Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë në lidhje me qëndrimin e muxhahedinëve në Shqipëri, ku tha se vendi ynë i strehoi si pjesë e një operacioni jetëshpëtues, por nëse ata duan luftë, do të duhet të largohen.
Në një intervistë për median gjermane “Der Spiegel”, Rama bëri reagimin e parë në lidhje me kontrollet e policisë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit. Ai u shpreh se anëtarët e MEK kanë shkelur “vazhdimisht” marrëveshjen me shtetin shqiptar për të mos u përfshirë në veprime politike, teksa thekson se “Shqipëria nuk mund të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona”
“MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje.
Ishte një operacion jetëshpëtues. Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar. E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria”, tha Rama.
Kujtojmë se një javë më parë në këtë kamp për shkak të kontrolleve të ushtruara nga Policia me urdhër të SPAK pati tensione, ku përfaqësues të MEK akuzonin efektivët e policisë për dhunë. Pjesëtarët e opozitës iraniane akuzuan policinë se i mori jetën një anëtari të tyre përmes gazit lotsjellës, ndërkohë që shkaqet e vdekjes së personit në fjalë ende nuk janë përcaktuar nga ekspertiza.
Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme mohuan pretendimet e MEK, teksa theksuan se veprimet e grupimit ranë ndesh me marrëveshjen e 2014, sipas së cilës do vendoseshin në Shqipëri për qëllime humanitare.
Sipas SPAK, dyshohet se organizata “MEK”, e vendosur në Manzë, ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore, si edhe ndaj institucioneve në shtetin iranian.
Veprat penale që dyshohet të jenë kryer nga kampi i muxhahedinëve janë “provokimi i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe “keqpërdorim i pajisjeve”.