Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, i kanë kërkuar rrjetit televiziv ABC të shkarkojë komedianin dhe prezantuesin Jimmy Kimmel, pasi cilësoi me shaka zonjën e parë si një vejushë e ardhshme, vetëm pak ditë para sulmit me armë në darkën me korrespondentët.
“Zonja e Parë, Melania, është këtu. Shikojeni Melanian, kaq e bukur. Zonja Trump, ju keni një shkëlqim si i një vejushe të ardhshme.”
Tre ditë më vonë, një person i armatosur hapi zjarr në darkën me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, ku, sipas autoriteteve, në shënjestër ishin pjesëtarët e administratës Trump.
Melania e cilësoi komentin e Kimmel si të dhunshëm e të urryeshëm dhe tha se njerëzit si ai nuk duhet të kenë mundësinë të hyjnë çdo mbrëmje në shtëpitë e amerikanëve.
“Monologu i tij për familjen time nuk është komedi, fjalët e tij janë gërryese dhe e thellojnë sëmundjen politike brenda Amerikës. Sa herë do të vazhdojnë drejtuesit e ABC-së t’i japin hapësirë sjelljes së turpshme të Kimmel-it në kurriz të komunitetit tonë?”
Presidenti Trump gjithashtu tha se e vlerësonte faktin që kaq shumë njerëz ishin “të indinjuar” nga komentet e Kimmel-it, duke pretenduar se ato ishin një “thirrje për dhunë”.
Por Kimmel e mbrojti shakanë e tij, duke thënë se kishte bërë një batutë të lehtë lidhur me diferencën në moshë mes Trump dhe Melania.
“Në asnjë mënyrë nuk ishte, sipas asnjë përkufizimi, një thirrje për atentat dhe ata e dinë këtë; unë kam qenë shumë i zëshëm për shumë vite duke folur kundër dhunës me armë në veçanti. Jam dakord që retorika urrejtëse dhe e dhunës është diçka që duhet ta refuzojmë.”
Emisioni i Kimmel u pezullua për një javë në shtator, pas komenteve që bëri lidhur me vrasjen e aktivistit Charlie Kirk, kur tha se mbështetësit e Trump po përpiqeshin të përfitonin politikisht nga ngjarja.

