Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet me njohje reciproke, por ka shtuar se Washingtoni përkrah edhe modalitete tjera të marrëveshjes, varësisht si pajtohen dy palët. Këtu s’ka përjashtuar as mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje pa njohje reciproke.
Në një intervistë për mediumin “N1” në Serbi, pas takimeve të përbashkëta me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me krerë serbë, pak ditë pas vizitës në Kosovë, Palmeri ka thënë se dy palët janë shumë serioze për t’u angazhuar sërish në dialog.
Ai ka thënë se ka parë përkushtim edhe nga Kosova për t’u angazhuar në dialog, pavarësisht deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se Qeveria e tij s’e ka prioritet dialogun.
Palmer ka theksuar se Washingtoni dëshiron të shohë që marrëveshjet e arritura deri tash, të implementohen.
“Ne nuk caktojmë rezultatin, është në duart e tyre”, ka thënë ai teksa ka konfirmuar se për SHBA-në zgjidhja e duhur është njohja reciproke mes dy shteteve. “Në kushtet ideale, ne besojmë se njohja reciproke do të duhej të ishte në qendër të marrëveshjes për normalizim”.
I pyetur nëse ka një “plan B” për arritjen e një marrëveshjeje pa njohje reciproke, diplomati amerikan ka thënë se “marrëveshja mund të jetë çka do që dy palët pajtohen”.
“Qëllimi jonë është t’i nxisim palët të ulen bashkë, të deklarojnë cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund të bëjnë e çfarë jo. Ne nuk e caktojmë agjendën, e as epilogun. Është në duart e tyre. Ata e udhëheqin procesin. Varet nga Beogradi dhe Prishtina të përcaktojnë se çka është marrëdhënie normale për ta apo çka është më normale se tash”, ka shpjeguar ai.
Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, ka përsëritur se modeli i Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të jetë shembull për zgjidhjen përfundimtare, pa njohje reciproke. Palmeri ka thënë se kjo është një nga mundësitë, por s’është qëllim i SHBA-së.