Danimarka ka vendosur të ndjekë shembullin e Britanisë së Madhe dhe t’i dërgojë në Ruandë azilkërkuesit, që aplikimet e tyre të shqyrtohen në këtë vend afrikano-lindor dhe jo në Danimarkë.
Qeveritë e të dy vendeve e kanë nënshkruar tashmë deklaratën politike që thekson dëshirën për forcimin e bashkëpunimit në politikën e azilimit dhe emigracionit.
Të dy vendet e konsiderojnë sistemin aktual të azilmit si jofunksional, deklaroi Ministria daneze për të Huajt dhe Migracionin. Për këtë nevojiten zgjidhje. Një ndër zgjidhjet është përpjekja e përbashkët për një mekanizëm për dërgimin e azilkërkuesve nga Danimarka në Ruandë, në mënyrë që të shqyrtohet atje procesi i aplikimit për azil dhe krijimi i mundësisë për mbrojtjen e tyre.
Shumica në parlamentin danez në korrik 2021 miratoi një ligj, që mundëson hapjen e qendrave të azilimit në vende të tjera. Në këtë mënyrë autoritetet mund t’i transferojnë azilkërkuesit në vende të treta, ku ata të presin deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre në Danimarkë. Komisioni i BE-së e kritikoi këtë projekt dhe bëri të qartë atëherë, se mund të ndjekë edhe hapa ligjorë, në rast se këto plane zbatohen.. Gjykata e Lartë në Londër, High Court, ndërkohë është duke shqyrtuar paktin e diskutueshëm britanik me Ruandën.
Kjo marrëveshje parashikon, që njerëzit, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe pavarësisht prejardhjes së tyre dhe pa iu shqyrtuar kërkesën për azil të dërgohen në Ruandë. Atje atyre duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për azilin. Nëse atyre u takon e drejta e azilimit, ata duhet të qendrojnë në Ruandë. Në rast të kundërt ata i kërcënon kthimi në atdhe.
Organizata e Ndihmës për Refugjatët e OKB-së i konsideron këto plane si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa ipeshkvët e Anglisë e quajnë këtë “një turp për Britaninë e Madhe”. Shumë azilkërkues si dhe organizatat e refugjatëve kanë ngritur padi kundër qendrimit të qeverisë britanike.