Kohët e fundit, televizioni britanik GB News publikoi një statistikë ku thuhej se 20% e shqiptarëve në Britani janë të arrestuar.
Së pari, është e rëndësishme të kuptohet se çfarë përfshihet në këto statistika të arrestimeve. GB News duket se ka përdorur një qasje manipulative duke përfshirë çdo lloj arrestimi.
Në vitet 2023-2024, legjislacioni britanik ndryshoi, duke kategorizuar emigrantët e paligjshëm si “thyes të ligjit”. Kjo do të thotë se shqiptarët që kërkojnë azil, në vend që të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare, konsiderohen automatikisht si pjesë e statistikave “kriminale”. Ky kategorizim, që synon demonizimin e emigrantëve, deformon realitetin dhe përdoret si një armë politike dhe mediatike.
Sipas të dhënave jozyrtare, ne Britani jetojne rreth 100,000-150,000 persona. Në krahasim me komunitete të tjera, të cilat numërojnë miliona banorë, shqiptarët janë një grup relativisht i vogël.
Një analogji e thjeshtë: Nëse në Shqipëri jetojnë vetëm 10 shtetas tajlandezë dhe 2 prej tyre janë në burg, statistikat do të tregojnë se 20% e tajlandezëve në Shqipëri janë kriminelë. A do të thotë kjo se tajlandezët janë problemi kryesor i krimit në Shqipëri? Sigurisht që jo. E njëjta logjikë vlen edhe për shqiptarët në Britani.
Kjo mënyrë manipulimi statistikash është një lojë e pistë mediatike, që synon të demonizojë komunitetin shqiptar dhe ta përdorë atë si “kokë turku” për probleme më të gjera sociale dhe ekonomike. Në vend që të trajtojnë shkaqet e vërteta të këtyre problemeve, disa media zgjedhin një objektiv të lehtë: emigrantët, dhe në këtë rast, shqiptarët.
Kjo nuk do të thotë se brenda komunitetit shqiptar nuk ka probleme. Si çdo grup tjetër, edhe shqiptarët kanë individë që shkelin ligjin. Por t’i paraqesësh ata si një problem të madh kriminal në një shoqëri me miliona njerëz është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme. Kjo lloj propagande ushqen ksenofobinë dhe rrezikon të nxisë ndasi dhe dhunë ndaj një grupi që ka kontribuar në mënyra të ndryshme në shoqërinë britanike.
Shqiptarët në Britani nuk janë vetëm statistika. Ata janë individë me histori, punë të ndershme dhe kontribute në shoqëri. Të reduktosh një komunitet të tërë në përqindje të manipuluara është një padrejtësi që duhet kundërshtuar me vendosmëri dhe të vërtetën në dorë. Në një botë ku media ka fuqinë të ndikojë perceptimin publik, është detyra e çdo qytetari të informuar të sfidojë lajmet e njëanshme dhe manipulimet.