“Shqipëria dhe Britania kontribuojnë në çështjet e sigurisë rajonale, në një kohë kritike kur aktorë të tjerë po mundohen të destabilizojnë rajonin”.
Ka qenë kjo deklarata e të dërguarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar (MB), për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, pas vizitës së tij në Shqipëri, në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa shtoi se “mbështesim nisma rajonale që ndihmojnë vendet e Ballkanit në rrugën e tyre euroatlantike”.
“Roli im përfshin punën me partnerët tanë për të promovuar sigurinë rajonale”, tha ai, “për të mbështetur institucione të forta demokratike dhe shoqëri të hapur”.
“Si dhe për të ndihmuar në luftën ndaj krimit të organizuar”.
Edhe të hënën e 10 janarit, Peach ka deklaruar për nismën “Open Balkan”, se “do ta mbështesim për sa kohë kjo iniciativë nuk krijon konkurrencë”.
Ndërsa ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentë dhe diplomatët e rinj, Peach tha se “e respektojmë sovranitetin e Shqipërisë”.
“Këto janë iniciativa që do të jenë komplementare ndaj njëra-tjetrës dhe nuk duhen parë në garë mes atyre që kanë ekzistuar dhe këtyre të reja”, tha ai.
Marrëveshjet e Open Balkan
Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).
Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.
Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.
Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.
Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.
Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.