Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, përmes një postimi në uebfaqen e tij ka dhënë katër parime fundamentale për zgjidhjen përfundimtare të telasheve në Ballkanin Perëndimor, teksa ka thënë se propozimet e tij nuk do të kënaqnin askënd, por do t’i frenonin të gjithë.
Respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial aktual të shteteve të pavarura në Ballkan, respektimin e të drejtave të minoriteteve, reciprocitetin si parim dhe që çështjet sociale e politike të trajtohen në nivel më të ulët, Serweri i ka parë si parimet fundamentale për zgjidhjen e çështjes së Ballkanit.
Ai ka vlerësuar se është koha që Perëndimi të veprojë menjëherë, para se Rusia e Kina të minojnë edhe më shumë demokracinë në Serbi për të rritur ambiciet rajonale të Beogradit e dobësimin e Bosnjes dhe Malit të Zi si dhe të zgjidhë çështjet e Bosnjës dhe Kosovës.
“Nëse rajoni ngelet në autopilot, mund të presim rritje të jostabilitetit, konflikte etnike, dobësi shtetërore, rritje të migrimit e restaurime autoritare. Nuk ka vend më të mirë në botë për të demonstruar zbatueshmërinë dhe benefitet e një qeverie demokratike se në Ballkanin Perëndimor, ku shumica e shteteve tashmë kanë përmbushur shumicën e transicionit të kërkuar, qytetarët duan shoqëri të hapur e demokratike dhe problemet e tyre kërkojnë investime të pakta, shpesh diplomatike, për të kompletuar procesin”, ka shkruar ai.
Për Kosovën dhe dialogun me Serbinë, Serweri ka thënë se s’ka nevojë për nguti që dialogu të ringjallet. Teksa ka kujtuar se Vuçiqi është shprehur se s’do ta njohë Kosovën shtet para zgjedhjeve të ardhshme në pranverën e 2022-s në Serbi, Serweri ka thënë se pas kësaj periudhe SHBA-ja, Britania dhe shtetet e BE-së që njohin Kosovën të bëjnë presion te shtetet mosnjohëse dhe të sigurojnë që të paktën të kryhet liberalizimi i vizave.
Te Serbia, Serweri ka thënë se duhet të ngjallet debati serioz se si është humbur Kosova dhe përse ajo s’mund të kthehet më. Në Kosovë ka propozuar të ketë diskutime për respektimin e të drejtave të komunitetit serb dhe përse “bashkimi me Shqipërinë s’është veç ide e keqe, por edhe shkatërruese”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të vazhdojë sapo që të jenë të gatshme dy palët, por vetëm nëse janë të dyja mbështetëse në dialog e jo me tentime për minim të njëra-tjetrës, siç bëjnë sot. Në fund, Serbia duhet të përgatitet për pranimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara dhe të themelojë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh. Asgjë më pak s’duhet të jetë e pranueshme për SHBA-në, BE-në e Britaninë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se s’ka shpresë që Bosnja të bëhet shtet funksional pa ndryshime kushtetuese e duke eliminuar ndarjet etnike. Serwer ka rekomanduar “një dorë të fuqishme” që të intervenojë duke përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas tij, një treg i përbashkët rajonal do të sillte përmirësime në konkurrencë e do të rriste të hyrat.
Ka thënë se e gjithë kjo duhet të vijë kur të përfundojë COVID-19 dhe kur të kalojë recesioni i përgjithshëm.