Albania
Maliq, banorët e fshatit Gollobordë protestojnë për mungesën e ujit të pijshëm
Qindra Banorë të fshatit Golloberdë në Maliq kanë protestuar për mungesën e ujit të pijshëm.
Ata kanë bllokuar rrugën duke kërkuar reagimin e bashkisë dhe qeverisë.
Ata thonë se qeveria duhet të reagojë pasi nuk mund të jetohet pa ujë.
”Jemi këtu për ujin e pijshëm, për jetën, nuk mund të jetohet pa ujë. Këta tallen me ne, qeveria duhet të reagojë pasi nuk jetohet pa ujë. Është protesta e dytë që bëjmë pasi nga e para nuk pati asnjë reagim. Duhet të reagohet menjëherë. Jemi në kohë pandemie dhe flasin për higjenë ne dkemi ujë të lahemi dhe të pijmë. Shkollat janë pa ujë, fëminët pa ujë. Të reagojë Bashkia dhe Qeveria”, shprehen banorët.
Albania
Korrupsioni gjuhësor si efekt anësor i korrupsionit politik
Kryeministri Edi Rama përdori termin “të hatashme” për të përshkruar akuzat që rëndojnë mbi drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI, Mirlinda Karçanaj, si dhe termin “destabilizim” për procesin elementar demokratik të kërkesës së llogarisë ndaj një qeverie që, siç po del, është përgjegjëse për vjedhjen dhe grabitjen sistemike të çdo leku nga taksat e qytetarëve që patën përgjegjësi të mirëadministronin.
Duke folur në monologun e tij të përjavshëm, të cilin e bën prej kohësh, me raste në prani të të ftuarve që në përgjithësi janë memecë, Rama nuk ngurroi të akuzojë median si “histerike” dhe akuzoi çdokënd që i kërkon llogari atij për një dëshirë perverse për shkatërrimin e vendit.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj,” deklaroi Rama, duke harruar një “sh” para fjalës “përdorim”.
Përdorimi i cilësorëve të gabuar për të përshkruar një situatë të caktuar nuk ka pse të na çudisë, pasi është një fenomen i njohur në politikë. Por përdorimi i tezës së “stabilitetit” si argument se pse atij nuk mund t’i kërkohet llogari për çfarë ka ndodhur është, ose kërcënim i llojit “unë e djeg Shqipërinë para se të iki”, ose një bllof. Me gjasa është kjo e dyta.
Jo, ndajfolja “e hatashme” nuk është e duhura për të përshkruar çfarë ka ndodhur. Është me konotacion shumë pozitiv. Kur, për shembull, një lojtar futbolli luan shumë mirë, ai thuhet se bëri një lojë “të hatashme”. Fjalori i gjuhës shqipe dallon fjalën “hatá”, që do të thotë katastrofë, me ndajfoljen “hatashëm”, e cila mbart kuptimin figuratin “e jashtëzakonshme”, “e mrekullueshme”, “e mahnitshme”.
Jo, Karçanaj nuk përballet me hetim për “përdorim” të fondeve publike, sepse fjala përdorim nuk mbart kurrfarë konotacioni negativ. Karçanaj akuzohet për manipulim të prokurimeve publike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Përdorimi i fjalëve në kuptimin e kundërt që bartin literalisht është në fakt, diçka e vjetër. Orwell është i famshëm për përdorimin e fjalëve në kuptim të kundërt në shoqëri totalitare, të tilla si Ministria e Dashurisë për Policinë Sekrete, apo siç në Shqipërinë e kohës së Komunizmit u bë filmi Dora e ngrohtë për të përshkruar Sigurimin.
Studiuesja Mary Beard gjurmon rrënjët e korruptimit të gjuhës si zgjatim të korrupsionit politik te historiani romak Taciti (Tacitus), gjuha e të cilit është pothuajse e papërkthyeshme si ajo e James Joyce dhe ku fjalët marrin kuptim të kundërt. Beard dyshon se Taciti e kishte qëllimisht përdorimin e gjuhës shumëkuptimëshe si një instrument për të përshkruar gjendjen e përgjithshme të korrupsionit të kohës kur jetoi. Dhe ai në çaste të caktuara bënte ndonjë koment domethënës për të ekspozuar të gjithë këtë. Për shembull, ai citon një udhëheqës brit gjatë luftërave me Romën, i cili thoshte se për romakët, masakrat dhe plaçkitjet nuk përshkruhen si të tilla, por përshkruhen përciptazi me fjalën “pushtet”, ose ushtrim pushteti. Ndërsa kur një vend shpartallohet në një mënyrë të tillë sa asgjë nuk pipëtin më, kjo përshkruhet me fjalën “paqëtim”. Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant thotë Taciti, që afërsisht do të thotë, ata e bëjnë vendin rrafsh dhe e quajnë këtë paqe.
Pak a shumë në kohën tonë në Shqipëri, ka politikanë që nuk e fshehin njëfarë krenarie kur përshkruhen si të korruptuar, por ndjehen fort të fyer kur përshkruhen thatë si “hajdutë”.
Në këtë kuptim, nuk mund të çuditemi që Rama përdor fjalën “të hatashme” për akuza të vjedhjes, grabitjes dhe pengmarrjes, si dhe përvetësimin mizor të parave të taksapaguesit të një vendi të varfër për të blerë jahte dhe për të bërë koleksione vere me vlerë miliona euro, ndërsa në spital nuk ka ilaçe.
Disa fjalë më të përshtatshme për të përshkruar grupin kriminal AKSHI janë: Rrëqethës, llahtar, drithërues, e tmerrshme, mizore, lebetitëse.
Reporter.al
Albania
BIRN: Balluku dhe Veliaj para drejtësisë, rekord i ri në luftën kundër korrupsionit në 2025
Data 10 shkurt e këtij viti nisi si një ditë e zakonshme, me socialistët që përgatiteshin për fushatën zgjedhore të 11 majit dhe opozitën që prezantonte zbulimin e saj të ri, Chris LaCivita, këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, si kartë suksesi për zgjedhjet.
Politikani Erion Veliaj, i cili gjerësisht konceptohej si një trashëgimtar potencial i pushtetit të Edi Ramës, ishte duke bërë atë për të cilën njihej më shumë. Në shumë kanale televizive dhe në faqe të ndryshme të medias sociale, ai u shfaq në “transmetim live” nga një kopsht në Yzberisht, duke kryer një inagurim dhe duke luajtur me fëmijët.
Por ndërsa Veliaj shfaqej në “transmetim live” nga Yzberishti, një numër i vogël gazetarësh të kronikës dinin se në fakt, Veliaj nuk ishte në Yzberisht. Ai gjendej në zyrën e tij, ku oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i komunikuan urdhërarrestin.
Veliaj u arrestua me akuzat e krijimit të një skeme për mbledhjen e ryshfeteve përkundrejt firmave të tij për leje ndërtimi dhe prokurime publike, “më shumë se një herë”, nga së paku pesë biznesmenë. Arrestimi i tij ishte i pari në harkun e një viti, ku Prokuroria e Posaçme shënoi rekorde të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Viti po mbyllet me dy telashe të tjera madhore për kryeministrin Edi Rama; marrja e pandehur e Belinda Ballukut, politikania e dytë më e fuqishme e vendit, si dhe goditja e një grupi të strukturuar kriminal në krye të manipulimit të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI – një institucion në varësi të kryeministrit që menaxhon infrastrukturën sensitive digjitale të vendit.
Paralelisht me vendosjen përballë drejtësisë të dy prej politikanëve më të fuqishëm të vendit në detyrë, goditje të njëpasnjëshme u shënuan ndaj strukturave të shumta të krimit të organizuar, shpesh të bëra njësh me strukturat e pushtetit politik dhe shtetëror, dhe me luftë, e cila me raste ngjau më shumë si përpëlitje, të pushtetit politik përballë drejtësisë.
Krahas kësaj, vendi përjetoi një rrëshqitje drejt politikës së emocioneve, e cila duket se u përdor si kundërpeshë ndaj tronditjes së një klase politike nga skandalet korruptive.
Përplasja me drejtësinë
Gjatë vitit 2025 u shënuan disa përplasje mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë, por më e madhja ndodhi në mesin e dhjetorit, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Prej 16 dhjetorit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të Ballukut po zvarritet pa afat nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa po fiton kohë, kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se shumica socialiste mund ta kundërshtojë kërkesën e SPAK me forcën e kartonëve.
Balluku akuzohet për manipulimin e prokurimeve publike në rendin e qindramiliona eurove. Ajo u akuzua fillimisht se kishte paracaktuar fituesin e tenderit për projektin kontrovers të tunelit të Llogarasë, i cili u ka kushtuar qytetarëve mbi 190 milionë euro, ndërsa procesi i parë i prokurimit, me oferta gati 50 milionë euro më të ulët, ishte anuluar me urdhër të zv/kryeministres.
Gjykata vendosi ta pezullojë nga detyra Ballukun, pasi provat e prokurorëve bënë të ditur përcaktimin e fituesve në projektet e kushtueshme të Unazës së re si dhe për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Përgjatë dy javëve që pasuan, sulmet e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë u bënë të përditshme dhe përfunduan me një fitore të pjesshme në Gjykatën Kushtetuese, shumica e anëtarëve të së cilës, miratuan kërkesën e tij për ngrirjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” që gjykata kishte caktuar për Ballukun.
Përgjatë ditëve që pasuan, Rama sulmoi drejtësinë çdo ditë ndërsa Gjykata Kushtetuese i dha një fitore të pjesshme, dhe me gjasa, shumë të përkohshme, duke pezulluar masën e gjykatës për pezullim dhe duke kaluar pretendimet e Ramës në seancë gjyqësore të caktuar për në janar.
Fitorja e vogël në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndihmoi dot kryeministrin, pasi vetëm pak ditë më vonë, më 16 dhjetor, SPAK kreu një goditje tjetër tronditëse: biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, u shpallën në kërkim, jo thjesht për akuzën tashmë të rëndomtë të manipulimit të prokurimeve publike, por për rrëmbim. Sipas provave të mbledhura nga SPAK, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili dyshohet se i ka ndihmuar këta të rrëmbejnë një biznesmen tjetër, me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga ankesat për rezultatet e disa tenderave të manipuluar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Përplasja e mazhorancës ndaj drejtësisë doli gjithashtu në pah në ditët e trazuara që pasuan arrestimin e Veliajt në shkurt të këtij viti.
Mbështetësit e Veliajt, më së shumti, punonjës të bashkisë, rrethuan Gjykatën e Posaçme në mënyrë kërcënuese në ditën kur gjykata shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për masë sigurie. Më vonë u mësua se, kur administrata e gjykatës i pati kërkuar masa mbrojtëse Policisë së Shtetit, kjo e fundit kishte dështuar t’i përgjigjej. Mbështetësit e Veliajt mbajtën qëndrim kërcënues ndaj automjeteve të prokurorisë kur këto dolën nga gjykata pas vendimit për masë sigurie arrest me burg për kryebashkiakun.
Nga qelia e paraburgimit, kryebashkiaku ndërmorri një sulm frontal kundër prokurorisë dhe gjykatës, duke cilësuar prokurorin e çështjes si “lunatik” dhe “pervers”. Sulmet e tij nga qelia nuk e ndihmuan shumë por ai mori edhe një akuzë shtesë për përdorim të paautorizuar të një celulari të marrë nga një roje për të komunikuar me mbështetësit jashtë, në koordinim të fushatës mediatike kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Nga jashtë burgut kryeministri Edi Rama u vu në vijën e parë, përmes shfrytëzimit të asimetrisë së informacionit të siguruar përmes kontrollit pa pyetje të shumicës dërrmuese të medias, për të ngritur pretendime faktualisht të pabaza, nga pretendimi se “Veliaj është arrestuar pa gjyq”, te sugjerimet se SPAK po sillet si “Sigurimi i Shtetit”.
Pakënaqësitë e Ramës ndaj drejtësisë u shpeshtuan gjatë muajve gusht e shtator, ku gjyqtarë dhe prokurorë u shënjestruan me batuta politike dhe individualisht për shkakun se vendimet e tyre nuk i pëlqenin kryeministrit.
Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve përmes praktikave “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”, Rama ndërmorri një sulm sistematik kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sugjeruar se këta të fundit janë “armiku”.
Në mënyrë shumë ironike, Rama theksoi gjatë sulmeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve “të mirën e përbashkët” të cilën supozohej se ai po e mbron ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, po i kundërvihen.
Gjyqtarët dhe prokurorët iu përgjigjën me ankesa përmes një shoqate që përfaqëson interesat e tyre, ndërsa vëzhguesit vunë re një lloj strategjie mes këtyre sulmeve, me qëllim final, gërryerjen e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë më në përgjithësi.
Korrupsioni sistemik
Lufta kundër korrupsionit nga ana e SPAK ishte gjatë këtij viti në brez të gjerë. Ndërsa vëmendja u përqendrua te “peshqit e mëdhenj” si Veliaj dhe Balluku, një numër i lartë drejtuesish të administratës publike u vunë gjithashtu nën akuza. Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi u morën të pandehur për korrupsion në maj. Meta gjendet në burg që nga tetori i vitit të kaluar.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI, u vendos në arrest shtëpie për shkelje të barazisë në tenderë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Jonaid Myzyri, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, u mor i pandehur në qershor.
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai u mor i pandehur në shtator, ndërsa në qershor, gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar u morën të pandehur për një nga tenderët e Unazës së Madhe. Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi u akuzua nga SPAK se kishte përdorur pushtetin shtetëror për të shantazhuar një votues, mbështetës të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla u dënua në shkallë të parë për korrupsion zgjedhor. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Memolla vijon të jetë kryetar.
Rrjedhja e vendimit të gjykatës për masën e sigurisë kundër Agasit dërgoi një valë drithërimash te publiku i gjerë, përfshirë mediat proqeveritare, të cilat e patën të vështirë të mos tronditeshin. Sipas asaj që është dokumentuar nga prokurorët, Agasi ka përgjuar veten dhe zyrtarë të ndryshëm socialistë që e kanë vizituar, duke dokumentuar incidentalisht në këtë mënyrë planin e tij për rrëmbimin e një biznesmeni.
Gjuha banale dhe lehtësia me të cilën Agasi i jepte të drejtë vetes të lëshonte kërcënime ndaj zyrtarëve të ndryshëm socialistë, përfshirë Damian Gjiknurin kur ai ishte ministër, tregojnë për ekzistencën e një shteti paralel të drejtuar nga krimi i organizuar. Dosja dokumenton se si dhjetëramiliona euro ikën nga xhepat e taksapaguesve për të kaluar në xhepat e Agasit, i cili krijoi me këto para edhe një koleksion verërash të vlerësuar në 1 milion euro.
Koleksioni i verërave të Agasit si dhe koleksioni i rrobave dhe bizhuterive të Ajola Xoxës, bashkëshorte e Veliajt, janë ajka e korrupsionit sistemik që ka mbërthyer vendin prej vitesh dhe të cilin, SPAK duket se po e godet në nivelet më të larta, goditje që pak vite më parë konsideroheshin të paimagjinueshme.
BIRN
Albania
Shqipëria “kampione” e rritjes së çmimeve
Tryeza e festave edhe këtë vit do t’i kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës, por jo vetëm, vijojnë të rriten. Produktet bazë ushqimore, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.
Shqipëria, nga vendi më i varfër tre dekada më parë, është transformuar në vendin më të shtrenjtë në rajon për të jetuar. Një realitet që reflektohet drejtpërdrejt në konsum, në zakonet e blerjes dhe në mirëqenien e familjeve shqiptare. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur Shqipëria, sipas FMN, mbetet ende një nga vendet me fuqinë blerëse për individ më të ulët në Evropë dhe Ballkan.
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas Barometrit, 72 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në rajon, pas Kosovës, ku për 77% të qytetarëve çmimet janë një problem shqetësues.
Iu rikthyem disa tregjeve në kryeqytet, të cilat i kishim vizituar tre vite më parë, për të krahasuar çmimet dhe për të parë nga afër se si ka ndryshuar situata. Diferencat janë të dukshme, ndërsa rritja e çmimeve ndihet pothuajse në çdo produkt.
Seli, tregtare prej vitesh, thotë se produktet që vijojnë të rriten janë perimet si kastraveci dhe domatja, që variojnë nga 200–240 lekë për kilogram. Një vit më parë, produktet e njëjta të serrave që prodhohen në vend ishin rreth 180–200 lekë për kilogram.
“Në janar çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse mbarojnë produktet e serrave dhe hyn vetëm importi”, thotë Seli, duke shtuar se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë punën e tregtarëve të vegjël.
Me këto çmime edhe ne nuk presim të shesim shumë, duke e parë nga këndvështrimi i familjares tanimë e jo i tregtares, thotë ajo me shqetësim, ndërsa pranon se edhe vetë blen më pak për familjen e saj.
Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar disa herë se po i mbikëqyr çmimet, kjo nuk e ka ndaluar abuzimin. Situata ka sjellë edhe penalizime për subjektet që kanë shkelur ligjin.
“Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë ndërmarrje grumbulluese për bashkërendim të çmimeve në dëm të fermerëve. Autoriteti thekson se pas një hetimi që zgjati gati dy vite dhe përfshiu disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi praktika të ndaluara që kishin shtrembëruar konkurrencën, kishin diktuar çmimet e blerjes si dhe kishin rënduar pozitat negociuese të fermerëve,” shprehet ky institucion.
Sipas Artan Gjergjit, ekspert ekonomik, fenomeni i rritjes së çmimeve është kompleks dhe ndikohet nga disa faktorë njëkohësisht.
“Duke qenë se jemi një vend i cili mbi 80% të transaksioneve import-eksport i ka me vendet e BE-së, padyshim që jemi të ekspozuar edhe ndaj ndikimit që ka inflacioni në këto tregje,” shpjegon ai.
Megjithatë, ajo që e bën paradoksale këtë fenomen është fakti se, edhe pse prej muajsh në Shqipëri vlera e euros është në pikën më të ulët, kjo nuk reflektohet në çmimet që shohim tek produktet. Madje, importi vijon të hyjë me çmime të shtuara, duke mos sjellë asnjë lehtësim për konsumatorët.
Një tjetër komponent është mungesa e konkurrencës në tregje të caktuara, e sidomos në sektorin e tregtisë, përfshirë mallrat ushqimore, thotë Gjergji, duke theksuar se kjo situatë favorizon rritjen artificiale të çmimeve.
Por mungesa e vijueshme e produkteve vendase mbetet faktori më madhor, që prej vitesh po dëmton ekonominë dhe po rrit varësinë nga importi. Sipas Barometrit, në vitin 2025 rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve.
Një vit më parë, indeksi i publikuar nga “Mercer” e rendiste Tiranën në vendin e 103-të në botë, duke kryesuar si qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në rajon. Elementet e marra në shqyrtim ishin strehimi dhe ushqimet, dy zëra që rëndojnë më shumë buxhetin familjar.
Për familjet shqiptare, ushqimi mbetet një nga shpenzimet më të mëdha mujore dhe një barrë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.
Adileja është kryefamiljare dhe tregon se sa shpenzon në pazar:
“Blej gjithmonë sasi të vogla, vetëm për konsum ditor, që të mos më prishen, kryesisht perime; fruta më pak, sepse janë shumë të shtrenjta. Këto kohë kam blerë portokalle, se janë 100 lekë kilogrami. Me 5000 lekë thuajse nuk blen dot as për 2~3 ditë produkte bazë.”
Eksperti Gjergji thotë se ky lloj kursimi i detyruar redukton ndjeshëm mirëqenien.
“Reduktojnë në mënyrë drastike mirëqenien e individëve, pasi me të njëjtën sasi parash në dispozicion nuk mund të blejnë të njëjtën sasi mallrash dhe detyrohen të heqin dorë nga cilësia,” shprehet ai.
Të dhënat e INSTAT për muajin shtator 2025 tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me rreth 2.4% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje të përgjithshme të kostos së jetesës për familjet shqiptare, dhe kjo përkthehet edhe në çmime më të larta, sa më shumë i afrohemi fundvitit.
Rritje të vazhdueshme që prej vitit 2019 ka pasur edhe bulmeti dhe nënproduktet e tij, ku rritjen më të madhe e ka djathi. Një kilogram djathë nga baxhot e Sarandës një vit më parë kushtonte 1200 lekë, ndërsa sot varion nga 1400~1500 lekë për kilogram.
Produktet e mishit po ashtu janë shtrenjtuar ndjeshëm. Mishi i viçit dhe ai i qingjit konsiderohen më të shtrenjtit, ku nga 1000~1100 lekë tanimë kushtojnë 1300~1500 lekë për kilogram. Mishi kryesisht po importohet, për shkak se blegtoria çdo vit njeh rënie shumë të ndjeshme.
Edhe këtë vit Shqipëria vijon të jetë “kampione” e rritjes së çmimeve, krahasimisht jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me vende europiane si Greqia dhe Italia. Faturat e fundvitit po u rëndojnë xhepat qytetarëve, të cilët, në vend që të mendojnë për të festuar, duhet të mendojnë për paratë e shpenzuara për tryezën festive.
Në shumë familje, blerjet po kufizohen vetëm në minimumin e domosdoshëm, ndërsa konsumi vijon të bjerë ndjeshëm.
-
Albania19 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK18 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports18 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
