I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka bërë sërish thirrje autoriteteve në Prishtinë, të pranojnë kërkesën për të shtyrë me 10 muaj zbatimin e urdhrit për targat e makinave të banorëve serbë në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar, thotë se nuk ka marrë ende një përgjigje për këtë kërkesë nga autoritetet. Ai është përgjigjur edhe për planin e propozuar nga Franca dhe Gjermania, që ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi.
“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak.”
Escobar, thotë se pas diskutimeve intensive me të dyja qeveritë, ai ka besim se do të fillojë angazhimi me publikun për të kuptuar thelbin e propozimit franko-gjerman.
“Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Ne mbështesim çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Është e rëndësishme për stabilitetin e evropianëve në një kohë kur po përballemi me kriza si ajo në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës. Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë me të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dyja qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit.”
I pyetur nëse propozimi aktual lidhet me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, Escobar u përgjigj: “Absolutisht, qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohiur, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes.
Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi.”
Kosova dhe Serbia ndodhen në një fazë të re dialogu, ndërsa trysnia ndërkombëtare është shtuar ndaj të dyja vendeve për të shmangur tensionet mes tyre.