“Rock and roll-i” është magji dhe si me një magji, Liam dhe Noel Gallagher, dy vëllezërit legjendarë të grupit Oasis, u rikthyen bashkë në skenë, duke e bërë realitet një nga ribashkimet më të shumëpritura në historinë e muzikës moderne.
“Kjo nuk është një provë. Po ndodh vërtet, Cardiff,” shfaqej në ekranet gjigante të stadiumit Principality, ndërsa tituj gazetash dhe reagime nga rrjetet sociale pasonin njëri-tjetrin, duke rikujtuar lajmin që tronditi botën e muzikës, Oasis janë bashkuar pas 16 vitesh. Plot 5.795 ditë kishin kaluar që nga koncerti i tyre i fundit.
Koncerti nisi me këngën “Hello”, një përshëndetje simbolike ndaj publikut pas një mungese të gjatë. Më pas, “Acquiesce”, një këngë ku të dy vëllezërit ndajnë vokalin, solli një mesazh domethënës për publikun. Sidoqoftë, për 70 mijë fansat e mbledhur në stadium, ajo natë ishte më shumë se një koncert, ishte një udhëtim emocional në të kaluarën, në ëndrrat dhe iluzionet e një brezi të tërë.
Noel, me një këmishë xhinsi dhe një qëndrim të sigurt, dominonte skenën. Liam, si gjithmonë, i qëndrueshëm para mikrofonit, mbetej magnetik. Në një moment, para këngës “Cigarettes & Alcohol”, ai u kërkoi të gjithëve të kthenin shpinën dhe të përqafoheshin. Askush nuk e kuptoi pse, por të gjithë e bënë. Ky është ndikimi i një frontmeni të vërtetë.
Edhe pse kontaktet mes dy vëllezërve ishin të kufizuara, një përqafim i përmbajtur mjaftoi për të treguar se, të paktën për atë natë, tensionet ishin lënë mënjanë. Bashkë me ta në skenë ishin Andy Bell, Gem Archer, Paul “Bonehead” Arthurs dhe Joey Waronker. “Supersonic” ndezi atmosferën, përpara se Liam të largohej për një pushim, dhe Noel të merrte drejtimin me këngë më të qeta si “Talk Tonight”, “Half the World Away” dhe “Little By Little”.
Rikujtojmë se ndarja e grupit ndodhi në vitin 2009 në Paris, pas një sherri të ashpër, ku Liam, sipas raportimeve, thuhet se kishte goditur me kitarë në drejtim të vëllait të tij. Që atëherë, marrëdhënia mes tyre u karakterizua nga heshtja, thumbat dhe armiqësia publike, si dhe një boshllëk i thellë në skenën e rock-ut.
Kjo mungesë e gjatë shkaktoi një etje të jashtëzakonshme mes fansave: për koncertet e para në Britani dhe Irlandë u regjistruan mbi 10 milionë kërkesa nga 158 vende për vetëm 900 mijë bileta, çka solli një rritje të çmendur të çmimeve për shkak të sistemit të çmimeve dinamike.
Tani janë planifikuar 41 koncerte deri në fund të nëntorit, në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Azi dhe Oqeani. Europa pritet të përfshihet në turne gjatë verës 2026.
Cardiff u përfshi nga entuziazmi: 150 mijë persona në dy net, trenat nga Londra të tejmbushur, familje me fëmijë që nuk kishin lindur kur Oasis u ndanë, birra, fanella vintage dhe kapelat klasike nëpër çanta. Liam rikthehet për të kënduar “Stand By Me”, e kthyer në një kor masiv plot emocione. “Live Forever” iu dedikua futbollistit të ndjerë të Liverpool-it, Diego Jota. Pastaj erdhën bis-et e pandalshme: “Don’t Look Back in Anger”, “Wonderwall” dhe “Champagne Supernova” — himne të një brezi të tërë, që tingëllojnë po aq të fuqishme edhe pa “katalizatorët” e dekadës së kaluar.
Ky koncert ishte një udhëtim në vitet ‘90, kohët e “Cool Britannia”, kur Londra ishte epiqendra kulturore e botës. Epoka e përplasjes Blur-Oasis, Tony Blair dhe modelit të ri politik, shefëve si Gordon Ramsay që ktheheshin në yje televizivë, letërsisë pop të Nick Hornby dhe Irvine Welsh, dhe artit të Damien Hirst.
Në qendër të koncertit ishin dy albumet e parë dhe më të famshëm të Oasis, Definitely Maybe (1994) dhe (What’s the Story) Morning Glory? (1995), ky i fundit që pritet të ribotohet në një edicion festiv këtë vjeshtë.
Për një natë, përtej Brexit-it, politikës dhe zhgënjimeve të kohëve moderne, yjet e vërteta të rock and roll-it ishin sërish ata Liam dhe Noel Gallagher./