Bota
Toka po rrotullohet më shpejt këtë verë, si ndikon kjo në jetët tona
Toka po përjeton një periudhë ku rrotullohet më shpejt se zakonisht, duke bërë që disa ditë të jenë paksa më të shkurtra se 24 orë, një ndryshim i vogël, por me ndikime të mundshme për teknologjinë moderne dhe sistemet globale të matjes së kohës.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Ndërkombëtar për Rrotullimin e Tokës dhe Sistemet Referuese, si dhe nga Observatori Detar i SHBA-së, më 10 korrik 2025 u regjistrua dita më e shkurtër e vitit deri më tani, me një kohëzgjatje 1,36 milisekonda më pak se 24 orë, shkruan A2 CNN. Parashikimet tregojnë se ditë edhe më të shkurtra do të ndodhin më 22 korrik dhe 5 gusht, me diferenca prej 1,34 dhe 1,25 milisekondash, respektivisht.
Kohëzgjatja e një dite përcaktohet nga koha që i duhet Tokës për një rrotullim të plotë rreth boshtit të saj, që në teori është 86 400 sekonda (24 orë). Por në praktikë, ky rrotullim nuk është gjithmonë i qëndrueshëm. Ndryshime të vogla ndodhin për shkak të faktorëve si forca gravitacionale e Hënës, ndryshimet sezonale në atmosferë dhe lëvizjet brenda bërthamës së lëngshme të Tokës. Megjithëse këto ndryshime janë në rendin e milisekondave, ato mbikëqyren nga afër nga shkencëtarët për shkak të ndikimit që mund të kenë në sistemet teknologjike.
Këto ndryshime monitorohen me orë atomike që ofrojnë saktësinë më të lartë të mundshme dhe përcaktojnë kohën UTC (Koha Universale e Koordinuar), standardi global i matjes së kohës. Rreth 450 orë atomike në mbarë botën ndihmojnë në përllogaritjen e UTC-së.

Astronomët krahasojnë kohën e orëve atomike me rrotullimin aktual të Tokës, duke përdorur satelitë dhe teknika të avancuara. Vitin e kaluar, më 5 korrik 2024, u regjistrua dita më e shkurtër ndonjëherë që nga fillimi i matjeve me orë atomike në vitin 1955, 1,66 milisekonda më pak se 24 orë.
Sipas profesor Duncan Agnew nga Instituti i Oqeanografisë Scripps, që prej vitit 1972 është vërejtur një prirje e përgjithshme drejt rrotullimit më të shpejtë të Tokës. Kjo ka bërë që të nevojiten më pak të ashtuquajtura “sekonda shtesë”, që i shtohen UTC-së për të barazuar kohën atomike me kohën astronomike. Nga viti 1972 deri më sot janë shtuar 27 sekonda të tilla, por nuk është shtuar asnjë që nga viti 2016.
Në vitin 2022, Konferenca e Përgjithshme për Peshat dhe Masat vendosi të heqë dorë nga sekondat shtesë pas vitit 2035. Megjithatë, nëse tendenca aktuale e rritjes së shpejtësisë së rrotullimit të Tokës vazhdon, shkencëtarët mund të përballen me një situatë të paparë më parë: heqjen e një sekonde nga koha zyrtare, një “sekondë negative”. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ekspertët janë të shqetësuar për ndikimet që mund të ketë në sistemet kompjuterike dhe rrjetet globale që varen nga koha e saktë.
Judah Levine, fizikant në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë në SHBA, thekson se përkundër dekadave të përvojës me sekondat pozitive, shumë sisteme ende kanë probleme me implementimin e tyre. Një sekondë negative, sipas tij, do të ishte edhe më e vështirë, duke sjellë rrezik që kujton problemin e famshëm Y2K të vitit 2000.
Por pse po rrotullohet më shpejt Toka?
Shkaktarët janë të shumtë dhe përfshijnë ndikimin e Hënës, ndryshimet sezonale në atmosferë dhe lëvizjet e bërthamës së Tokës. Gjatë verës, për shembull, atmosfera ngadalësohet për shkak të zhvendosjeve në rrjedhën e avionëve (jet stream), dhe si pasojë planeti fiton shpejtësi për të ruajtur momentin e përgjithshëm rrotullues. Ndërkohë, lëvizjet në bërthamën e lëngshme të Tokës kanë ndikuar gjithashtu që pjesa e jashtme të rrotullohet më shpejt.

Interesant është fakti që edhe ndryshimet klimatike po luajnë një rol. Shkrirja e akujve në Groenlandë dhe Antarktidë, duke zhvendosur masën drejt ekuatorit, po ngadalëson rrotullimin e Tokës, një efekt i ngjashëm me atë të një patinatori që ngadalëson kur hap krahët. Pa këtë ngadalësim nga shkrirja e akullnajave, ndoshta do të ishim tashmë në fazën e parë të një sekonde negative.
Për më tepër, sipas një studimi nga Benedikt Soja, ndryshimet klimatike mund të ndryshojnë edhe boshtin e rrotullimit të Tokës. Në një skenar të zymtë, deri në fund të këtij shekulli, efekti i klimës mund të tejkalojë edhe ndikimin shumëvjeçar të Hënës.
Megjithatë, për momentin, këto ndryshime mbeten brenda kufijve të variabilitetit natyror. “Ndoshta pas disa vitesh do të shohim një ngadalësim të ritmit dhe një kthim në rrotullimin më të ngadaltë”, thotë Soja për CNN. “Kjo është intuita ime, por askush nuk mund ta dijë me siguri”.
Bota
Stuhia Johannes godet Suedinë, dy persona humbën jetën
Dy persona kanë humbur jetën në Suedi si pasojë e një stuhie të fuqishme dimërore që ka përfshirë vendet nordike, duke shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe probleme të mëdha me furnizimin me energji elektrike.
Instituti Suedez i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë ka lëshuar alarme për erëra shumë të forta në pjesën veriore të vendit, teksa u godit nga stuhia Johannes.
Sipas mediave të huaja, një person rreth të 50-ave humbi jetën pasi u godit nga një pemë në resortin e skive Kungsberget, në jug të Suedisë. Ndërkohë, kompania rajonale e energjisë Hemab bëri të ditur se një nga punonjësit e saj ka ndërruar jetë pas një aksidenti të ndodhur “në terren”.
Si pasojë e stuhisë, dhjetëra mijëra banesa në Suedi, Norvegji dhe Finlandë kanë mbetur pa energji elektrike. Vetëm në Suedi, mbi 40 mijë banesa u prekën nga ndërprerjet e energjisë, ndërsa shumë shërbime hekurudhore u anuluan.
Po ashtu, janë anuluar disa fluturime, shërbime hekurudhore dhe linja tragetesh në pjesë të ndryshme të vendeve nordike. Rrugët dhe transporti hekurudhor vijojnë të jenë të ndërprera për shkak të kushteve të rënda atmosferike.
Bota
Si i ka mbajtur Putini miliarderët e Rusisë në anën e tij, gjatë luftës
Gjatë luftës me Ukrainën, numri i miliarderëve në Rusi ka arritur një nivel rekord.
Por në 25 vjetët që Vladimir Putini ka qenë në pushtet, të pasurit dhe të fuqishmit e Rusisë – të njohur si oligarkë, kanë humbur pothuajse të gjithë ndikimin e tyre politik.
Ky është një lajm i mirë për presidentin rus. Sanksionet perëndimore nuk kanë arritur t’i shndërrojnë super të pasurit në kundërshtarë të tij, dhe politikat e tij të karrotës dhe shkopit (një strategji motivuese që përdor si shpërblime (karrotën) për sjelljen e dëshiruar ashtu edhe ndëshkime (shkopin) për sjelljen e padëshiruar, me qëllim që të detyrojë bindjen ose veprimin përmes përforcimit pozitiv dhe pasojave negative), i kanë shndërruar ata në mbështetës të heshtur.
Ish-miliarderi bankar, Oleg Tinkov e di saktësisht se si funksionojnë shkopinjtë.
Një ditë pasi ai e kritikoi luftën si “të çmendur” në një postim në Instagram, drejtuesit e tij u kontaktuan nga Kremlini. Atyre iu tha se Banka e tij Tinkoff, e dyta më e madhe në Rusi në atë kohë, do të shtetëzohej nëse nuk do të ndërpriteshin të gjitha lidhjet me themeluesin e saj.
“Nuk mund ta diskutoja çmimin”, i ka thënë Tinkov “Neë York Times”.
“Ishte si një peng – merr atë që të ofrohet. Nuk mund ta negocioja”, ka shtuar ai.
Brenda një jave, një kompani e lidhur me Vladimir Potanin, aktualisht biznesmeni i pestë më i pasur i Rusisë, i cili furnizon nikel për motorët e avionëve luftarakë, njoftoi se po blinte bankën. Ajo u shit vetëm për 3% të vlerës së saj të vërtetë, thotë Tinkov.
Në fund, Tinkov humbi pothuajse 9 miliardë dollarë nga pasuria që kishte dikur dhe u largua nga Rusia.
Kjo është shumë larg nga mënyra se si ishin gjërat para se Putini të bëhej president.
Në vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, disa rusë u pasuruan jashtëzakonisht shumë duke marrë në pronësi ndërmarrje masive që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe duke shfrytëzuar mundësitë e kapitalizmit të sapolindur të vendit të tyre.
Pasuria e tyre e sapo fituar u solli atyre ndikim dhe pushtet gjatë një periudhe trazirash politike dhe ata u bënë të njohur si oligarkë.
Oligarku më i fuqishëm i Rusisë, Boris Berezovski, pretendoi se kishte orkestruar ngjitjen e Putinit në presidencë në vitin 2000, dhe vite më vonë ai kërkoi falje për këtë.
“Nuk e pashë tiranin dhe uzurpatorin e ardhshëm lakmitar tek ai, njeriun që do të shkelte lirinë dhe do të ndalonte zhvillimin e Rusisë”, ka shkruar ai në vitin 2012.
Berezovski mund ta ketë ekzagjeruar rolin e tij, por oligarkët e Rusisë ishin sigurisht të aftë të drejtonin fijet në nivelet më të larta të pushtetit.
Pak më shumë se një vit pas kërkimfaljes së tij, Berezovski u gjet i vdekur në rrethana misterioze në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar. Në atë kohë, edhe oligarkia ruse ishte plotësisht e vdekur. Pra, kur
Putini mblodhi më të pasurit e Rusisë në Kremlin, disa orë pasi urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, ata nuk kishin çfarë të bënin për të kundërshtuar, edhe pse e dinin se fati i tyre do të pësonte një goditje të madhe.
“Shpresoj që në këto kushte të reja, ne do të punojmë së bashku po aq mirë dhe jo më pak në mënyrë efektive”, u kishte thënë ai atyre.
Një gazetar i pranishëm në takim i ka përshkruar miliarderët e mbledhur si “të zbehtë dhe të privuar nga gjumi”.
Periudha para pushtimit ishte shumë e keqe për miliarderët e Rusisë, dhe po kështu ishin edhe pasojat e saj të menjëhershme.
Sipas revistës Forbes, deri në prill 2022, numri i tyre ra nga 117 në 83 për shkak të luftës, sanksioneve dhe rubles së dobësuar. Së bashku, ata humbën 263 miliardë dollarë, ose mesatarisht 27% të pasurisë së tyre secili.
Por vitet që pasuan treguan se përfitime të mëdha do të korreshin nga të qenit pjesë e ekonomisë së luftës së Putinit.
Shpenzimet e majme për luftën nxitën rritje ekonomike prej më shumë se 4% brenda viteve 2023 dhe 2024 në Rusi.
Në vitin 2024, më shumë se gjysma e miliarderëve të Rusisë ose luajtën ndonjë rol në furnizimin e ushtrisë ose përfituan nga pushtimi, thotë Giacomo Tognini, nga ekipi i Pasurisë i Forbes.
“Kjo nuk përfshin as ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt, por që kanë nevojë për një lloj marrëdhënieje me Kremlinin. Dhe mendoj se është e drejtë të thuhet se kushdo që drejton një biznes në Rusi duhet të ketë një marrëdhënie me qeverinë”, i ka thënë ai BBC-së.
Ky vit pati numrin më të lartë ndonjëherë të miliarderëve në Rusi – 140 në listën e Forbes. Pasuria e tyre kolektive (580 miliardë dollarë) ishte vetëm 3 miliardë dollarë më pak se niveli më i lartë i regjistruar në vitin para pushtimit.
Ndërsa u mundësonte besnikëve të përfitonin, Putini vazhdimisht i ka ndëshkuar ata që kanë refuzuar të zbatojnë rregullin.
Rusët e kujtojnë shumë mirë se çfarë i ndodhi manjatit të naftës Mikhail Khodorkovsky. Dikur njeriu më i pasur i Rusisë, ai kaloi 10 vjet në burg pasi themeloi një organizatë pro-demokraci në vitin 2001.
Që nga pushtimi, pothuajse të gjithë mega-të pasurit e Rusisë kanë heshtur, dhe ata pak që e kanë kundërshtuar publikisht atë, janë detyruar të braktisin vendin e tyre dhe pjesën më të madhe të pasurisë së tyre.
Të pasurit e Rusisë janë qartësisht çelësi i përpjekjeve të luftës së Putinit, dhe shumë prej tyre, përfshirë 37 biznesmenët e thirrur në Kremlin më 24 shkurt 2022, janë shënjestruar nga sanksionet perëndimore.
Por nëse Perëndimi synonte t’i bënte ata më të varfër dhe t’i kthente kundër Kremlinit, ai ka dështuar, duke pasur parasysh pasurinë e vazhdueshme dhe mungesën e mospajtimit midis miliarderëve rusë.
Nëse ndonjëri prej tyre kishte menduar të largohej drejt Perëndimit me miliardat e tij, sanksionet e bënë këtë të pamundur.
“Perëndimi bëri gjithçka të mundur për të siguruar që miliarderët rusë të mblidheshin rreth flamurit”, thotë Alexander Kolyandr, nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).
“Nuk kishte absolutisht asnjë plan, asnjë ide, asnjë rrugë të qartë që donjëri prej tyre të largohej nga anija. Asetet u sanksionuan, llogaritë u ngrinë, prona u sekuestrua. E gjithë kjo e ndihmoi në mënyrë efektive Putinin të mobilizonte miliarderët, asetet dhe paratë e tyre, dhe t’i përdorte ato për të mbështetur ekonominë ruse të luftës”, i ka thënë ai BBC-së.
Eksodi i kompanive të huaja pas pushtimit të Ukrainës krijoi një boshllëk që u mbush shpejt nga biznesmenë miqësorë me Kremlinin, të cilëve iu lejua të blinin asete shumë fitimprurëse me çmim të lirë.
Kjo krijoi një “ushtri të re besnikësh me ndikim dhe aktivë”, argumenton Alexandra Prokopenko Nga Qendra “Carnegie Rusia Eurasia”.
Vetëm në vitin 2024, 11 miliarderë të rinj dolën në Rusi në këtë mënyrë, sipas Giacomo Tognini.
Udhëheqësi i Rusisë ka mbajtur një kontroll të fortë mbi lëvizësit kryesorë të vendit, pavarësisht luftës dhe sanksioneve perëndimore, dhe në disa aspekte për shkak të tyre./ BBC
Bota
Trump gazetareve: Dëshironi diçka për të ngrënë? (video)
Përfaqësuesve të mediave iu lejua për pak çaste hyrja në sallën e ngrënies në rezidencën Mar-a-Lago, ku po zhvillohej takimi mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Donald Trump iu drejtua drejtpërdrejt gazetarëve dhe i pyeti nëse donin diçka për të ngrënë, duke thyer ritualin e takimit institucional. Kur gazetarët u përgjigjën pozitivisht, presidenti urdhëroi shefin e kuzhinës t’u shërbente ushqim, duke komentuar me shaka se gjesti bujar nuk do të garantonte “histori interesante”.
Korrespondenti i DW News në Shtetet e Bashkuara, Misha Komadovsky, shkroi në rrjetin social X se, ndonëse kamerat nuk ishin në menu, ushqimi i përgatitur për takimin përfshinte salsiçe të mbështjella me petë, biftek, patate të skuqura, karkaleca me kokos, biskota dhe ujë.
Takimi mes Trump dhe Zelenskyt ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, ndërsa momenti i shkurtër me mediat ka ofruar edhe një episod të pazakontë që u përhap shpejt në rrjetet sociale.
-
Albania19 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK18 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports18 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
