Në Bërdo të Sllovenisë po zhvillohet samiti mes liderëve të Bashkimit Europian dhe krerëve të Ballkanit Perëndimor, ku diskutohet perspektiva europiane e rajonit.
I pranishëm është edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në nisje të samitit Presidentja e Komisionit, Europian Ursula von der Leyen u shpreh se është në interesin e Bashkimit Europian zgjerimi i unionit dhe sot do të shprehin rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për bllokun. Von der Leyen nënvizoi se do të investohen 30 miliardë euro (34.7 miliardë dollarë) në Ballkan gjatë shtatë viteve të ardhshme për të mbështetur rimëkëmbjen nga pandemia e coronavirusit dhe për të përshpejtuar kalimin në energji të rinovueshme.
“Ky është një samit i rëndësishëm me Ballkanin Perëndimor. Duam të çojmë një mesazh të rëndësishëm; rajoni është pjesë e unionit dhe ne duam që ai të jetë pjesë e unionit. Ne duam familjen europiane, ne ndajmë të njëjtat vlera dhe jam e bindur se ndajmë të njëjtin fat. 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë një rrugë të gjatë, kanë ndërmarrë shumë reforma dhe kanë ende shumë për të punuar mbi reformën në drejtësi, gjyqësor, lirinë e medias, por duhet të njohim progresin që kanë bërë. Ata janë partnerët tanë kryesore. Mendoj se Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, u shpreh Von der Leyen.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha para nisjes së Samitit se nuk është aspak i lumtur me qëndrimin që po mban Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, vendim që po pengon edhe nisjen e bisedimeve për Shqipërinë.
“Duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut janë ende të bllokuara. Mendoj se duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shumë shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë”, tha Rutte.
Kancelari austriak Kurz u shpreh se nëse Bashkimi Evropian nuk ofron një perspektivë serioze për këtë rajon, atëherë duhet të jenë të vetëdijshëm se superfuqitë e tjera si Kina, Rusia apo edhe Turqia do te luajnë një rol gjithnjë e më të fortë në Ballkan.
Më skeptik vijon të shfaqet shefi i Elizesë. Para darkës së udhëheqësve të BE, Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se blloku prej 27 vendesh duhet të bëjë më shumë për të menaxhuar krizat në kufijtë e tij dhe për të qenë përgjegjës për sigurinë e tij.
Në fund të takimit, udhëheqësit e BE -së pritet të miratojnë një deklaratë, ku nënshkruajne edhe liderët e Ballkanit Perëndimor. /Euronews