Në Forumin e Ndërlidhjes Infrastrukturore me vendet e Ballkanit dhe Evropës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar tri projekte hekurudhore, ndër to edhe atë që lidh portin e Durrësit me Prishtinën, përkatësisht me korridoret e Evropës Qendrore dhe Lindore. Bashkimi Evropian është zotuar të japë 30 miliardë euro fonde në formë investimesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për infrastrukturën rrugore, digjitale dhe hekurudhore
Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë, si arterie e rëndësishme për korridoret që lidhin me Evropën Qendrore dhe Lindore, është prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë punimeve të Forumit të Ndërlidhjes Infrastrukturore mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës që mbahet në Tiranë. Tema e këtij edicioni përshkruan përpjekjet e përbashkëta të bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Evropës Juglindore në angazhimin aktual të rimëkëmbjes dhe rritjes pas COVID-19.
Rama, krahas projektit që lidh Shqipërinë me Kosovën, ka përmendur edhe dy projekte të tjera hekurudhore që nisin nga Durrësi, përkatësisht në drejtim të Malit të Zi dhe të Maqedonisë Veriore.
“Jemi tashmë, më së fundmi, duke parë punën të fillojë për hekurudhën Tiranë – Durrës, që ka qenë një proces i gjatë. Aktualisht na duhet që ta lidhim Durrësin me Malin e Zi, në kuptimin hekurudhor, sepse në të kundërtën, atëherë nuk ka kuptim. Lidhja e Durrësit me Hanin e Hotit dhe nga Hani i Hotit me Malin e Zi do të nxisë tregtinë. Paralelisht me këtë, ne jemi sigurisht të interesuar dhe presim me padurim që të punojmë edhe për hekurudhën tjetër, Durrës – Prishtinë dhe më pas të lidhet me Nishin, që sërish e sjell të gjithë investimin në një rrjet më të gjerë, jo vetëm rajonal, por edhe evropian”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Dhjetë ditë më parë, Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike (QSHSS) ka publikuar një raport të detajuar, ku argumenton arsyet pse është i rëndësishëm ndërtimi i hekurudhave që lidhin Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Autori i këtij studimi, Geri Selenica, argumenton se iniciativa e Qeverisë shqiptare për të ndërtuar portin e ri në Porto Romano në Durrës është një nismë serioze që kanalizon miliona euro drejt Shqipërisë, por ky projekt duhet të plotësohet me rrjetin hekurudhor. Ky studim i është paraqitur Qeverisë së Kosovës, por ende nuk i është dorëzuar Qeverisë së Shqipërisë.
Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike e quan të gabuar idenë e lidhjes hekurudhore të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sipas autorit të studimit Geri Selenica, këto ide janë promovuar nga njerëz pa vizion, ose me synimin për t’i izoluar Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat “de-facto” janë jashtë korridoreve hekurudhore evropiane.
“Me lidhjen hekurudhore nga Mali i Zi, Shqipëria “de-facto” ka një izolim hekurudhor, pasi hekurudha nga Mali i Zi nuk plotëson kërkesat për “freight”(mallra), pasi kalon në lartësinë 1100m, ka mbi 100 ura të dobëta që s’mbajnë ngarkesa të mëdha aksiale dhe mbi 100 tunele të amortizuar”, thekson studimi.
Në bashkëpunim me disa firma inxhinierike, QSHSS-ja ka studiuar pesë rrugë opsionale të lidhjes hekurudhore Shqipëri-Kosovë përmes lumenjve Kir, Drin, Gjadër dhe Mat, duke konkluduar se rruga më e shkurtër dhe më efikase për të lidhur Shqipërinë me rrjetin hekurudhor të BE-së (Korridori C11) është përmes Prishtinës – Nishit (Doljevac).
Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë se fundmi iniciativën për një port të ri në Porto Romano të Durrësit. Kjo iniciativë, sipas studimit, është një nismë serioze në rajon, pasi kanalizon miliarda euro drejt Shqipërisë dhe minon balancat tregtare dhe gjeopolitike rajonale të vendeve, si Greqia, Italia, Kroacia, Sllovenia, Malta, etj.
“Pra, janë pikërisht këto vende që nuk kanë interes të kenë një port të madh në Shqipëri. Madhësia e portit është shumë kritike për të gjithë përfitimin e rrjetit hekurudhor dhe autostradës shqiptare, por edhe të gjithë ekonomisë shqiptare. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se Ballkani Perëndimor nuk mund të krijojë një treg që do të jetë i mjaftueshëm për një port të madh komercial, por kjo arrihet vetëm nëse porti shërben kryesisht si një urë transiti drejt tregjeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përpunuar gjeneratat e reja të anijeve trans-oqeanike që vijnë nga Suezi (Lindje) dhe Gjibraltari (Perëndim), të cilat për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjive oqeanike nuk mund të përpunohen në shumicën e porteve në Evropë”, thuhet në studim.
Sipas studimit të QSHSS-së, një port në Shqipëri mund të përpunojë mbi 2 milionë kontejnerë në vit (ose 10-fishi i sasisë së planifikuar për portin e ri në Porto Romano), nga të cilët mbi 500.000 kontejnerë mund të transportohen në brendësi përmes hekurudhave dhe autostradave, me një fitim prej dhjetëra e miliona eurosh. Plus disa milionë tonë minerale në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.
“Për te rritur vlerën e shërbimeve Porto Romano duhet të shoqërohet me dy porte të thata në Tiranë dhe Prishtinë. Sidomos “Porti i Thatë i Prishtinës” mund të bëhet nyja kyçe e ekonomisë së Kosovës, ku mund të punësohen direkt 15.000 vetë dhe indirekt 25.000 vetë. Për këtë kemi studime krahasuese që ia kemi paraqit Qeverisë së Kosovës dhe po te doni ja japim edhe qeverise shqiptare. Gjithashtu nëse bëhet rafineria e Porto Romonos, porti mund të përpunojë mbi 150.000 fuçi nafte në ditë”, thuhet në studim.
Edhe Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare në korrik të vitit shkuar i ka rekomanduar Bashkimit Evropian ndërtimin e një rrjeti linjash hekurudhore të shpejtësisë së madhe dhe në të parashikohet edhe përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas studimit, në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Shkodër nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë në krah të Rrugës së Kombit për të hyrë në Kosovë.
Një vit më parë, në Tiranë, u mbajt mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja e dy qeverive u përmbyll me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit dypalësh ku e para kishte të bënte me transportin hekurudhor ku ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit mbi Bashkëpunimin në Fushën e Transportit Hekurudhor.
Në mes të shtatorit të këtij viti u mbajt në Beograd, samiti hekurudhor, ku ministrat e rajonit nënshkruan një marrëveshje për rrjetin hekurudhor. Ky samit është organizuar nga Komuniteti i Transportit, Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu, tha pas samitit se është kërkuar që të ndërtohet një linjë hekurudhore nga Prishtina për në Nish, por, sipas tij, ky projekt do të kishte efekt, vetëm nëse lidhet edhe me Durrësin.
Shumë investitorë kanë shprehur interesim për projektin e hekurudhës Milot-Kukës-Prizren. Ato janë kompania amerikane “Bechtel”, “Europian Investment Bank”, “Intesa San Paolo Bank”, “Engel Invest”, “Strabag” dhe “China Railways”. Partnerët e tjerë strategjikë potencialë janë edhe “Deutsche Bank”, “FS Italian”, “WSP”, “Parsons” dhe “Brinckerhoff”.
Fizibiliteti tregon se hekurudha Milot-Morinë ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe kushton afro 500 milionë euro. Bashkimi Evropian do të japë 30 miliardë euro fonde në formë investimesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për infrastrukturën rrugore, digjitale dhe hekurudhore.