Albania
“Politico”: Si u hodh në erë plani i Melonit për emigrantët në Shqipëri
Revista e njohur “Politico” i ka kushtuar një shkrim dështimit të tretë të qeverisë italiane për të mbajtur emigrantë në kampin e Gjadrit në Shqipëri. “Hidhet në erë plani i migracionit në Shqipëri i Giorgia Melonit pas dështimit të tretë” – titullohet shkrimi që e përditshmja i ka kushtuar asaj që po ndodh me paktin Rama – Meloni.
Shkrimi i plotë
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u kritikua nga opozita të shtunën pasi plani i saj për të përpunuar deri në 3000 azilkërkues në muaj në Shqipëri u refuzua nga gjyqtarët italianë për herë të tretë. Një anije e rojës bregdetare ktheu 43 emigrantët afrikanë dhe aziatiko-jugorë nga qendra e paraburgimit në qytetin shqiptar të Gjadrit, në portin italian të Barit, me urdhër të Gjykatës së Apelit të Romës, e cila vendosi të premten se individët, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar nuk mund të mbahen jashtë vendit.
“Giorgia Meloni duhet të japë dorëheqjen”, – tha për mediat italiane Elly Schlein, lidere e krahut të majtë të Partisë Demokratike duke ngritur si shqetësim koston e projektit rreth 1 miliard euro deri më tani. “Qendrat në Shqipëri nuk funksionojnë dhe nuk do të funksionojnë. Ato janë një dështim i bujshëm” – tha Schlein.
Vendimi është “konfirmim se qendrat e paraburgimit në Shqipëri funksionojnë në paligjshmëri totale dhe janë një gur varri për politikat e migracionit që zbaton qeveria Meloni”, – shtoi Riccardo Magi i partisë liberale “Më shumë Evropë”.
Sipas gjykatës, fakti që vendet e origjinës së migrantëve janë potencialisht të pasigurta, i bën ata të papërshtatshëm për programin e përpunimit të shpejtë, i cili synon të dëbojë shpejt ata që u është refuzuar kërkesa për azil.
Ky është vendimi i tretë i tillë brenda një viti. Në tetor, njësia e imigracionit e Gjykatës së Romës refuzoi ndalimin e 12 emigrantëve në qendrat shqiptare dhe në nëntor bllokoi ndalimin e një grupi tjetër prej 7 personash. Për secilin rast, gjyqtarët ia janë referuar vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Seanca dëgjimore e GJED-së është caktuar për më 25 shkurt.
Në përgjigje të vendimeve të gjyqtarëve, qeveria e Melonit në dhjetor ripërcaktoi juridiksionin mbi këtë çështje duke ua hequr gjyqtarëve të imigracionit në Romë, të cilët kishin kundërshtuar transferimet fillestare, në gjykatën e apelit të Romës. Në tetor, qeveria u përpoq gjithashtu t’i anashkalonte këto vendime duke hartuar një listë të re me 19 vende që konsiderohen “të sigurta për riatdhesim”, duke përfshirë Bangladeshin dhe Egjiptin.
Pas inaugurimit të dy qendrave në Shqipëri më 11 tetor, projekti ka marrë vlerësime nga liderët evropianë, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen që e vlerësoi atë si “një zgjidhje inovative” dhe u kërkoi udhëheqësve të tjerë të BE-së të nxjerrin “mësime nga Protokolli Itali – Shqipëri.”
Në të njëjtën kohë, megjithatë, plani ka marrë kritika të shumta nga politikanët e opozitës, organizatat e të drejtave të njeriut dhe ekspertët ligjorë. “Ndjenja është se qeveria italiane e konsideron veten mbi ligjin” – argumenton Francesca D’Antuono e organizatës “Volt Europe”, e cila vizitoi qendrën në Gjadër në fund të vitit të kaluar.
“Ata nuk bëjnë asnjë dallim midis mandatit të tyre politik, të fituar përmes zgjedhjeve dhe respektit për arkitekturën institucionale që mbështet demokracinë tonë dhe që kalon përmes ndarjes së pushteteve” – thotë D’Antuono.
“Më 25 shkurt, gjykata evropiane në Luksemburg do të vendosë për këtë çështje. Shpresojmë se do të ketë sukses në frenimin e kthesës autoritare që qeveritë e ekstremit të djathtë në Evropë po zbatojnë” – tha D’Antuono.
Albania
Vendimi i qeverisë, zbardhet skema e re e kompensimit, nga 600 deri në 1800 lekë shtesë në muaj, ja kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, një masë që hyn në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.
Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, fondi total për këtë skemë kap vlerën e 9.8 miliardë lekëve.
Si ndahen kategoritë dhe sa është shtesa?
Qeveria ka ndarë përfituesit në 5 kategori kryesore, bazuar në nivelin e të ardhurave mujore që ata kanë pasur deri në datën 31.12.2025:
Shtesën maksimale prej 1,800 lekë/muaj e përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë të plota (urbane), minatorët, punonjësit e naftës, gazit dhe metalurgjisë.
Shtesën prej 1,000 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionet rurale (të fshatit).
Shtesën 800 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 22,000 lekë.
Në këtë grup përfshihen pensionet e pjesshme (urbane), pensionet sociale dhe ata që nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit.
Shtesën 700 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë, ku janë përfituesit e pensionit familjar, përfshirë familjet e pilotëve.
Ndërsa shtesën 600 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë.
Këtu përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve të invaliditetit.
Kush përfiton tjetër?
Një pikë e rëndësishme e vendimit është se ky kompensim nuk prek vetëm pensionistët aktualë. Përfitojnë edhe personat që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, me kusht që të ardhurat e tyre të mos kalojnë tavanet e përcaktuara më sipër. Megjithatë, ata që fitojnë të drejtën e pensionit pas datës 1 janar 2027, nuk do të jenë subjekt i këtij vendimi.
Vendimi saktëson gjithashtu se këto kompensime nuk do të preken (nuk do të ulen apo ndryshojnë) në rastet kur qeveria miraton indeksime të tjera të pensioneve në të ardhmen.
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pagesat do të shpërndahen përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Albania
Qeveria nderon legjendat, 13 figura të shquara të artit dhe sportit përfitojnë pension të posaçëm
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të vlerësuar financiarisht dhe moralisht disa nga emrat më të spikatur të jetës publike në Shqipëri, të cilët kanë lënë gjurmë ndër vite në fushat e artit, kulturës dhe sportit.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, 13 personalitete do të përfitojnë “shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”.
Masa e kësaj shtese është përcaktuar të jetë sa dhjetëfishi i pensionit social, një vlerësim maksimal që u bëhet këtyre figurave për kontributin e dhënë.
Në listën e miratuar spikasin emra të mëdhenj të humorit dhe teatrit si Agim Bajko dhe Aishe Stari, apo legjenda të futbollit shqiptar si Agustin Kola i Tiranës dhe Vasillaq Zëri i Flamurtarit.
Lista e plotë e përfituesve:
Agim Bajko – Aktor i njohur i humorit dhe satirës.
Agustin Kola – Ish-futbollist dhe trajner i shquar, ikonë e KF Tiranës.
Aishe Stari – Aktore e njohur, veçanërisht për kontributin në estradën e Durrësit.
Vasillaq Ruci – Legjenda e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar.
Nikolin Gurakuqi – Regjisor i njohur operistik.
Shegushe Bebeti – Regjisore dhe figurë e rëndësishme e teatrit të kukullave.
Edera Alibegaj – Ish-basketbolliste e shquar.
Virxhil Karaja – Figurë e njohur e sportit.
Kujtim Vorpsi – Mjeshtër i imazhit/kinematografisë.
Kostandin Shkurti
Kostandin Kamberi- Aktor i njohur i humorit në estradën e Tiranës
Leonard Toska- Peshëngritës
Rapo Tao- Figurë legjendare e futbollit vlonjat
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe është pjesë e përpjekjeve shtetërore për të garantuar një trajtim dinjitoz për ata që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në skena dhe stadiume.
Albania
Adriatik Lapaj: Vitin e Ri do e hamë në shesh te Kryeministria
Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, thotë se protesta e tij dhe mbështetësve të tij te Kryeministria, do të vazhdojë edhe në natën e ndërrimit të viteve.
“Krishtlindjet i hëngrëm këtu. Nesër Vitin e Ri, besoj, të jemi mirë me shëndet, do ta konsumojmë këtu dhe unë them që do jemi këtu gjatë dhe do rezistojmë për të dhënë një model proteste qëndrese”, tha Lapaj për A2 CNN.
Sipas tij, ky model do të bindë njerëzit të shtohen edhe më shumë në shesh, pas Vitit të Ri.
“Ata që thoshin “Ku janë numrat?”, ditën e shtunë besoj e morë një mesazh të qartë. Nuk ishin jashtëzakonisht shumë, po ishin shumë në raport me atë që nisi. Të mbledhësh sot 2000 qytetarë të lirë pa i detyruar, pa i marrë me kërcënim, pa i marrë me para, pa u ofruar vende pune dhe t’u ngjallësh shpresën, është një fillim i mirë dhe unë mendoj që ditën e diel do jemi shumë dhe mendoj që kjo që ka nisur do të përkthehet në një reagim të madh popullor në vazhdim përballë këtij regjimi hajdutësh me në krye Edi Ramën”,- është shprehur Lapaj.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
UK18 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania19 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
