësuar si kampione për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Suu Kyi tashmë po e udhëheq delegacionin e Birmanisë në gjykatën e Hagës. Ajo deklaroi se shteti ka marrë masa kundër një kryengritjeje terroriste brenda kufijve të vet.
Sipas saj, përleshja e armatosur është nxitur dhe ka filluar nga anëtarët e grupit “Ushtria Shpëtimtare e Arakanit”, kur sulmet e para kishin nisur në fund të vitit 2016. Kështu, ajo tha se forcat birmaneze të sigurisë ishin të detyruara t’i kundërpërgjigjen kësaj dhune.
Ndryshe, rreth 700 mijë pjesëtarë të komunitetit Rohingya u detyruan të zhvendosen nga Birmania drejt Bangladeshit në tre vjetët e fundit për shkak të spastrimit etnik të udhëhequr nga ushtria birmaneze.
Një mision i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e situatës në terren kishte arritur në përfundim se trajtimi i këtij komunitetit nga ushtria ka qenë brutal dhe kishte paralajmëruar se Birmania po dështon ta parandalojë gjenocidin, shkruan “The Guardian”.