Albania
Rama për Sky News: Duhet një sistem vizash që shqiptarët të mos vijnë nga Kanali në Britani
Gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në studion e “Sky News Breakfast” me në fokus emigrantët dhe komunitetin shqiptar që jeton atje.
Intervista e plotë
-Mirë se erdhët ne “Sky News Breakfast”. Do jetë me mua këtu Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas vizitës së tij dje në Doëning Street. Vlen të thuhet se marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë qenë pak të tensionuara muajt e fundit, pasi mijëra të rinj shqiptarë kaluan Kanalin vitin e shkuar dhe pas akuzave se vijnë për arsye ekonomike, por në vizitën e tij për t’u takuar me Rishi Sunak dje, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh dje se ai dëshiron që të gjithë shqiptarët të ndihen të sigurt dhe të nderuar këtu në Mbretërinë e Bashkuar. Kam kënaqësinë t’ju them se Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është këtu me mua tani. Mirëmëngjesi, faleminderit shumë që erdhët!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ju që më ftuat.
–Na thoni pak për bisedimet tuaja me Kryeministrin Rishi Sunak dje. Cili ishte mesazhi kryesor që donit të përcillnit?
Kryeministri Edi Rama: Sigurisht marrëdhëniet shqiptaro britanike janë të një rëndësie mjaft të madhe strategjike dhe ato kanë prekur pikën më të ulët në histori qysh se kemi dalë nga komunizmi, për shkak të asaj retorike që e ka vënë të gjithë komunitetin shqiptar në Britani nën një trysni shumë të madhe. Po, nga ana tjetër, ndërkohë që e bëra shumë të qartë qëndrimin tim për retorikën, marrëdhënia jonë nuk është aspak e lidhur vetëm me këtë, por me shumë më tepër. Patëm një takim shumë konstruktiv me Kryeministrin dhe më duhet të them se, qoftë sa i takon asaj çfarë ka qenë me rëndësi për të, për të goditur rrjetet kriminale, ashtu edhe në aspektin e asaj çfarë është e rëndësishme për të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie shumë të forta, kemi shënuar përparime të domethënëse. Më duhet të them se, më në fund, nga ana e Doëning Street jemi dëgjuar dhe nuk ka më vetëm fjalë, por edhe vepra në ngritjen dhe funksionimin e grupeve të punës për të goditur rrjetet kriminale, që është sigurisht diçka që Shqipëria e ka dashur gjithnjë. Gjithnjë kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me Britaninë.
–Folët për retorikën për të cilën ishit i pakënaqur. Komentuat veçanërisht gjuhën e Suella Braverman, Sekretarja e Punëve të Brendshme. E quajtët të turpshme. Na thoni pak se për çfarë ishit kundër dhe çfarë ka shkaktuar kjo në këto marrëdhënie.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, sërish mendoj se e kam bërë shumë të qartë qëndrimin tim dhe nuk dua ta përsëris herë pas here, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me tablonë shumë më të gjerë e marrëdhëniet shumë më të thella midis Shqipërisë dhe Britanisë dhe, po ashtu, nuk do të ishte e drejtë të këmbëngulnim te kjo, ndërkohë që ka sinjale shumë domethënëse pendese dhe një ndjenjë sikleti, që mjaftojnë në këtë pikë. Shpresoj fort se kjo nuk do të përsëritet më dhe që komuniteti shqiptar këtu do të nderohet vërtet për atë që është, sepse një gjë është vënia në qendër të vëmendjes e varkave, e kriminelëve dhe e gjithçkaje shqetësuese, por nga ana tjetër nuk duhet harruar kurrë se shqiptarët ia kanë dalë shkëlqyeshëm dhe kontribuojnë që Britania të jetë një vend më i mirë. Dje, dola nga hoteli bashkë me njerëzit që kujdesen për sigurinë time dhe dëgjoj një zë nga qiell: “Edi, Edi, Edi!”. Ngrita kokën lart, aty ishte një kantier ndërtimi dhe lart ishin tre persona të veshur si punonjës ndërtimi dhe që të tre ishin shqiptarë. Shqiptarët këtu punojnë për firmat e ndërtimit, shqiptarët këtu kujdesen për të moshuarit tuaj, shqiptarët këtu gatuajnë duke përmirësuar kuzhinën britanike, më duhet ta them dhe madje këndojnë për ju. Mos të flasim këtu për akademikët, për studentët. Ka qenë kaq e padrejtë ndaj tyre të viheshin nën një trysni të tillë, ndërkohë që ata janë një bazë kaq e fortë për të ndërtuar diçka shumë të rëndësishme.
-Pra ju doni vërtet të theksoni rolin e rëndësishëm që shqiptarët luajnë në komunitetet tona, por ekziston shqetësimi për numrin e atyre që vijnë me varka, që ju e keni diskutuar edhe me Kryeministrin. Shqiptarët përbëjnë 28 % të atyre që mbërritën me varka vitin e kaluar. Sa i shqetësuar jeni ju për këtë?
Kryeministri Edi Rama: Është një prirje në të gjitha vendet që kanë dalë nga koha e errët e komunizmit dhe që po përpiqen të arrijnë atë çfarë ka qenë pika jonë e horizontit, duke parë nga vendet e zhvilluara. Nuk mund t’i ndalosh të rinjtë të ëndërrojnë dhe të shpresojnë, sepse, po, Shqipëria është një rast, por ka edhe raste të tjera si, për shembull, Kroacia. Sot, Kroacia është plotësisht e integruar në Bashkimin Europian. Është një vend që ka bërë përparim shumë të madh dhe, prapë, ka kaq shumë kroatë, profesionistë, të rinj, që shkojnë drejt Irlandës apo që lëvizin drejt Gjermanisë, sepse duan të marrin një gjë më shumë dhe e duan tani. Kështu, kjo është diçka që lidhet edhe me faktin që, të gjithë e dinë dhe këta të rinj që vijnë nga Shqipëria e dinë se në Britani ka shumë nevojë për punonjës ndërtimi, ka shumë nevojë për drejtues taksish, për drejtues kamioni, për infermierë, ndaj ka lidhje edhe me këtë. Nuk jam këtu të vë në diskutim sovranitetin dhe mandatin e qeverisë britanike për të pasur një politikë për kufijtë dhe për të zgjedhur të jetë e mbyllur ndaj flukseve që mësyjnë drejt Britanisë për një vend pune, por gjithçka ka lidhje pikërisht me këtë. Ka lidhje me motivet ekonomike, me ardhjen, gjetjen e një pune dhe ndërtimin e një të ardhmeje në një vend që ka qenë gjithnjë “qyteti i praruar mbi kodër”.
–Po dhe shqiptarët, edhe vitin e kaluar, kanë qenë kombësia me më shumë kërkesa për azil. Më pak se gjysmës së tyre iu është dhënë azil dhe duhet të përballemi edhe me këtë.
Kryeministri Edi Rama: Ata kërkojnë azil, sepse nuk ka rrugë tjetër. Ata nuk janë pjesë e tregut të lirë të punës, që, për shembull, nuk është rasti i kroatëve, nuk është rasti i rumunëve, i bullgarëve e kështu me radhë. Nga ana tjetër, për shkak të Brexit-it, ju e dini, kanë ndodhur disa probleme, ju keni humbur shumë krah pune nga këto vende, kështu që e gjitha ka të bëjë me ëndrrat dhe shpresat për të marrë atë që imagjinojnë se është më e mira për jetën e tyre tani, pa pritur shumë vite që kjo të realizohet në Shqipëri.
– Po, por kur aplikojnë për azil, shumë prej tyre nuk e marrin. Rreth gjysmës u refuzohen aplikimet dhe ju keni një marrëveshje me Britaninë për t’i kthyer mbrapsht. Si po funksionon kjo?
Kryeministri Edi Rama: Kemi pasur një rritje të shifrave në vitin 2015, kur Europa u godit nga kriza e madhe e refugjatëve dhe ishte momenti kur shumë shqiptarë shkuan drejt Gjermanisë dhe ndërkohë që e rregulluam me Gjermaninë kategorizimin si vendi i sigurt i origjinës, numri u ul, ndaj bërja e azilit më pak e lehtë për t’u përdorur nga njerëzit, të cilët nuk vijnë në të vërtetë se kanë motive politike apo se persekutohen në vendin e tyre, apo se po i ikin luftës, por e përdorin azilin vetëm si mundësi për të qëndruar e për të punuar këtu është njëra prej rrugëve dhe Britania po e bën këtë tani. E dyta, ne duhet të godasim rrjetet që janë ndërkombëtare, nuk janë rrjete shqiptare, por ndërkombëtare. Prandaj është shumë e rëndësishme të ndajmë luftën kundër krimit nga grupet etnike, që nuk mund të etiketohen si grupe që ushqejnë botën e krimit.
Nga ana tjetër, duhet të ketë një sistem vizash që u jep njerëzve mundësi të aplikojnë rregullisht dhe të përpunohen pa kaluar Kanalin, që të vijnë këtu të punojnë, të vijnë e të ofrojnë aftësitë e tyre. Ky është një kombinim faktorësh, që po merr formë dalëngadalë dhe jam i sigurt se kjo çështje do të zgjidhet, por nuk jam i sigurt se të mbyllësh kufijtë dhe të mos i lësh njerëzit të vijnë është më e mira për ekonominë britanike. Megjithatë, nuk më takon mua ta vendos këtë, u takon britanikëve.
– Edi Rama, e vlerësojmë që erdhët të flisnit sot këtu me ne dhe ejani sërish të na thoni lidhur me përparimet që po bëni dhe për marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Shpresoj të mirëpres Kryeministrin në Shqipëri. Kjo është hera e parë që një kryeministër shqiptar vjen në Britani zyrtarisht, por ende nuk ka pasur një kryeministër në histori që të vijë zyrtarisht në Shqipëri. Toni Blair e vizitoi, por ishte për shkak të luftës në Kosovë dhe me shprese do të kemi një kryeministër tuajin që do të vijë dhe do t’ju kemi edhe ju që të na intervistoni nga Tirana.
– Tingëllon si plan i mirë. Kur mund të ndodhë kjo?
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di, nuk e di. Shpresoj që nuk do të presim një kryeministër tjetër që të presë kryeministrin britanik në Tiranë.
-Mirë. Edi Rama, kënaqësi që ju pata. Faleminderit
Albania
E tmerrshme në Pogradec, i moshuari përdhunon 12-vjeçaren
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Piskupat. Një 12-vjeçare nga ky fshat është përdhunuar brutalisht para 4 muajsh nga një 67-vjeçar po nga i njëjti fshat.
Ngjarja ka ndodhur 4 muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm tani pasi 12-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe është 4-muajshe.
E mitura e terrorizuar nuk u ka treguar prindërve të saj për ngjarjen pasi 67-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht se do ta vriste në raste se i tregonte prindërve.
E mitura në praninë e psikologut janë pyetur mbrëmjen e sotme për orë të tëra në prokurori ku ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe se si autori e kishte përdhunuar me forcë duke e lidhur, në banesën e tij.
Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë atë pasi ajo po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë dhe mjekët i kanë informuar se vajza ishte shtatzënë 4 muajshe.
Fill pas kësaj vajza ka treguar më pas ngjarjen dhe sesi 67-vjeçari e kishte përdhunuar në banesën e tij, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Mësohet se autori është baba i 4 fëmijëve si dhe është edhe gjysh. Ndërsa mitura tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe psikologëve pasi është në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
Albania
Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
Nga Auron Tare:
Në arkivat amerikanë të Luftës së Dytë Botërore ruhet një dokument befasues: Dosja e Shqipërisë në kuadër të “Komisionit Robert”, një grup ekspertësh të universiteteve më të rëndësishme amerikane, mes tyre edhe Harvardit. Qëllimi i këtij komisioni ishte i jashtëzakonshëm për kohën: hartimi i listave të pasurive kulturore në Europë që duhej të shpëtoheshin me çdo kusht gjatë operacioneve ushtarake.
Në një botë të përfshirë nga lufta totale, kur qytete të tëra po fshiheshin nga hartat, ky ekip shkencëtarësh dhe historianësh punonte ditë e natë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të popujve – përfshirë edhe tonën.
Shqipëria në sytë e Harvardit
Në Dosjen e Shqipërisë, ekspertët amerikanë kishin përpiluar me imtësi një listë të zonave me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike dhe kulturore:
trashëgimia ilire, gjurmët e qytetërimeve greke, romake, bizantine dhe çdo sit që duhej shmangur nga bombardimet.
Madje kishin hartuar edhe harta të posaçme me pikat që s’duhej të prekej as një bombë, as këmbësoria amerikane në rast zbarkimi.
Në faqen e parë të raportit të tyre, të ruajtur sot në Harvard, theksohet qartë rëndësia e madhe e trashëgimisë ILIRE – një prioritet i padiskutueshëm për studiuesit amerikanë.
Ironikisht, kjo është po ajo trashëgimi që sot disa pseudo-arkeologë të “shkollës së re internacionale” në Shqipëri e shohin si mbetje të nacionalizmit komunist dhe për këtë arsye e shpërfillin.
Ironia që djeg
Këtu fillon ironia e madhe historike:
Në kohë lufte, kur Europa digjej, akademikët amerikanë angazhoheshin për të mbrojtur pasuritë tona kulturore…
Ndërsa pas viteve ’90, në kohë paqeje, shumë prej këtyre thesareve u lanë të rrënohen, u grabitën, u zhdukën ose u shkatërruan nga vetë shqiptarët – më keq se çdo bombardim i mundshëm i aviacionit amerikan.
Ndërtesa, kështjella, objekte arkeologjike, muze, site të lashta – një pasuri mijëravjecare.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
UK16 hours agoBashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së
