Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, partia e së cilit në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës arriti të sigurojë tre deputetë, të enjten, ka deklaruar se me AAK-në janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë.
“Duhet ta kuptojmë se ne jemi dy parti politike. Nuk e kemi të domosdoshme të votojmë njëjtë për çështje të ndryshme”, tha ai në një intervistë për RTV Dukagjini, duke lënë të hapur mundësinë që deputetët e Nismës Socialdemokrate mund të votojnë për formimin e qeverisë së ardhshme, në krye me Albin Kurti.
I pyetur se a ka vija të kuqe me ndonjërën nga partitë politike kryesore në vend, Limaj ka potencuar se në kontekstin e çështjeve nacionale, ai është i gatshëm të ulet në tavolinë me çdo parti.
“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna, për tema nacionale”, ka shtuar ai.
Gjatë intervistës, Limaj, ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve, meqë në vlerësimin e tij vendi ka nevojë urgjente për një qeverisje stabile, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe rajonale.
“Rreth Kosovës janë duke ndodhur zhvillime të mëdha, bota po ndryshon më të madhe. Më shumë se kurrë Kosova ka nevojë me pas qeverisje. Po e shihini administratën e re në Amerikë, po e shihni çka po ndodh në Ukrainë. Kjo dinamikë rajonale, botërore, aleatët tanë sot janë në një situatë të rëndë”, ka shtuar ai.
Ai ka përsëritur se për tema nacionale është i gatshëm të ndihmojë çdo kryeministri, përfshirë edhe Albin Kurtin.
“Unë jam i gatshëm të ndihmojë kryeministrit tim që i shërben vendit”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të enjten ka përditësuar rezultatet preliminare të partive politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve, që gjithsej janë 2 mijë e 533.
Bazuar në rezultatet e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342 mijë e 281 vota apo 40.80 për qind, Partia Demokratike ka marrë 184 mijë e 811 apo 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 147 mijë e 888 apo 17.63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 62 mijë e 588 apo 7.46 për qind.
Në këto rezultatet s’janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.