Viti 1878. Një gazetar i syrgjynosur prej një viti në ishullin e Lezbosit po rrinte përgjysmë i kërrusur mbi letrën që po nxihej nga boja e pendës. Po i shkruante një oficeri riosh mbi atë që kishte nisur të pëshpëritej gjithnjë e më shpesh: zëvendësimi i shkronjave arabe me alfabet latin.
E kishin zëruar aktivistë shqiptarë në përpjekjet e tyre për t’i siguruar shqipes të drejtën për të fituar statusin e gjuhës së shkruar. Kjo e kishte ngrysur intelektualin 38-vjeçar, Namik Kemal. Me pasojat e rrezikshme që mendonte se do të kishte një gjë e tillë, në letrën drejtuar Menemenli Rifatit, ai po i hidhte idetë e tij mbi këtë çështje. Shqipja, sipas tij, nuk duhej të shkruhej, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne nuk mund të universalizojmë gjuhën tonë mes bullgarëve dhe grekëve, por është goxha e mundur ta bëjmë këtë mes myslimanëve si shqiptarët dhe llazët. Kjo mund të jetësohet vetëm përmes zbatimit të strategjive të përshtatshme; është e mundur me hapjen e shkollave”, shkruante më 30 gusht 1878 intelektuali i degdisur në Lezbos me urdhër të sulltan Abdyl Hamidit.
“Brenda njëzet vjetësh, madje edhe me zbatimin e ligjeve të tanishme të pamjaftueshme arsimore, gjuhë si shqipja dhe llazishtja do të harrohen tërësisht”.
Sipas studiuesit Kamal Soleimani, një pjesë e intelektualëve osmanë të kohës, përfshirë edhe Namik Kemalin, avokonin me zell për një ringjallje të identitetit islamik të Perandorisë Osmane, por edhe mbronin shkatërrimin (“imha”) e identiteve jo-turke.
“Përpjekja dhe shpresa e intelektualëve myslimanë osmanë për eliminimin e gjuhëve joturke përbënte prapavijën sociopolitike dhe kulturore të ligjërimit islamik hamidist dhe unitetit islamik. Ndikimi i osmanëve të rinj në Abdyl Hamidin është i mirënjohur”, shkruan studiuesi Soleimani në librin e tij “Islam and Competing Nationalisms in the Middle East”.