Popular
Takimet në Tinder që u bënë ferr për dhjetëra gra, si shpëtoi pa u ndëshkuar një përdhunues për vite me radhë
E gjitha filloi si çdo histori në Tinder, një çift, që prej disa javësh shkëmbenin mesazhe dhe pastaj takohen për një darkë.
Por kur Nadia, atëherë 27 vjeç, shkoi në apartamentin e Christopher për të shkuar së bashku në restorant, gjërat morën një kthesë që ende i shkakton të dridhura, shtatë vjet më vonë.
Ajo nuk është e vetme. Gjashtë gra kanë ndarë përvojat e tyre në një podcast të BBC- së rreth Christopher Harkins, një mashtrues serial i cili jo vetëm që zhvatte para, por gjithashtu përdorte dhunë fizike dhe ekstreme psikologjike, sulme seksuale, kërcënime dhe madje edhe përdhunim. Pavarësisht ankesave të bëra në policinë e Skocisë që në vitin 2012, autoritetet filluan hetimin e Harkins, tani 38 vjeç, vetëm në vitin 2019. Policia u përqendrua në aspektin financiar dhe, për shkak se nuk kishte ankesa për kërcënime ose dhunë, ata i trajtuan rastet si civile (mashtrim) dhe jo si penale. Për më tepër, ankesat iu bënë departamenteve të ndryshme të policisë në Skoci dhe sulmet u hetuan veçmas nga njëra-tjetra. Ajo që më në fund i bëri autoritetet ta merrnin çështjen më seriozisht ishte iniciativa e një gruaje për t’iu drejtuar medias në tetor 2019 për të denoncuar Harkins. Policia e kishte refuzuar atë pavarësisht ankesës së saj se Harkins i kishte zhvatur 3,247 paund për një paketë pushimesh që nuk ekzistonte.
Sot, Nadia thotë se shenjat paralajmëruese filluan kur ajo i ra ziles së derës së apartamentit të tij në vitin 2018. Harkins hapi derën me tuta sportive dhe i tha se ishte shumë i lodhur për të dalë. Ai i tha se mund të merrnin ushqim për të ngrënë në shtëpinë e tij. Nadia hyri brenda dhe gjeti një apartament bosh – madje edhe televizori ishte në kuti. Ai i ofroi vodka, por ajo preferoi të hidhte një pije të gazuar për vete. Kjo e zemëroi atë, madje edhe më shumë kur ajo aksidentalisht derdhi pak pije të gazuara në dysheme. “Sa e ngathët je, nuk po e respekton pronën time,” do t’i thoshte ai me inat. Por Nadia e cila kishte qëndruar vetëm 20 minuta me të doli menjëherë nga apartamenti me makinën e saj.
Harkins menjëherë filloi ta bombardonte me mesazhe: “Si guxon dikush si ty të ketë guximin të dalë në një takim me mua,” shkroi ai, përpara se ta kërcënonte pak kohë më vonë se do të hidhte një koktej Molotov në makinën e saj, do ta vriste dhe pastaj do ti sulmonte të atin. Shënjestra tjetër e ofendimeve të Harkins ishte pamja e saj: “Lopë e shëndoshë, dukesh si derr, ke shumë grim.” Ai i shkruante deri në agim, duke shkatërruar vetëvlerësimin e Nadias, të cilin ajo kishte luftuar aq shumë për ta rifituar pas një periudhe të vështirë që kishte kaluar.
“Nëse nuk do kisha pasur vajzën time, do t’i kisha dhënë fund jetës sime”, thotë ajo sot. Edhe pse menjëherë i raportoi kërcënimet e Harkins në polici, asaj iu tha se “nuk kishte asgjë që mund të bënim”. Nuk kishte kërcënime të drejtpërdrejta kundër saj, kishte thënë policia.
E paaftë për të bërë shumë, Nadia bllokoi numrin e tij, por Harkins vazhdoi ta ngacmonte në rrjetet sociale përmes njerëzve që e njihnin. Më vonë, Nadia lexoi dëshminë e një gruaje që u përdhunua nga Harkins dhe kuptoi se kjo mund të ishte parandaluar nëse policia do të kishte ndërmarrë veprime kundër tij . Harkins e përdhunoi atë dy muaj pas takimit me të, “vajza mund të ishte shpëtuar”, thotë ajo.
Harkins u burgos më në fund në vitin 2024, pas pothuajse një dekade “veprimi”. Dënimi është 12 vjet për 19 vepra penale të dhunës fizike dhe seksuale kundër 10 grave. Midis tyre ishin kërcënime dhe frikësime kundër Nadias dhe familjes së saj.
Përveç këtyre, Harkins pranoi akuzat për mashtrim. Ai kishte nxjerrë një total prej 214,000 paundësh (rreth 240,000 euro) nga gratë, përfshirë edhe skema investimi të rreme, por edhe duke përdorur identitete grash për të marrë kredi bankare. Hetimi i BBC zbuloi se ai kishte zhvatur edhe 70,000 paund të tjera nga gratë. Në total, viktimat e tij ishin të paktën 30 gra.
Megjithatë, autoritetet nuk duken veçanërisht të gatshme t’u kërkojnë falje viktimave që nuk u kanë dhënë vëmendjen që meritonin. Shtatë vjet më vonë, Nadia thotë se është rikthyer. “Jam shumë mirë, krejtësisht ndryshe dhe me shumë më tepër vetëbesim. Nuk kam frikë të flas hapur dhe nuk do t’i injoroj më kurrë sinjalet e forta.”
Popular
Kush ishin lajmet më të çuditshme dhe virale nga bota në vitin 2025
Viti 2025 ishte i mbushur me lajme serioze, por pati edhe ngjarje që të bënin të ndaleshe dhe t’i shikoje dy herë me mosbesim.
Disa ishin të lehta, disa qesharake, disa thjesht të çuditshme – por të gjitha ngjallnin të njëjtën pyetje: “Çfarë po ndodh?!”
Sky News ka përzgjedhur disa nga momentet më absurde, virale dhe të pazakonta që shënuan vitin 2025.
Kamera e puthjeve të Coldplay
Coldplay, një nga grupet më “pozitive” në botë, i njohur për mesazhet e dashurisë dhe unitetit, vendosi të përfshinte një “kamera puthjesh” në turneun e tyre. Ideja dukej perfekte për imazhin e grupit – por rezultoi në një moment viral për arsyet më të gabuara.
Gjatë një koncerti në Boston në korrik, kamera kapi dy persona duke u përqafuar. Sapo e kuptuan se ishin në ekranin gjigant, burri u largua me shpejtësi, ndërsa gruaja mbuloi fytyrën me duar dhe i ktheu shpinën publikut.
Chris Martin e komentoi me shaka: “Ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm.”
Internetit nuk iu desh shumë për të zbuluar se bëhej fjalë për drejtorin ekzekutiv të kompanisë teknologjike Astronomer, Andy Byron, dhe drejtoreshën e burimeve njerëzore, Kristin Cabot.
Pas nisjes së një hetimi të brendshëm, të dy dhanë dorëheqjen. Kompania publikoi më pas një video ironike në rrjete sociale ku shfaqej Gwyneth Paltrow, ish-bashkëshortja e Chris Martin, si “zëdhënëse e përkohshme”.
“Vjedhja e shekullit” në Paris
Në tetor, hajdutë të maskuar si punëtorë ndërtimi kryen një grabitje spektakolare në një muze në Paris, në mes të ditës dhe ndërsa ishte i hapur për publikun.
Duke përdorur një vinç të montuar në një kamion të vogël, ata hynë në një sallë muzeale dhe vodhën nëntë bizhuteri të Kurorës Franceze, përfshirë objekte që kishin lidhje me Napoleonin dhe perandoresha të shekujve të kaluar.
E gjithë grabitja zgjati vetëm shtatë minuta. Bizhuteritë vlerësohen si “të paçmuara historikisht” dhe mendohet se kanë një vlerë rreth 76 milionë paund. Pavarësisht arrestimeve, sendet e vjedhura ende nuk janë gjetur.
Gruaja “e vdekur” zgjohet në arkivol
Në Tajlandë, një grua 65-vjeçare, e shpallur e vdekur nga familja, u zgjua brenda arkivolit pak çaste para se të niste kremimi i saj.
Vëllai i saj e kishte transportuar trupin për qindra kilometra drejt një tempulli që ofron kremime falas. Menaxheri i tempullit dëgjoi trokitje nga arkivoli – dhe kur u hap, gruaja ishte ende gjallë.
Më tronditëse se vetë ngjarja ishte reagimi i vëllait, i cili u shpreh se ishte “indiferent” ndaj faktit që motra e tij kishte mbijetuar.
Vizioni i çuditshëm i Trump për Gazën me inteligjencë artificiale
Donald Trump publikoi pamje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që tregonin Gazën e shndërruar në një resort luksoz me rrokaqiej, plazhe ekzotike dhe një kullë “Trump Gaza”.
Pamjet përfshinin statuja të arta të Trumpit, valltare barku, jahte luksoze dhe skena surreale ku ai shfaqej duke u relaksuar pranë pishinës me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Videoja shoqërohej nga një këngë festive, duke shkaktuar reagime të forta dhe habi në mbarë botën.
Jimmy Kimmel “pezullohet”… për një javë
Shfaqja e Jimmy Kimmel u pezullua përkohësisht nga ABC pasi ai kritikoi Donald Trump dhe mbështetësit e tij. Vendimi u cilësua si censurë, por pas vetëm një jave, Kimmel u rikthye në ekran.
Në monologun e tij të kthimit, ai pranoi se komentet e tij mund të ishin keqkuptuar dhe u shpreh me emocione për situatën.
Chuck E. Cheese arrestohet para fëmijëve
Në Florida, një punonjës i veshur si maskota Chuck E. Cheese u arrestua para fëmijëve të tmerruar. Policia nuk ishte pas personazhit, por pas punonjësit që dyshohej për përdorimin e një karte krediti të vjedhur.
Oficeri arrestues madje vazhdoi ta thërriste “Chuck E.” gjatë gjithë arrestimit, për të mos prishur iluzionin për fëmijët.
Katy Perry shkon në hapësirë
Katy Perry u bë artistja e parë që këndoi në hapësirë, si pjesë e ekuipazhit të parë plotësisht femëror pas më shumë se 60 vitesh. Fluturimi zgjati vetëm disa minuta pa peshë, por momenti u bë historik.
Pas kthimit në Tokë, këngëtarja u ul dhe puthi tokën.
Një Wellington me mish viçi për 195 paund
Marks & Spencer shiti një Wellington me mish viçi me çmim gati 200 paund për Krishtlindje – dhe u shit plotësisht. Interneti u mbush me reagime ironike, por suksesi tregtar ishte i pamohueshëm.
Xhinset e Sydney Sweeney
Një slogan i thjeshtë reklamues – “Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera” – u shndërrua në debat global mbi bukurinë, racën dhe standardet kulturore. Polemika vetëm sa e rriti famën dhe shitjet.
Meme-ja “6-7”
Një trend absurd, pa kuptim të qartë, pushtoi rrjetet sociale, duke bërë që fëmijë, adoleshentë dhe madje politikanë të përfshiheshin në një valle të pakuptimtë që “nuk do të thotë asgjë”.
Kukullat Labubu
Kukullat Labubu u kthyen në një mani globale, duke sjellë fitime rekord për kompaninë Pop Mart, por edhe një valë të madhe produktesh të falsifikuara që u sekuestruan nga autoritetet.
Po, viti 2025 ishte vërtet i çuditshëm.
A ishte më i çuditshëm se 2024 apo 2023? Kjo mbetet për t’u gjykuar. Një gjë është e sigurt: nuk na munguan momentet që na lanë pa fjalë.
Popular
Brenda “Strofkës së Ujkut “, udhëtim në bunkerin sekret ku Hitleri drejtoi luftën dhe i mbijetoi atentatit
Rruga që gjarpëron mes liqeneve vezulluese dhe pyjeve të qeta të Masurias në Poloninë verilindore, duket si skena ideale për një arratisje fundjave në natyrë. Por pas qetësisë baritore dhe cicërimave të zogjve, peizazhi fsheh një nga kapitujt më të errët të shekullit të 20-të.
Këtu, në thellësi të pyllit, qëndrojnë rrënojat e mbuluara me myshk të “Strofkës së Ujkut” (Wolfsschanze) – qyteti sekret prej betoni nga ku Adolf Hitleri drejtoi makinerinë naziste të luftës dhe pushtimin e Bashkimit Sovjetik.
Qendra nervore e Rajhut të Tretë
E ndërtuar me shpejtësi në vitin 1941 nga Organizata Todt dhe puna e detyruar e të burgosurve, “Strofka e Ujkut” ishte shumë më tepër se një bazë ushtarake. Ajo ishte një fortesë e pathyeshme, e vendosur strategjikisht vetëm 80 kilometra larg kufirit sovjetik, për të mbikëqyrur Operacionin Barbarossa.
Kompleksi gjigant përfshinte 50 bunkerë, 70 kazerma, dy fusha ajrore, kinema, madje edhe një çajtore. Muret e bunkerëve arrinin një trashësi monstruoze prej 20 metrash beton, ndërsa një sistem i sofistikuar kamuflazhi dhe 50,000 mina tokësore e bënin atë të padukshëm dhe të paafrueshëm.
Përveç Hitlerit, i cili kaloi rreth 800 ditë këtu, në këtë “qytet në pyll” jetonin edhe figurat më të larta të regjimit si Goebbels, Göring dhe Bormann.
Rutina banale e së keqes
Vizita në rrënoja zbulon detaje rrëqethëse të jetës së përditshme të diktatorit. Hitleri, shpesh i sëmurë dhe me pagjumësi, e niste ditën duke lexuar raportet e bombardimeve dhe duke shëtitur qenin e tij, Blondi. Është një kontrast makabër: imazhi i njeriut përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve duke shëtitur qenin në qetësinë e pyllit, ndërsa disa metra më tutje planifikohej Holokausti.
Dështimi i “Valkyrie”
“Strofka e Ujkut” njihet botërisht si vendi ku historia mund të kishte ndryshuar rrjedhë. Më 20 korrik 1944, koloneli Claus von Stauffenberg tentoi të vriste Hitlerin duke vendosur një çantë me eksploziv nën tavolinën e konferencave.
Shpërthimi vrau tre persona, por Hitleri shpëtoi me lëndime të lehta, i mbrojtur nga këmba e rëndë e tavolinës së lisit. Ky dështim çoi në ekzekutimin e 5,000 personave dhe rriti paranojën e diktatorit, i cili pas kësaj ngjarjeje zhvillonte takime vetëm i rrethuar nga rojet SS.
Debati mbi “Turizmin e Errët”
Sot, vendi tërheq rreth 300,000 vizitorë në vit. Natyra ka rimarrë kontrollin mbi betonin; pemët rriten brenda bunkerëve dhe stalaktitet varen nga tavanet e errëta, duke i dhënë vendit pamjen e një qytetërimi të lashtë e të harruar.
Megjithatë, zhvillimi i fundit i zonës ka ngjallur debate. Në fund të vitit 2024, aty u hapën një hotel dhe një restorant. Për historianët, komercializimi i një vendi ku u orkestruan krime kundër njerëzimit është problematik. Por për të tjerë, ruajtja e këtij kompleksi shërben si një dëshmi fizike dhe e nevojshme e historisë, një paralajmërim i gdhendur në beton mes pyjeve të Polonisë.


Popular
Harta e ndërrimit të viteve, bota feston për 26 orë, nga Kiritimati në Samoa, ja kush hyn i pari në 2026
Ndërsa shumica prej nesh përgatiten për numërimin mbrapsht në mesnatë, tranzicioni global nga viti 2025 në vitin 2026 do të jetë në fakt një maratonë që do të zgjasë plot 26 orë, dhe jo 24 sa zgjat një ditë e zakonshme.
Ky fenomen ndodh për shkak të vijës së lakuar të ndërrimit të datës dhe tekave gjeopolitike të zonave kohore.
Të parët, ishulli i Krishtlindjeve
Sipas traditës, mesnata e parë që do të shënojë fillimin e vitit 2026 do të trokasë në atolin Kiritimati, i njohur ndryshe si Ishulli i Krishtlindjeve (i zbuluar nga Kapiteni Cook më 25 dhjetor 1777).
Ky ishull, pjesë e arkipelagut të Kiribatit në Oqeanin Paqësor qendror, ndodhet dy zona kohore në lindje të vijës ndërkombëtare të datës. Kjo bën që ata të jenë 13 orë përpara zonës sonë kohore (Shqipëri). Për ta kuptuar diferencën: edhe Sidnei i Australisë, që shpesh vetëshpallet si “Kryeqyteti Botëror i Vitit të Ri”, duhet të presë edhe 4 orë të tjera pas Kiritimatit për të ndezur fishekzjarrët e famshëm në Opera House.
Zig-zagu i kohës
Arsyeja e kësaj diference qëndron te Vija Ndërkombëtare e Datës. Kjo vijë imagjinare, e cila kalon nga veriu në jug, nuk është e drejtë. Që nga viti 1995, ajo ka pësuar një devijim të theksuar drejt lindjes (zig-zag), duke përfshirë brenda ditës së re arkipelagë si Kiribati, Samoa dhe Tonga, për t’i favorizuar ato në marrëdhëniet tregtare dhe kohore.
Të fundit, ishujt fqinjë me 24 orë diferencë
Paradoksi më i madh ndodh në fund të festimeve. Nga Kiritimati, nëse fluturon rreth 2,500 kilometra në jugperëndim, arrin në Samoan Amerikane. Këta ishuj do të jenë të fundit në planet që do të festojnë natën e Vitit të Ri, plot 26 orë pasi festa të ketë nisur në anën tjetër të oqeanit.
Çudia qëndron te fakti se Samoa e Pavarur dhe Samoa Amerikane, ndonëse janë pjesë e të njëjtit arkipelag gjeografik dhe ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, festojnë me 24 orë diferencë për shkak se vija e datës kalon mes tyre.
Kur viti 2026 të ketë përfshirë edhe ishullin e vogël të Tutuilas dhe Hawaiin, atëherë i gjithë planeti do të ketë hyrë zyrtarisht në vitin e ri.
Rekordi i Rusisë
Në terma kontinentalë, vendi me më shumë “Nata të Vitit të Ri” mbetet Rusia. E shtrirë në 11 zona kohore, nga enklava e Kaliningradit në Balltik e deri në Gadishullin e Chukotkas përballë Alaskës, Rusia feston për orë të tëra.
Edhe këtu, Ngushtica e Beringut ofron një tjetër kuriozitet: Chukotka ruse dhe Alaska amerikane ndahen vetëm nga pak kilometra det, por festojnë me një ditë të plotë diferencë.
-
Albania11 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK1 day agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania3 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
