Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali u mblodhën në një protestë para ambasadës së shtetit fqinj në Tiranë. Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit nga firmosja e marrëveshjes mes qeverisë Italiane dhe asaj të Shqipërisë, vitet e punës të emigrantëve shqiptarë në të dyja vendet ende nuk njihen. Kjo pasi marrëveshja ende nuk ka kaluar për miratim në Parlamentin italian.
Lumturi Lika dhe Tonin Prendushi jetojnë dhe punojnë prej më shumë se 30 vitesh në Itali. Sipas ligjeve në vendin fqinj, të dy ata do duhej të ishin në pension. Mirëpo kjo nuk po ndodh.
Me gjithë dakordësinë e arritur vitin e shkuar mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Italisë, marrëveshja që njeh dhe bashkon vitet e dy punës në të dy shtetet ende nuk po merr “dritën jeshile” nga Parlamenti i vendit fqinj.
“Tani unë i kam kaluar 64 vite dhe do duhej të isha në pension, por nuk jam pasi nuk janë bashkuar vitet e punës në Shqipëri me ato në Itali. Tani shteti duhet të bëjë diçka sepse sot unë nuk mund as të punoj.”
Lumturi Lika, emigrante shqiptare në Itali
“Unë kam 30 vite punë me kontribute tamam, por kam edhe 14 vite të tjera në Shqipëri të cilat nuk njihen. Në bazë të ligjit italian unë do duhej të isha në pension sot, por nuk jam.”
Tonin Prendushi, emigrant shqiptar në Itali
Protestës sensibilizuese në ambasadën italiane në Tiranë i është bashkuar edhe Gëzim Mema, ikur në vitet 90’, i cili ka ardhur për të kaluar pushimet verore në vendlindje.
“Kam 32 vite punë në Itali dhe 8 vite në Shqipëri. Në total kam 40 vite dhe për momentin nuk më njohët as një vit pasi duhet të mbush moshën 67 vjeç në Itali pasi marrëveshja nuk po firmoset.”
Gëzim Mema (nga Durrësi), emigrant shqiptar në Itali
Emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali iu bashkua edhe ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci. Teksa shpjegoi se ku qëndron ngërçi, Bucci premtoi zgjidhje të shpejtë të problemit.
“Më duhet t’iu siguroj që nga pala italiane po bëhet maksimumi për ta zgjidhur këtë problem. Kemi folur për të arritur një dakordësi me palën shqiptare. Ne jemi tani në momentet e fundit të dakordësimit, mungojnë pak gjëra. Në javët e ardhshme apo maksimumi në muajit e ardhshëm do të realizohet firmosja e marrëveshjes italo-shqiptar. Ka qenë pak e vështirë sepse ka pasur disa teknikalitete për procedurë. Keni fjalën time, që nga pala italiane po bëhet maksimumi. Bëni pak durim.”
Fabrizio Bucci, ambasadori italian në Shqipëri
Janë rreth 200 mijë emigrantë shqiptarë që presin njohjen e pensioneve në Itali, ndërsa qeveria e vendit fqinj ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për ta deri në vitin 2032.
Buxheti i dedikuar nis me 7.6 milionë euro për vitin e parë të aplikimit dhe mbyllet me 20.3 milionë në fund të këtij planifikimi buxhetor.