Shoqëria civile ka reguar në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e Akdemisë së Studimeve Albanologjike.
“Qëndresa Qytetare” e konsideron të paligjshme këtë vendim të qeverisë për mbylljen e këtij institucioni të arsimit të lartë.
Sipas tyre “Akademia e Studimeve Albanalogjike mban statusin e Universitetit, ka Bord Administrimi, Senat, studentë doktoratë. Është institucioni më i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit, historisë dhe Gjuhës Shqipe. VKM për shkrirjen e saj me Akademinë e Shkencave është e paligjshme, e pakonsultuar dhe pa vullnetin e Senatit Akademik të kësaj Akademie, siç e parashikon neni 30, pika 4 e ligjit për Arsimin e Lartë”.
Sipas deklaratës së Qëndresës Qytetare, mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike, me një VKM, i hap rrugën një precedenti të frikshëm, ku Qeveria apo Ministria e Arsimit mund të shkrijë dhe shuajë se ekzistuari çdo Universitet Publik në vend, pa dëshirën dhe vullnetin e tyre.
Më tej, në deklaratën e tyre ata thonë se “nëse Rektorët, lektorët dhe studentët do të lejojnë mbylljen e Akademisë së identitetit shqiptar me vendim arbitrat nga ministrja Evis Kushi, do të jetë një ditë zie për lirinë akademike, lirinë politike dhe kërkimin shkencor në vend”.
Sipas vendimit të propozuar nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, Akademia e Studimeve Albanologjike, rrezikon që të shkrihet dhe të gjitha asetet i kalojnë Akademisë së Shkencave.
Ky projekt vendim i qeverisë është kundërshtuar nga Senati Akademik dhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, të cilët kanë kërkuar tërheqjen e kësaj nisme, duke e cilësuar në kundërshtim me ligjin.
Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në mars të vitit 2008 nga bashkimi i katër Instituteve: i Arkeologjisë, Gjuhësi dhe Letërsi, Historisë dhe Kulturës. Gjithashtu janë dhe 2 njësi kërkimore, studimi i Artit dhe Enciklopedia Shqiptare.