India dhe Pakistani hyn në luftë me njëra-tjetrën, pasi Delhi goditi gjatë mbrëmjes ato që i quajti “nëntë kampe terroristësh“, duke nxitur kërcënime të ashpra për kundërpërgjigje nga Islamabadi.
Pakistani pretendoi se kishte rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë, ndërsa dënoi “aktin e luftës” nga India, duke u zotuar të hakmerret pasi raketat goditën Kashmirin e administruar nga Pakistani.
Të dyja palët shkëmbyen zjarr me artileri të rëndë përgjatë kufirit të tyre të kontestuar deri të mërkurën, ndërsa Pakistani raportoi 26 të vrarë nga granatimet indiane, dhe India raportoi 8 viktima.
Pas sulmeve të mbrëmjes ushtria indiane tha se “drejtësia është vënë në vend”, me Delhin që shtoi se veprimet e saj “kanë qenë të fokusuara, të matura dhe jo me natyrë përshkallëzuese”.
Por frika e një konflikti të plotë midis dy fuqive bërthamore është përshkallëzuar ndjeshëm në orët e fundit. India thotë se po sulmonte bazat e përdorura nga ata që i fajëson për një sulm në anën e Kashmirit të drejtuar prej tyre muajin e kaluar, e cila ishte masakra më e keqe ndaj civilëve në Indi që nga viti 2008.

“Asnjë objektiv civil, ekonomik apo ushtarak pakistanez nuk është goditur në sulmet me raketa”, pretendon pala indiane, por ky pohim është kundërshtuar ashpër nga zyrtarët pakistanezë.
Avionë luftarakë fluturuan me zhurmë në qiellin mbi territorin e Himalajeve këtë mëngjes dhe shpërthime u dëgjuan pranë ‘Vijës së Kontrollit’, me sulmin që zgjati 25 minuta.
“Drejtësia është vënë në vend”, shkroi në X ushtria indiane dhe “Jai Hind!!”, që përkthehet si “fitore për Indinë”.
Në orët që pasuan, ushtria indiane tha se Pakistani kishte “qëlluar me artileri” përtej vijave ndarëse në Kashmir në shenjë hakmarrjeje, duke e akuzuar Islamabadin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020.
“Pakistani shkeli përsëri Marrëveshjen e Armëpushimit duke qëlluar me artileri në Bhimber Gali në zonën Poonch-Rajauri, nga ana indiane”, tha ushtria indiane në një postim tjetër në X.

Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dënoi sulmet ajrore të së mërkurës dhe tha se “armiku mashtrues ka kryer sulme frikacake në pesë lokacione në Pakistan“.
Ai premtoi se vendi i tij do të hakmerret. “Pakistani ka të drejtën të japë një përgjigje të fuqishme ndaj këtij akti lufte të imponuar nga India dhe një përgjigje e fortë po jepet me të vërtetë”, tha Sharif.
“Raketat goditën gjashtë lokacione në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore Punjab, duke vrarë të paktën 26 persona, përfshirë gra dhe fëmijë”, tha zëdhënësi ushtarak i Pakistanit, gjenerallejtënant Ahmed Sharif.

Sharif tha se avionët luftarakë indianë dëmtuan gjithashtu infrastrukturën në një digë në Kashmirin e administruar nga Pakistani, duke e quajtur këtë një shkelje të normave ndërkombëtare.
Njëra prej raketave goditi Xhaminë Subhan në qytetin Bahawalpur të Punjabit, duke vrarë aty 13 persona, përfshirë një fëmijë, sipas mjekut Zohaib Ahmed, ndërsa 38 persona të tjerë u plagosën nga sulmet.