Kosova
Mustafa: LDK-ja s`mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer të LVV-së
Në një intervistë për portalin Koha.net, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer me Vetëvendosjen.
Letrën e fundit të liderit të këtij subjekti, Albin Kurti, ai e ka cilësuar një “ese ideologjik”. Ndërkaq koalicionin eventual me këtë subjekt, Mustafa e cilëson të nxitur, jo nga afërsia programore, por nga nevoja për ndryshime.
Megjithatë, Mustafa thotë se e konsiderojnë me prioritet koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen, ndonëse nuk ka dhënë shenja të tërheqjes nga kërkesa për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilën aktualisht e mban Glauk Konjufca nga VV-ja.
Koha.net: Z.Mustafa, tashmë edhe ju, por edhe VV-ja, i keni bërë të ditura pozicionet, Letra e fundit e Kurtit a mund të prodhojë marrëveshje, apo fund të negociatave?
Mustafa: Letra më përngjau më shumë në një ese ideologjik sesa përgjigje në propozimin tonë, të cilin me kërkesën e tyre ua prezantuam më 8 janar, dhe poashtu me kërkesën e z. Kurti ua përcollëm me shkrim më 15 janar.
Koha.net: Përpjekja për një koalicion të tillë doli më shumë si rezultat i presionit publik se sa i vullnetit të të dy subjekteve. A duhet t`i nënshtrohen partitë presionit publik, apo përcaktimit programor?
Mustafa: Koalicioni me VV-në ka lindur si vullnet politik. Por ky vullnet duhet të menaxhohet nga secili subjekt e jo përmes presionit publik dhe mediatik. Sepse koalicioni nuk është detyrë dhe as detyrim por shprehje e mirëbesimit reciprok si dhe e besimit se bashkërisht mund të implementohet një Program qeverisës, i cili i shërben Kosovës.
Koha.net: LDK-ja ka një historik dyvjeçar të një ofrimit me VV-në nga bashkëpunimi ndëropozitar, pas një animoziteti të konsoliduar për vite të tëra. Përpjekja për bashkëqeverisje a është derivat i nevojës për ndryshim, apo pasojë e vijave të kuqe, të përcaktuara nga të dy subjektet?
Mustafa: Vija të kuqe kishim përcaktuar për PDK-në. Arsyet i kemi bërë publike. Ndërkaq me prioritet e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë koalicionin me LVV. Jo se kemi afërsi programore por se kemi nevojë të bëjmë ndryshime për të cilat jemi zotuar para qytetarëve.
Koha.net: Po të mos ishin vijat e kuqe, sigurisht që skena politike nuk do të përballej me recidivizëm të ngërçit. A bëhet politika me vija të kuqe, apo me oferta programore?
Mustafa: Në një situatë kur partnerët respektojnë marrëveshjet dhe kur nuk cenohet besimi, koalicionet janë më të arsyeshme dhe më të shëndetshme mbi baza programore.
Koha.net: Publiku ende nuk e di se çfarë përmban oferta e një koalicioni të mundshëm ndërmjet LDK-së e VV-së. Më së paku është fol për të në publik e më së shumti për ndarjen e ministrive dhe posteve të tjera në Kuvend. Ndaj, rrjedhimisht është krijuar përshtypja se po negocioni për hise në pushtet, por jo për modelin qeverisës? Cila është e vërteta?
Mustafa: Modelin e kemi përcaktuar në Programin e harmonizuar qeverisës. Qeveri e vogël, prej 12 ministrive, funksionale dhe unike. Portfolio e kombinuar e fushave qeverisëse, që siguron se asnjëra palë nuk ka monopol mbi një fushë, por bashkërisht marrin përgjegjësinë për zhvillim ekonomik, për rendin dhe ligjin, për arsimin dhe shëndetësinë dhe fushat e tjera. Ndarja e përgjegjësive (hises) bëhet në harmoni me besimin qytetar; VV-ja ka marrë besimin me 29 deputetë, LDK-së, me 28 deputetë. LDK-ja nuk kërkon dhe nuk merr nga LVV-ja, sepse ajo nuk i ka fituar të gjitha, pasi nuk i ka 61 deputetë, por 29, andaj dy palët ndajnë mbi bazën parimore hisen e pushtetit dhe përgjegjësitë për rezultatet por dhe për dështimet.
Koha.net: Me ofertën e fundit tuajën, gjendja duhet kthyer në datën 26 dhjetor. Realisht, a mendoni se ka korrektësi politike të revidohet një vendim, të cilin e ka miratuar edhe partia juaj. Kryetari i Kuvendit është zgjedhur pa asnjë telashe. Pse tash kërkesa për një prapakthim?
Mustafa: Pas datës 26 dhjetor, kur pa marrëveshje është zgjedhur Kryetari i Kuvendit, LVV-ja na ka ftuar të vazhdojmë me negociata për marrëveshjen. Ne me 26 dhjetor, ishim të bindur se LVV-ja hoqi dorë nga marrëveshja me ne, prandaj edhe e votuam Kryetarin e Kuvendit me qëllime të mira për konstituim të Kuvendit. Prandaj nuk është LDK-ja, ajo që kërkoi të kthehemi para datës 26 dhjetor, por LVV-ja, sepse ne si LDK, ecurinë e marrëveshjes e kemi lënë pikërisht para 26 dhjetorit. Dhe, LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer të LVV-së. Ne nuk jemi në luftë; vetëm me logjikën e luftës okupohet territori i një vendi, pastaj i thuhet eja të merremi vesh për territorin tjetër, por këtë që e kam okupuar mbetet i imi!?
Koha.net: A ka pas mundësi LDK-ja ta realizojë ofertën e 8 janarit pa e lënë procesin të rrjedhë deri në këtë pikë?
Mustafa: Oferta realizohet si vullnet i dy palëve. Më 8 janar të dy palët kemi konstatuar se kemi lëvizë përpara dhe se po vërtetohet vullneti për koalicion, por një ditë më vonë subjekti tjetër nuk ka treguar vullnet ta prano zgjidhjen që kemi ofruar.
Koha.net: Megjithatë, nga ajo që duket në publik, LDK-ja po përballet me jounitet sa i përket koalicionit me VV-në. Cili është pozicioni juaj në këtë mes? Pse ky skepticizëm nga një pjesë e njerëzve të LDK-së?
Mustafa: Për zgjidhjen që e kemi ofruar më 8 janar, të gjithë kemi qenë unik. Për qeveri.
Kosova
I dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën, Kurti mesazh falënderues për të gjithë votuesit e LVV: U jemi mirënjohës përjetë
Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
Kosova
“Kurti fitues pas muajsh bllokade politike”, BBC: Normalizimi i marrëdhënieve me Brukselin dhe Uashingtonin në axhendën e qeverisë së re
Partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka fituar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me 90% të votave të numëruara, kjo parti, emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje”, ka marrë 50.8% të votave, çka i siguron liderit të saj, Albin Kurti, një mandat të tretë në pushtet.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e qendrës së djathtë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë marrë përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet edhe në muajin shkurt, por pa arritur shumicën, dhe Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale që nga ajo kohë.
Kjo bllokadë ngriti një pyetje të madhe mbi këto zgjedhje të dyta parlamentare brenda vitit: a do ta ndëshkonin votuesit Kurtin për muajt e gjatë të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, apo partitë opozitare që refuzuan të merrnin parasysh një koalicion me lëvizjen e tij të majtë?
Elektorati ka dhënë një përgjigje të qartë. Edhe pse rezultati nuk mjafton për t’i siguruar Kurtit qeverisje pa partnerë koalicioni, ai nuk pritet ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje te deputetët e partive të pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 vendet në Kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përbën një rehabilitim politik pas bllokimit nga partitë opozitare të përpjekjeve të Kurtit për të formuar qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kurti e quajti këtë “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe tha se pret që opozita këtë herë të bashkëpunojë, e jo të pengojë proceset.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e renditur e treta, sinjalizoi se kjo mund të jetë e mundur. “Kur flasin votuesit, rezultati nuk mund të injorohet,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm,” shtoi ai.
Në lojë janë shumë interesa. Kosova ka humbur qindra miliona euro fonde nga Bashkimi Evropian për shkak të mungesës së një qeverie funksionale. Kurti përmendi gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, të cilat do ta çonin shumën totale në mbi 1 miliard euro.
Rregullimi i marrëdhënieve me mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës, BE-në dhe SHBA-në, pritet gjithashtu të jetë në axhendë. Kurti ka zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin duke ndërmarrë vazhdimisht veprime ndaj institucioneve që u shërbejnë pakicës serbe në Kosovë – nga zyrat postare deri te institucionet shëndetësore – duke rritur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe.
BE-ja ka rënë dakord më në fund të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, por pritet të kërkojë nga Kurti një qasje më pragmatike ndaj dialogut të ngecur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vend të vijës së tij zakonisht dogmatike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kjo mund të mbetet një shpresë e kotë.
Fakti që votuesit e Kosovës kanë mbështetur fuqishëm një figurë kaq polarizuese pasqyron pakënaqësinë e tyre ndaj alternativave. Partitë e lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dominuan qeverisjen në dekadën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në vitin 2008, por nuk arritën të përmbushin premtimet për prosperitet.
Një analist, Artan Muhaxhiri, vuri në dukje “shkeljet e panumërta të kushtetutës nga Vetëvendosje, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe prishjen e marrëdhënieve me aleatët” gjatë viteve të saj në pushtet.
Megjithatë, ai përfundoi se “pavarësisht të gjitha mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën më të dëmshme”.
Kosova
Përfundon numërimi i votave për subjektet politike, nis numërimi për kandidatët në 38 Qendra Komunale
Të dielën në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt.
Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit.
Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,557 vendvotime të rregullta, ka mundësuar:
– votimin me kusht në 38 qendra votimi me 57 vendvotime;
– votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile votuesit me nevoja të veçanta dhe
– votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860.
Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Sports3 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
