Albania
Shqipëria në syrin e një shkrimtari britanik: Të jetosh nën hijen e Italisë
Shqiptarët e kanë prejardhjen prej popujve më të lashtë evropianë, ilirëve. Vendi u krijua vetëm pas vitit 1912 me rënien e pushtetit osman në Evropë. Sundimtari i parë i tyre, prijësi i lavdëruar mysliman Mbreti Zog, u përzu nga Musolini kur Italia fashiste pushtoi vendin në vitin 1939. (Zogu u vendos në Londër për pak kohë në Ritz.) Pesë vjet më vonë gjermanët nazistë u dëbuan nga rezistenca shqiptare e Enver Hoxhës. Nga pamja e jashtme, si stalinist, Hoxha ishte një figurë osmane me origjinë myslimane, e cila terrorizoi çifligun e tij ballkanik përmes vrasjeve hakmarrëse, spastrimeve dhe zhdukjes së armiqve të klasës. Shqipëria ka jetuar prej kohësh nën hijen e Italisë. Javën e kaluar, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, thuhet se u zemërua kur plani i saj për të dërguar azilkërkues në Shqipëri u bllokua nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe emigrantët u kthyen në Itali nga një qendër paraburgimi në “përtej detit”. Ajo nuk ka gjasa të heqë dorë.
Për herë të parë vizitova vendin e trazuar të Ballkanit në vitin 1988, kur në krye ishte pasardhësi i vajosur i Hoxhës, Ramiz Alia. E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha (“Zonja Makbeth e Ballkanit”), ishte dora e fshehur pas policisë sekrete të frikshme të Sigurimit. Duke qenë se turistët individualë nuk lejoheshin të hynin, unë shkova me një grup prej 20 miqsh të Akademisë Mbretërore Skoceze. Midis tyre ishte edhe Lady Rosebery (“Një konteshë!” gulçoi udhërrëfyesi ynë shqiptar). Në një kasolle doganore në kufirin Jugosllav, njërit prej grupit tonë i rruan mjekrën, pasi mjekra ishte sinonim i ortodoksisë greke dhe ishte e ndaluar.
U riktheva në Shqipëri së fundmi me gruan time në një udhëtim ecjesh nëpër Bjeshkët e Nemuna që kufizohen me Kosovën dhe Malin e Zi. Një natë para se të largoheshim, në Café Oto në Londër, pamë kompozitorin Dave Smith duke performuar fantazinë e tij, “Verë Shqiptare” me Jan Steele në saksofon dhe gruan e tij Janet Sherbourne në piano. Muzika, hipnotikisht e mirë, ishte e ndikuar me ritmet popullore osmane që Smith kishte mbledhur gjatë vizitave në malësitë shqiptare gjatë regjimit 40-vjeçar të Hoxhës. Ideja jonë ishte të ndiqnim gjurmët e etnografes eduardiane Edith Durham, e cila në fillim të viteve 1900 kaloi nëpër malësi me një fund Burberry të papërshkueshëm nga uji dhe një kapelë golfi, duke regjistruar zakonet fisnore. Shqiptarët u morën aq shumë me të dhe me librin e saj “Shqipëria e epërme”, sa e kurorëzuan si “Mbretëresha e maleve”.
Nga hoteli ynë në rrugën “Edith Durham” në qytetin verior shqiptar të Shkodrës, u nisëm për në Bajram Curri rreth 30 milje në perëndim të kufirit serb. Fshati ishte një grumbull i egër pyjesh gështenjash dhe pellgje moçalesh. U ngjitëm lart përmes livadheve alpine drejt Valbonës, me mjegullat e parregullta të malit të Shkëlzenit nga larg. Malësitë ishin të zëna me ekskursionistë. Shqipëria është destinacion turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë. Në katundin malor të Thethit hasëm në një strehë pjesërisht të rrënuar të njohur si “kullë”. Vështirë se ndonjë nga këto kulla ka mbijetuar në Shqipëri. Në kohën parakomuniste ato shërbenin si strehë për shqiptarët e kapur nga gjakmarrja. Kulti hakmarrës i epokës osmane të “gjak për gjak” sanksionohet nga kushtetuta e lashtë fisnore e Shqipërisë e njohur si Kanuni, të cilin ilirët e kodifikuan. Enver Hoxha bëri një përpjekje të nxjerrjes jashtë ligjit të Kanunit si tribalizëm i prapambetur ballkanik, por ai u rishfaq që pak kohë pas rënies së komunizmit.
Në një vizitë në Theth 30 vjet më parë, takova një grua të moshuar që ishte fejuar nga babai i saj që në mitër, në përputhje me Kanunin. “Dhe tani shiko me kë përfundova!” – bëri shenjë ajo nga një pasha me pamje të dobët, i shtrirë në shtrat me kokën tullë të bardhë. “Eha, boll, plaka ime e dashur” – kundërshtoi ai. Motori i madh i hakmarrjes – ideja e vjetër e pastrimit me gjak – ishte tema e romanit “Prilli i thyer” i shkrimtarit të ndjerë shqiptar Ismail Kadare. Gjaku do të jetë gjithmonë i shpejtë në Shqipëri – dhe në lindje të Londrës gjithashtu. Bandat shqiptare që kanë kapur tregun e kokainës në Britaninë e Madhe respektojnë kodin e kanunit të besës, domosdoshmërinë e mbajtjes së një premtimi. Gjak për gjak siguron besnikërinë e bandës.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një vend i zhurmshëm sot me një sërë baresh. Përballë vilës së madhe të zbrazët të Hoxhës është një prej KFC-ve. Fëmijët e Hoxhës kërcënuan me veprime ligjore kur u njoftuan planet për ta kthyer vilën në një “Muze të Shtypjes”. Enveri dhe Nexhmija besohet se kishin 25 frigoriferë, 28 televizorë me ngjyra dhe 19 linja telefonike. Enveri ishte i njohur për dashurinë e tij për filmat e Norman Wisdom, të cilët tallen me pronarët e fabrikave. Asnjë nga Sigurimi i tij nuk doli në gjyq për torturat apo mizoritë e tjera.
Nexhmija vdiq në vitin 2020 në moshën 99-vjeçare. E intervistova kur ishte në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit në vilën e Partisë nr. 6 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Statuja prej bronzi e Enverit sapo ishte rrëzuar. “Kjo ishte më e dhimbshme për mua sesa vdekja e tij” tha ajo. Nexhmija dhe burri i saj ekzekutuan më shumë se 6 000 kundërshtarë politikë shqiptarë, burgosën rreth 34 000 (1 000 prej të cilëve vdiqën) dhe dërguan 59 000 në internim të brendshëm. Shqipëria nën Hoxhën ishte një model i vetë-djegur i planifikimit stalinist.
Natën tonë të fundit në Shqipëri darkuam në liqenin e Shkodrës, peshk krap, gjizë dhe bukë misri. Kamerieri kishte mjekër.
©Marrë nga “The Spectator”. Përshtati në shqip LAPSI.al
Albania
Pagat e mjekëve dhe infermierëve, 135 euro më shumë për bluzat e bardha
Bluzat e bardha janë rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë. Në konferencën e fundvitit, kryeministri Rama njoftoi se do të ketë rritje pagash për mjekët dhe infermierët, duke thënë se paga parashikohet të rritet me 135 euro në muaj, sipas kategorive ndërsa do të përfshihet edhe njohja e vjetërsisë në punë dhe vlerësimi i saj në skemën e pagesës.
Por, kjo nuk është hera e parë që mjekët dhe infermierët kthehen në vëmendjen e qeverisë.
Në vitin 2017, për mjekët e urgjencës, reanimacionit, etj, paga u rrit me 18,000 lekë/muaj, ndërsa për infermierët dhe teknikët e laboratorit në urgjencë, pagat u rritën me 12 mijë lekë/muaj.
Ndërkaq, për mjekun e parë në qendrat spitalore universitare, pagat u rritën me 6,000–8,000 lekë për dhe 5,600–7,600 lekë për mjekun e dytë.
Një tjetër rritje prej 5% i aplikua në vitin 2018.
Në 2021, si mbështetje për pandeminë Covid-19, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 40%, p.sh. paga mesatare bruto e infermierëve shkoi nga 50,890 lekë në 65,700 lekë.
Ngaa 1 korriku 2022 u aplikua rritja e paralajmëruar me 6%, ndërsa në 2023 u pasua me një tjetër rritje të komunikuar me 7%.
Në 2024, qeveria miratoi një paketë tjetër me efekt nga 1 korriku 2024, që u shoqërua me riformatim të skemës së pagave, duke shfuqizuar edhe skemën e vjetër të vitit 2011.
Këto ndryshime janë prezantuar në vite, si pjesë e masave për forcimin e sistemit shëndetësor dhe mbajtjen e burimeve njerëzore në shërbim, në një periudhë kur Shqipëria është përballur me presion të vazhdueshëm mbi stafet, sidomos në specialitete dhe shërbime kyçe.
Albania
Ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, rritet vjetërsia në punë për burrat
Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Reforma e ndërmarrë 11 vite më parë parashikoi një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.
Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 62 vjeç, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.
Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2026 duhet të ketë 39 vjet. E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë. Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë.
Mosha e daljes në pension, në vitin 2026
Burra 65 vjeç
Gra 62 vjeç
Vjetërsia në punë
Viti 2025 38 vjet e 8 muaj
Viti 2026 39 vjet
Albania
Mbërrin në Rinas dhurata “VIP” e Erdogan për Ramën dhe qeverinë shqiptare
Qeveria e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, ka vendosur që ti bëjë një dhuratë (avion), kryeministrit shqiptar Edi Rama. Më herët u raportua se ky avion i jepet qeverisë shqiptare në kuadër të një marrëveshjeje bilaterale dhurimi.
Sipas dokumentit të siguruar nga WebLajm, bëhet fjalë për një avion, modeli A319-115J – 1002, i cili mësohet se prej 29 dhjetorit 2025 Avioni i dhuruar nga Qeveria e Turqisë për Qeverinë Shqiptare është parkuar në Rinas. Siç është bërë me dije më herët, avioni është dorëzuar pa asnjë detyrim financiar nga ana e palës përfituese, ndërsa Turqia ka mbuluar kostot e transferimit.
Të dhënat e avionit: Airbus A319-115J, me moshë 26.4 vite, është njo model i prodhuar më datë 14.8.1999, regjistruar në fluturim në shkurt të vitit 2000. Sipas mediave turke, avioni i konfiguruar për përdorim qeveritar ka një vlerë prej 11.9 milionë dollarë. Avioni, i regjistruar me kodin TC-GVC, me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operime fluturimi.
Marrëveshjes së firmosur mes dy qeverive e përkatësisht nga pala jonë, Ministri i Mbeojties Pirro Vengu, parashikon:
-Pronësia e avionit i kalon plotësisht shtetit shqiptar
-Shqipëria merr përsipër kostot e mirëmbajtjes, operimit dhe sigurimit
-Avioni duhet të sigurohet sipas standardeve ndërkombëtare të aviacionit
-Përdorimi i tij parashikohet për qëllime zyrtare shtetërore
Sipas qeverisë turke kjo është “pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve”. Marrëveshja bilaterale thekson se dhurimi synon të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht në kuadër të Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, me të dyja palët që shprehin dëshirën për t’i forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë, ndërsa shërben gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet e integrimit të Shqipërisë, thuhet në të.
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK6 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania6 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports6 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
