Toka po përjeton një periudhë ku rrotullohet më shpejt se zakonisht, duke bërë që disa ditë të jenë paksa më të shkurtra se 24 orë, një ndryshim i vogël, por me ndikime të mundshme për teknologjinë moderne dhe sistemet globale të matjes së kohës.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Ndërkombëtar për Rrotullimin e Tokës dhe Sistemet Referuese, si dhe nga Observatori Detar i SHBA-së, më 10 korrik 2025 u regjistrua dita më e shkurtër e vitit deri më tani, me një kohëzgjatje 1,36 milisekonda më pak se 24 orë, shkruan A2 CNN. Parashikimet tregojnë se ditë edhe më të shkurtra do të ndodhin më 22 korrik dhe 5 gusht, me diferenca prej 1,34 dhe 1,25 milisekondash, respektivisht.
Kohëzgjatja e një dite përcaktohet nga koha që i duhet Tokës për një rrotullim të plotë rreth boshtit të saj, që në teori është 86 400 sekonda (24 orë). Por në praktikë, ky rrotullim nuk është gjithmonë i qëndrueshëm. Ndryshime të vogla ndodhin për shkak të faktorëve si forca gravitacionale e Hënës, ndryshimet sezonale në atmosferë dhe lëvizjet brenda bërthamës së lëngshme të Tokës. Megjithëse këto ndryshime janë në rendin e milisekondave, ato mbikëqyren nga afër nga shkencëtarët për shkak të ndikimit që mund të kenë në sistemet teknologjike.
Këto ndryshime monitorohen me orë atomike që ofrojnë saktësinë më të lartë të mundshme dhe përcaktojnë kohën UTC (Koha Universale e Koordinuar), standardi global i matjes së kohës. Rreth 450 orë atomike në mbarë botën ndihmojnë në përllogaritjen e UTC-së.

Astronomët krahasojnë kohën e orëve atomike me rrotullimin aktual të Tokës, duke përdorur satelitë dhe teknika të avancuara. Vitin e kaluar, më 5 korrik 2024, u regjistrua dita më e shkurtër ndonjëherë që nga fillimi i matjeve me orë atomike në vitin 1955, 1,66 milisekonda më pak se 24 orë.
Sipas profesor Duncan Agnew nga Instituti i Oqeanografisë Scripps, që prej vitit 1972 është vërejtur një prirje e përgjithshme drejt rrotullimit më të shpejtë të Tokës. Kjo ka bërë që të nevojiten më pak të ashtuquajtura “sekonda shtesë”, që i shtohen UTC-së për të barazuar kohën atomike me kohën astronomike. Nga viti 1972 deri më sot janë shtuar 27 sekonda të tilla, por nuk është shtuar asnjë që nga viti 2016.
Në vitin 2022, Konferenca e Përgjithshme për Peshat dhe Masat vendosi të heqë dorë nga sekondat shtesë pas vitit 2035. Megjithatë, nëse tendenca aktuale e rritjes së shpejtësisë së rrotullimit të Tokës vazhdon, shkencëtarët mund të përballen me një situatë të paparë më parë: heqjen e një sekonde nga koha zyrtare, një “sekondë negative”. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ekspertët janë të shqetësuar për ndikimet që mund të ketë në sistemet kompjuterike dhe rrjetet globale që varen nga koha e saktë.
Judah Levine, fizikant në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë në SHBA, thekson se përkundër dekadave të përvojës me sekondat pozitive, shumë sisteme ende kanë probleme me implementimin e tyre. Një sekondë negative, sipas tij, do të ishte edhe më e vështirë, duke sjellë rrezik që kujton problemin e famshëm Y2K të vitit 2000.
Por pse po rrotullohet më shpejt Toka?
Shkaktarët janë të shumtë dhe përfshijnë ndikimin e Hënës, ndryshimet sezonale në atmosferë dhe lëvizjet e bërthamës së Tokës. Gjatë verës, për shembull, atmosfera ngadalësohet për shkak të zhvendosjeve në rrjedhën e avionëve (jet stream), dhe si pasojë planeti fiton shpejtësi për të ruajtur momentin e përgjithshëm rrotullues. Ndërkohë, lëvizjet në bërthamën e lëngshme të Tokës kanë ndikuar gjithashtu që pjesa e jashtme të rrotullohet më shpejt.

Interesant është fakti që edhe ndryshimet klimatike po luajnë një rol. Shkrirja e akujve në Groenlandë dhe Antarktidë, duke zhvendosur masën drejt ekuatorit, po ngadalëson rrotullimin e Tokës, një efekt i ngjashëm me atë të një patinatori që ngadalëson kur hap krahët. Pa këtë ngadalësim nga shkrirja e akullnajave, ndoshta do të ishim tashmë në fazën e parë të një sekonde negative.
Për më tepër, sipas një studimi nga Benedikt Soja, ndryshimet klimatike mund të ndryshojnë edhe boshtin e rrotullimit të Tokës. Në një skenar të zymtë, deri në fund të këtij shekulli, efekti i klimës mund të tejkalojë edhe ndikimin shumëvjeçar të Hënës.
Megjithatë, për momentin, këto ndryshime mbeten brenda kufijve të variabilitetit natyror. “Ndoshta pas disa vitesh do të shohim një ngadalësim të ritmit dhe një kthim në rrotullimin më të ngadaltë”, thotë Soja për CNN. “Kjo është intuita ime, por askush nuk mund ta dijë me siguri”.