Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Milojko Spajiq, në të cilën e vlerëson si skandal vendosjen e një tabele rrugore që tregon se qyteti i Pejës është pjesë e territorit të Serbisë.
Nimanbegu konsideron se një sjellje e tillë e zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse, siç thotë ai, “tregon se ka ende mendje që nuk e njohin realitetin dhe faktet ndërkombëtare”, shkruajnë mediat në Mal të Zi, përcjell Telegrafi.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të publikimit në rrjetet sociale të një fotografie të një tabele rrugore që tregon drejtimin për në qytetin e Pejës në Kosovë, por në rastin konkret ka pasur një shtrembërim të fakteve sepse qyteti i Pejës nuk është shënuar si qytet i Republikës së Kosovës, por si qytet i Serbisë. Ky rast, i cili është kryer nga zyrtarët e Ministrisë së Transportit të Malit të Zi, paraqet një akt të shëmtuar dhe tregon se në Mal të Zi ende ka mendje që nuk mund të pajtohen ose që kërkojnë të ndryshojnë faktet e njohura ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai.

Ai rikujton se më 9 tetor 2008, Mali i Zi e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe thotë se prandaj veprime të tilla janë shqetësuese dhe duhet të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi.
“Ne e dënojmë ashpër këtë akt të shëmtuar të Ministrisë së Transporteve dhe i bëjmë thirrje kryeministrit të marrë masa të menjëhershme që tabela e komunikacionit të korrigjohet dhe të vendoset në përputhje me faktet ekzistuese”, tha Nimanbegu.
Ai gjithashtu bëri thirrje që të merren masa që raste të tilla të mos përsëriten duke koordinuar punët brenda Qeverisë dhe që të gjitha ministritë dhe shërbimet publike të veprojnë në mënyrë uniforme.
“Dënimi dhe thirrja për përgjegjësi disiplinore është më e pakta që mund të pritet nga kryeministri i Malit të Zi në raste të tilla”, ka përfunduar Nimanbegu në një letër të hapur drejtuar Spajiqit.