Nga Prof. Perparim Kabo
Historia na kujton se para se të dëgjojmë krismat e armëve dhe të shohim si vriten njerëzit, do të duhet të hyjmë në ato hapësira të errëta ,ku jepen komandat, dhe të njohim gjithashtu se cilët janë njerëzit që i marrin këto vendime. Duhet hedhur dritë se si gjykohet dhe diskutohet atje , sa kushton jeta e njeriut për ata që luftën e quajnë zgjidhje? Cilat janë motivet dhe shkaqet apo argumentet që parashtrohen për të thënë atje fillimisht :’’Zjarr !’’ Më tej bota sheh shfaqjen reale, që duket sikur është historia që ne duhet të njohim. Është një tezë e gjithëpranuar nga historiografia shkencore, se në gjykimin e ngjarjeve duhen faktet e besueshme, por, përveç tyre, ka shumë rëndësi intepretimi që u bëhet. Nëse faktet nuk janë të mjaftueshme, mund të nxirren përfundime jo të drejta dhe jo shteruese, që e lënë hapur diskutimin. Por, nëse intepretimi i fakteve historike është jo i saktë, atëhere shtrembërimi është në dëm të të gjithë historisë. Ndaj, për ngjarjet e 1956-s hungareze, është e nevojshme që të hedhim dritë për të njohur vendimet e marra nga Kremlini zyrtar në ditët e fundit, në tetor të 1956-s. Presidiumi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e diskutoi çështjen hungareze në 28 tetor, 1956. Shefi i KGB-së, Serov[1], informoi udhëheqjen sovjetike ,duke deklaruar para saj krejt ndryshe se si ishte gjendja, pra, kemi rastin ku manipulohet me faktet. Për pasojë edhe intepretimi i tyre ,si dhe përfundimet që nxirren, janë jo në përputhje me realitetin. Në studimin e tij për këtë problematikë, studiuesi hungarez, Miklós Horváth[2], shkruan: “Në kundërshtim me kushtet aktuale mbizotëruese, -Serovi deklaronte se: “Kryengritësit në Budapest ishin të pasigurt për vazhdimin e rezistencës. Më aktivët favorizuan vazhdimin e luftës. Ata do të pranonin një armëpushim ,vetëm me kushtin që të mund të mbanin armët dhe do të rifillonin më së shumti luftimet në mundësi më të favorshme.”[3] Ky lloj spekullimi i shefit të KGB-së, linte të kuptonte se atje janë armatosur, se ata nuk duan ‘’Ndalim zjarri’’, se pjesa më e madhe e tyre pret mundësinë që të godasë edhe në befasi. Pra, ne duhet të jemi vigjilentë dhe të gatshëm për t’i neutralizuar dhe asgjësuar. Sa herë e kemi takuar në histori këtë lloj argumenti të fabrikuar thjesht si motiv për të mbushur armët dhe për t’i zbrazur ato! Pra ,nga një histori e paqenë, nga një realitet disi i sajuar, u ngritën ngjarjet që pasuan dhe u zhvillua një histori ,sa hungareze, po aq edhe sovjeto-hungareze, sa europiane, po aq edhe botërore. Krushovi që foli në fillim të sesionit, më datën 28 tetor, tha shkurt dhe në mënyrë të thukët, por tejet provokuese:”Situata është duke u bërë edhe më serioze.” Pas këtij lloj “zjarri” retorik, ai që i hodhi benzinë ‘flakëve’ ishte Voroshillovi, i cili u shpreh se duhej vepruar, por me dredhi dhe oportunitet opinionbërës, me qëllim që faktori ndërkombëtar të “hante sapunin për djathë”. Duhej krijuar ‘argumenti’ se ishin pikërisht udhëheqësit komunistë hungarezë, të cilët ndienin rrezikun, dhe ishin po ata që po kërkonin ndihmën sovjetike në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe Kampit Socialist. Po si ishte situata në palën hungareze? Në udhëheqjen e lartë komuniste hungareze,jo të gjithë ishin prosovjetikë. Populli hungarez, rinia shkollore dhe ajo studentore, intelektualët dhe ata që frekuentonin ‘’Klubin Petef’’, punëtorët dhe punonjësit e medias(së paku një pjesë e tyre) ishin për një Hungari jashtë bllokut sovjetik, një Hungari e pavarur dhe demokratike, me pluralizëm politik dhe ku duheshin organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Revolucioni hungarez i 1956-s, kërkonte një Hungari jashtë blloqeve, pra, një Hungari neutrale. Këto ide ata i lidhnin me risjelljen në skenën politike të Imre Nagyt. Ndërsa plani sovjektik shikonte si subjekt kyç në grupin prosovjetik të udhëheqjes komuniste hungareze ,János Kádárin. Voroshilovi[4] sugjeroi që trupat sovjetike të mos tërhiqeshin dhe kryengritja të shtypej me forcë. Presidiumi duhej të përgatiste programin e tij dhe duhej të merrte mbështetjen e një grupi të rëndësishëm hungarez për programin[5]. Kjo ishte deklarata e parë e paqartë, që bënte thirrje për mbështetjen e grupit të rëndësishëm hungarez, si kusht për të shtypur kryengritjen. Siç tregojnë komentet e mëpasshme, një numër në rritje i anëtarëve të Presidiumit shpresonin, prisnin, madje kërkuan nga János Kádári, si aktori kryesor, një zgjidhje të pranueshme për udhëheqjen sovjetike. Më qartë se kaq nuk ka ku shkon, “një zgjidhje të pranueshme për udhëheqjen sovjetike.” Me një gjuhë makiaveliste Voroshillovi ,qartazi, lë të kuptohet që zgjidhja të mos prekte ligjet ndërkombëtare, të mos krijonte reaksion te faktori ndërkombëtar dhe në institucionet ndërkombëtare.Është fakt tashmë i njohur, që problemi hungarez shkoi aso kohe në OKB dhe u ngrit edhe një komision hetimor.[6] Një kurth i tillë të sjell në mendje atë që sajoi Hitleri me pakicën gjermane në Çeki dhe në Poloni ,për të ndërhyrë atje. Po kështu,është e njëjta mënyrë që u përdor me pakicat ruse në Ukrainë dhe gjetjen e motiveve për shpërthimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Në të gjitha rastet, ata që paguajnë janë popujt, civilët e pafajshëm, deri edhe fëmijët. Duket si një marrëzi e vullneteve të shtrembra, që në mënyrë ciklike e risjellin këtë lloj qëndrimi dhe po ata përpiqen me alibi të fshihen pas gishtit. Duke filluar nga ngjarjet e 1956-s në Hungari, logjika e Bashkimit Sovjetik dje dhe pas 1990-s, e Rusisë në ditët tona, ka qenë dhe mbetet: ‘Nëse del nga zona ime e influencës’, unë do e gjej shkakun dhe argumentet ,që ta shtrij këtë influencë sërish ,duke përdorur të gjitha mjetet, që nga diplomacia, mjetet ekonomike dhe deri te ato ushtarake. Nuk habitemi që ende Rusia e shekullit XXI, në rastin e ndërhyrjes në Ukrainë, ka (ri)sjellë në retorikën e saj raportet e forcave mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe premtimet e fuqive të mëdha, pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të dy Gjermanive. E gjitha kjo retorikë përdoret nga propaganda zyrtare, me qëllim për të avancuar argumentin se SHBA, Perëndimi dhe NATO, nuk i kanë mbajtur premtimet. Ne jemi të detyruar përballë historisë t’u kundërpërgjigjemi atyre me të gjitha arsenalet që ne zotërojmë.
Winston Churchill kishte paralajmëruar herët, që në vitin 1946, se çfarë pritej të ndodhte me ato vende ku kishte prezencë ushtarake sovjetike.” Varshava, Berlini, Praga, Vjena, Budapesti, Beogradi, Bukureshti dhe Sofja, të gjitha këto qytete të famshme… shtrihen në atë që duhet ta quaj sfera sovjetike, dhe të gjitha i nënshtrohen në një formë ose në një tjetër, jo vetëm ndikimit sovjetik, por një mase kontrolli shumë të lartë dhe në shumë raste në rritje nga Moska”.[7] Churchilli po nuhaste ngritjen e një konflikti të ri mes blloqeve. Ndofta ai ishte i pari që kuptoi se po krijohej ajo që u quajt “Lufta e Ftohtë”, pas ngjarjeve në Hungari . Në mbledhjen e Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më 31 Tetor 1956, Hrushovi deklaroi në lidhje me raportin e forcave, e citoj:” [Ne] nuk duhet t’i tërheqim trupat tona nga Hungaria dhe Budapesti… Nëse largohemi nga Hungaria, kjo do t’u japë një shtysë të madhe amerikanëve, anglezëve dhe francezëve – imperialistëve. Ata do ta perceptojnë atë si dobësi nga ana jonë dhe do të shkojnë në ofensivë. Atëherë do të ekspozonim dobësinë e pozicioneve tona.”[8]Ky argument ngjan si dy pika uji me ato që thotë sot Putini. Po të largohemi ne nga Ukraina apo nga ish republikat e tjera sovjetike, atje do afrohet NATO, Amerika dhe Britania e Madhe. Këngë e vjetër, për histori të reja. Në thelb është e njëjta filozofi dhe sjellje politiko-ushtarake. ‘Historia magistra vitae est’ (Historia është mësuesja e jetës), -thonin latinët. Puna është si e lexon historinë : si riciklim apo si zhvillim drejt lirisë? Aso kohe, në vjeshtën e vitit 1956, ndodhi që, pavarësisht denoncimit të Stalinit nga Hrushovi, tashmë ishte e qartë se Bashkimi Sovjetik do të vepronte për të ruajtur komunizmin në vendet që konsideroheshin strategjikisht të rëndësishme, edhe nëse kjo nënkuptonte shtypjen e lëvizjeve popullore. Kështu u motivua ndërhyrja në Hungari. Ja si është shprehur në atë kohë Hrushovi, në një fjalim para aktivistëve të partisë, më 4 nëntor 1956:” Ne në Presidium menduam shumë për situatën në Hungari dhe ishim shumë të shqetësuar që ngjarjet që po ndodhin në Hungari të mos përhapeshin në vende të tjera”.[9]
12 vite më vonë, ndërhyrja e armatosur në Çekosllovaki, gjatë Pranverës së Pragës më 1968, ndoqi një model të ngjashëm me Hungarinë. Doktrina e “Sovranitetit të Kufizuar”u shpall nga udhëheqësi sovjetik, Leonid Brezhnev, pas ndërhyrjes në Çekosllovaki. Ai u shpreh se, një kërcënim për sundimin komunist në një vend në bllok, ishte një kërcënim për sundimin komunist në të gjitha vendet dhe një ndërhyrje e justifikuar. Brezhnjevi e përdori këtë për të justifikuar në mënyrë retroaktive ndërhyrjen e dikurshme në Hungari dhe do të përdorej më vonë për të justifikuar pushtimin sovjetik të Afganistanit. Sot Putini e ka modifikuar, duke thënë se afrimi i NATO-s është kërcënim për ne, ndaj Rusia merr masa dhe është e gatshme të përgjigjet me të gjitha mjetet, duke lënë të nënkuptohet deri edhe armët atomike.
* * *
Le të kthehemi te kronika e atyre tri ditëve fatale për popullin hungarez, për të mësuar me detaje se si u diskutua në ato mbledhje të udhëheqjes sovjetike dhe pse u vendos që të ndërhyhej ushtarakisht, duke mos marrë parasysh se armët vrasin jo vetëm palën tjetër ,që i mban ato dhe është kundërshtari yt, por edhe të pafajshëm, vrasin civilë, të rinj, pleq dhe fëmijë. Armët vrasin jetën! Kjo shprehje do të duhet të shkruhet në të gjitha librat e historisë, në të gjitha dokumentet ndërkombëtare, dhe pse jo, në të gjitha kushtetutat. “Gjatë Revolucionit Hungarez të vitit 1956, Mikahil Suslovi ,së bashku me Anastas Mikoyan, operuan në afërsi të Budapestit për të drejtuar aktivitetet e trupave sovjetike dhe për t’i dhënë ndihmë udhëheqjes së re hungareze. Suslovi dhe Mikoyani morën pjesë në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë Socialiste të Punëtorëve Hungarezë, e cila zgjodhi János Kádárin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Në një telegram drejtuar udhëheqjes sovjetike, Suslovi dhe Mikoyani pranuan se situata ishte bërë më e rëndë, por të dy ishin të kënaqur me shkarkimin e Ernő Gerős, si Sekretar i Përgjithshëm dhe zgjedhjen e Kádár-it, si pasardhës të tij.”[10] Sipas Suslovit, i thirrur të linte Budapestin për takimin në udhëheqjen e lartë komuniste sovjetike, “duhej të krijohej një qeveri relativisht e fortë dhe të shtyheshin zgjedhjet, por trupat sovjetike duhet të përgatiteshin të tërhiqeshin nga Budapesti.”Në mënyrë energjike Voroshillovi kundërshtoi, duke argumentuar se prania e trupave sovjetike është mëse e domosdoshme dhe ato nuk duhet të tërhiqen, duke u trajtuar si trupa armike. Këtu ka një element shumë delikat, që meriton edhe sot më shumë dritë shpjeguese. Trupat sovjetike hynë si lirimtare në fund të Luftës së Dytë Botërore, por ato mbeten atje si pushtuese. Populli hungarez nuk i donte më, madje as edhe në kazerma ku ishin të dislokuara. Trupat sovjetike kishin disa muaj që ishin larguar edhe nga Austria, e cila ishte shpallur një shtet neutral. Trajtimi i forcave sovjetike si armike, do të hapte një kapitull të ri në arenën europiane dhe më gjërë. Këto trupa me tytat e nxehta po impononin një sistem politik të padëshiruar. Komunizmi Bolshevik Sovjetik po vinte pas Luftës së Dytë Botërore si një sfidë ndaj demokracisë borgjeze, që bazohej te pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek prona private dhe liritë dhe të drejtat e njeriut. Ajo çfarë kishte paralajmëruar, gati një dekadë më parë, George Kennan, po ndodhte në Hungarinë e 1956-s, ku me forcën e armëve u shtyp Revolucioni Demokratik Hungarez. U vërtetua natyra imperiale ushtarake e Bashkimit Sovjetik. “Në vitin 1946, ndërsa ishte i Ngarkuar me Punë në Moskë, Kennan, i dërgoi Departamentit të Shtetit një telegram me 8000 fjalë – “telegrami i gjatë” tashmë i famshëm, mbi natyrën agresive të politikës së jashtme të Stalinit. Kennan, duke shkruar si “Z. X”, botoi një përmbledhje të filozofisë së tij në revistën prestigjioze ‘’Foreign Affairs’’, në vitin 1947.” E gjitha kjo politikë e Bashkimit Sovjetik u provua në Hungarinë e 1956-s, sepse atje u kërkua rikthimi i pluralizmit politik, dalja nga Traktati Varshavës, dhe një Hungari e pavarur dhe neutrale. Prania e forcave sovjetike dhe përdorimi i forcës së armëve, pohoi se Hungaria ishte jo një vend që gëzonte larine,por një vend praktikisht i pushtuar.
Në mbledhjet e famshme të udhëheqjes së lartë sovjetike, në një klimë diskutimesh okulte për 2 -3 ditë, u parashtruan mendimet dhe alternativat mes debateve të nxehta. Disa prej liderëve sovjetikë theksuan se ishin dakord me vendimin tashmë të marrë, sepse dukej se nuk kishte alternativë tjetër, por duhet të mbështetej qeveria aktuale. Ka pasur një moment kundërshtie mes Voroshillovit dhe Krushovit, jo parimore, por në vlerësimin e gjendjes, e cila përshkallëzohej në terren nga ora në orë. Vorishillovi shprehu si shqetësimin madhor, shpërthimin e luftës, nëse trupat sovjetike do të tërhiqeshin dhe nuk do të kishte asnjë grup mbështetës. “Hrushovi hodhi poshtë obsionin e një ndërhyrjeje të re ushtarake në atë kohë.” Ndryshe nga mendimi i Dmitri Shepilov, (i cili zëvendësoi Vyacheslav Molotovin, si ministër i Jashtëm në vitin 1956), që këmbëngulte se:”Kundër ‘Komunizmit Nacional’duhet luftuar me forcë”. Georgi Zhukov, gjenerali i famshëm, heroi i Luftës së Dytë Botërore, aso kohe Ministër i Mbrojtjes, propozoi që trupat të tërhiqen nga Budapesti, nëse është e nevojshme, edhe nga Hungaria.Zhukovi, madje,rekomandoi tërheqjen e trupave sovjetike, kur dukej se ata do të duhej të merrnin masa ekstreme për të shtypur revolucionin. Gjendja në Presidium ndryshoi përsëri, kur kryeministri i ri i Hungarisë, Imre Nagy, filloi të fliste për tërheqjen e Hungarisë nga Traktati i Varshavës. Kjo deklaratë bëri që sovjetikët të sulmonin revolucionarët dhe ta zëvendësonin Nagyin me János Kádárin. Në këtë situate, së bashku me shumicën e anëtarëve të Presidiumit të Komitetit Qendror, ai i kërkoi Hrushovit të dërgonte trupa, për të mbështetur autoritetet hungareze dhe për të siguruar kufirin austriak. Në vijim të debateve Presidiumi i Komitetit Qendror të PKBS, dëgjoi raportimin e Pavel Yudin, filozof, sociolog dhe diplomat. Judin ishte ambasador sovjetik në Kinë, nga 3 dhjetori 1953, deri më 15 tetor 1959. Ai u rizgjodh në Komitetin Qendror në Kongresin e 20-të të Partisë, në vitin 1956 (gjatë të cilit Hrushovi mbajti Fjalimin e Fshehtë ,që ekspozonte krimet e Stalinit.) Në këtë periudhë ai kishte qenë ndërmjetës me udhëheqjen e lartë kineze.Ai solli në mbledhjen e Presidiumit pyetjet që kishin shtruar kinezët dhe argumentet e tyre gjithë po aq. Dhe konkretisht: “Cila është situata”? A do Hungaria të shkëputet nga kampi ynë? Kush është Imre Nagy? A mund ne t’i besojmë atij?’’ Siç tregon procesverbali, presidiumi ftoi Liu Shao Chi të bashkohej në seancë. Ai dha përgjigje të përgatitura në pyetjen e Presidiumit. Li Shao Chi deklaroi qëndrimin e rishikuar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze: ‘’Trupat duhet të qëndrojnë në Hungari!”[11] Ndërkohë që debatet gëlonin në Kremlin dhe kinezët sollën mesazhin: ‘’Të mos largohen trupat ushtarake!’’, në Hungari nuk kishin informacion se çfarë po gatuhej. Situata paraqitej goxha e turbullt ,sepse nga njëra anë udhëheqja sovjetike deklaronte ,më 30 tetor 1956 ,se do respektoheshin”Parimet e barazisë së plotë, integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit dhe mosndërhyrja në punët e brendshme e në marrëdhëniet e ndërsjella të shteteve socialiste.” Por nga ana tjetër ,po qeveria sovjetike, deklaronte se ishte e gatshme të shqyrtonte çështjen e forcave pushtuese sovjetike në vendet socialiste, pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, mbi bazën e parimit se “stacionimi i forcave të një shteti në territorin e një shteti tjetër, është e lejuar vetëm me pëlqimin e atij shteti në të cilin janë të pranishme këto forca.” Çengeli ishte varur! Po qe se e kërkon qeveria e shtetit, anëtar i Paktit të Varshavës, ne shkojmë në ndihmë edhe ushtarakisht. Duhej gjetur personi që do “lidhej” në këtë çengel. Si ndodhi? Presidiumi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS-së zhvilloi një sesion të zgjeruar me pjesëmarrjen e János Kadarit, Ferenc Münnich dhe István Bata. Kadari ishte takuar me Ferenc Münnich,natën vonë, më 1 nëntor. Po negociohej me Komitetin Administrativ të Partisë Socialiste të Punëtorëve Hungarezë dhe ambasadorin kinez në Hungari. Me sa duket ,Andropovi, ambasadori sovjetik në Hungari, ndryshoi gjendjen dhe Kadari e Münich, me një automjet të blinduar, shkuan në bazën ajrore Tököl dhe prej andej fluturuan në Moskë. Fillimisht Kadari shpreh qartazi mendimin e përgjithshëm se kërkohej largimi i forcave ushtarake sovjetike, se Hungaria nuk pranonte më varësinë dhe se askush nuk donte që vendi të kthehej në fushë gjakderdhjeje. Parulla ishte: ‘‘Le të bashkohemi për fitoren e një Hungarie të pavarur dhe një Hungarie të lirë!” Kthesa fatale ndodhi në mbledhjen e datës 2 nëntor ,1956. Janos Kadari mori trajtën e një njeriu të dobët, që i shprehte udhëheqjes sovjetike se çfarë po ndodhte ,duke u nënshtruar dhe në formën e një personi që lyp ndihmë nga halli që e ka zënë. Ai bëri një tabllo se cilat ishin forcat dhe çfarë kërkonin. Personalisht dukej se ai po metamorfozohej, duke u zhytur në një pozicion të ndërmjetëm. Ishte i turbullt dhe diabolik, thjesht një person që ishte thyer brenda vetes dhe në atë gjendje dobësie kërkonte të gjente jo argumente, por justifikime. Psh, kur tha në atë takim se “deklarata për të shpallur neutralitetin u bë gjithashtu për shkak të ndikimit që pati ardhja e trupave të reja sovjetike,”-nuk shprehte të vërtetën historike. Që në zgjedhjet e para të përgjithshme, pas Luftës në Hungari ,forcat politike tradicionale jo komuniste ishin shprehur për një organizim shoqëror dhe politik jo komunist. Gjuha e Kadarit, as mish e as peshk, larg të vërtetave konkrete në Hungari, u zbërthye pa pengesa nga Ferenc Münich, i cili komplimentoi evoluimin e Kadarit, por ai vetë doli hapur kur deklaroi:”Sistemi socialist në Hungari ekziston dhe do të mbijetojë vetëm me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik.” Pra ,ky është sistemi ,BS është garanti. Kush do dilte nga kjo “nofull”, do hynte në konflikt me udhëheqjen komuniste hungareze pro sovjetike, por edhe me Bashkimin Sovjetik. Ndryshe mund të lexohet : ‘’Sovraniteti ynë lidhet me sistemin socialist dhe nuk ka alternativë ndryshe, dhe ky sovranitet ka si garant shtetin sovjetik’’. Po atë ditë, në një sesion tjetër, pala hungareze nuk u ftua. Atje u diskutua dhe u miratua plani i ndërhyrjes ushtarake. Plani operacional u emërtua “Whirlwind” –Shakullinë, vorbull ere. (në rusisht-Vikhr, në hungarisht-Forgószel). Më datën 3 nëntor 1956, sesioni i zgjeruar i Presidiumit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, diskutoi përbërjen e qeverisë së re hungareze, e cila do formohej me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Pas konsultimit edhe me palën jugosllave, u ra dakord që kreu i qeverisë të ishte János Kádár. Ky “pion” (gur shahu) politik nuk nguroi që të hiqte dorë nga çfarë kishte thënë kur mbërriti në Moskë dhe të deklaronte:” Nuk është e pranueshme të lejohet që kundërrevolucioni të pushtojë një vend socialist. Ne jemi dakord me ju. Zgjidhja e duhur është formimi i një qeverie revolucionare.” Mbledhja e Presidiumit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pra, kuzhina ku u gatua dhe u urdhërua ndërhyrja në fillimnëntorin e vitit 1956, në Hungari, u mbyll me vendimin se qeveria hungareze, që do drejtohej nga Kádári, do të kishte në përbërje: Ferenc Münich,György Marosán, Imre Horváth, István Kossa, Antal Apró, Imre Dögei dhe Sándor Rónai. Një qeveri kukull ,që i tha pushtuesit: ‘’ Ju lutem, ejani na shpëtoni nga (kundër) revolucionarët!’’ Kur mendon se çfarë po ndodh në Ukrainë sot dhe si u sajua ndërhyrja ruse, nuk ke pse habitesh. Ja përse kanë shumë vlerë edhe sot ato çka deklaroi aso kohe Imre Nagy:” Kjo luftë është lufta për liri e popullit hungarez kundër ndërhyrjes ruse dhe është e mundur që unë të mund të qëndroj në postin tim vetëm një ose dy orë. E gjithë bota do të shohë se si forcat e armatosura ruse, në kundërshtim me të gjitha traktatet dhe konventat, po shtypin rezistencën e popullit hungarez. Ata do të shohin gjithashtu se si po rrëmbejnë kryeministrin e një vendi anëtar të Kombeve të Bashkuara, duke e marrë nga kryeqyteti dhe për këtë arsye nuk mund të vihet aspak në dyshim se kjo është forma më brutale e ndërhyrjes. Do të doja që në këto momente të fundit t’u kërkoja liderëve të revolucionit, nëse munden, të largohen nga vendi. Unë kërkoj që gjithçka që kam thënë në transmetimin tim dhe për çfarë kemi rënë dakord me liderët revolucionarë, gjatë takimeve në Parlament, të futet në një memorandum dhe liderët t’u drejtohen të gjithë popujve të botës për ndihmë dhe shpjegim.Se sot është Hungaria dhe nesër ose pasnesër, radha e vendeve të tjera, sepse imperializmi i Moskës nuk njeh kufij dhe po përpiqet vetëm të luajë me kohën.” Kjo fjali, “Sot është Hungaria dhe nesër ose pasnesër, radha e vendeve të tjera, pasi imperializmi i Moskës nuk njeh kufij”, vlen më shumë se të gjitha fjalimet që mbahen sot në forumet ndërkombëtare![12]
[1]Gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Ivan Alexandrovich Serov, (rusisht: Ивáн Алексáндрович Серóв, 13 gusht 1905 – 1 korrik 1990) ishte një udhëheqës i shquar i Agjencive të Sigurisë dhe Inteligjencës Sovjetike, kreu i KGB-së midis marsit 1954 dhe dhjetorit 1958, si dhe kreu i GRU ndërmjet viteve 1958 dhe 1963. Ai ishte Zëvendës Komisar i NKVD-së nën Lavrentiy Beria dhe do të luante një rol të madh në intrigat politike pas vdekjes së Jozef Stalinit. Serov ndihmoi në krijimin e një sërë forcash të policisë sekrete në Evropën Qendrore dhe Lindore pas ngritjes së Perdes së Hekurt dhe luajti një rol të rëndësishëm në shtypjen e Revolucionit Hungarez të vitit 1956.https://hungary-1956.fandom.com/wiki/Ivan_Serov
[2]Miklós Horváth është nënkolonel i ushtrisë hungareze dhe studiues i Institutit të Historisë Ushtarake Hungareze në Budapest. Ai ka botuar gjerësisht mbi temën e Revolucionit Hungarez të vitit 1956 dhe ka përkthyer shumë dokumente origjinale nga burimet ruse.https://ceupress.com/contributor/miklos-horvath
[3] 1956-The Hungarian Revolution and War for Independence, p 432-433.
[4]Kliment Yefremovich Voroshilov, (lindur më 4 shkurt [23 janar, me kalendarin e vjetër], 1881, Verkhneye, Rusi—vdiq më 2 dhjetor 1969, Moskë), udhëheqës ushtarak dhe politik i Bashkimit Sovjetik, i cili shërbeu si kreu i shtetit pas vdekjes së shokut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Joseph Stalin.https://www.britannica.com/biography/Kliment-Yefremovich-Voroshilov
[5] Döntés a Kremblen, 1956, eds.Sereda and Rainer, p.36.
[6] Për këtë komision dhe punën e tij është folur në një rast tjetër, KABO.P.
[7]Winston Churchill, The Sinews of Peace, March 5, 1946https://www.hellovaia.com/explanations/history/us-history/hungarian-revolution/
[8]Nikita Khrushchev, at Meeting of CPSU Presidium, October 31,https://www.hellovaia.com/explanations/history/us-history/hungarian-revolution/
[9]https://www.hellovaia.com/explanations/history/us-history/hungarian-revolution/
[10]Broën, Archie (2009). The Rise & Fall of Communism. London: Bodley Head. ISBN 978-0-224-07879-5.
[11]1956-The Hungarian Revolution and War for Independence, p. 435.