ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Konjufca dështon të bëhet kryeministër, Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme 12 hours ago
Task Forcë Rajonale kundër emigracionit të paligjshëm, bashkëpunimit Shqipëri-Britani i shtohen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut 12 hours ago
Gustav Klimt thyen rekordin botëror në ankand: “Portrait of Elisabeth Lederer” shitet për 236.4 milionë dollarë 14 hours ago
Formacioni më i mirë i kualifikueseve për Kupën e Botës, pjesë e tij edhe ylli i Shqipërisë 14 hours ago
WhatsApp zbuloi lehtësisht numrat e telefonit të 3.5 miliardë njerëzve 14 hours ago
Next
Prev
Home Kosova

Ulpiana – shëtitorja për historinë antike të Dardanisë

albnews by albnews
3 May, 2021
in Kosova
0
Ulpiana – shëtitorja për historinë antike të Dardanisë
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Tregohej si anekdotë, por në vete mbartte të vërteta të zymta se deri ku shkon mosnjohja e njerëzve. Me pandehmën e ngulitur kushedi pse, ishte bërë edhe pyetja e marrë se në cilin cep të lagjes “Ulpiana” ndodhej ai alamet qyteti i lashtë me po të njëjtin emër.

Por në këtë mosnjohje të shumicës vazhdon të jetë edhe fakti që 12 kilometra në juglindje të Prishtinës janë të dukshme rrënojat e një qyteti në rang municipiumi që 15 shekuj më parë lartohej krenarisht e shkëlqimplotë.

RelatedPosts

Robert De Niro do të interpretojë një film për luftën e Kosovës

Konjufca dështon të bëhet kryeministër, Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Fishkëllimat ndaj Granit Xhakës, një turp që përsëritet në tribuna

Ashtu siç është historia e çdo themelate urbane me periudhën ferishte e deri te maturimi e shuarja, në titërr të një prej fushave më pjellore ku jetonin dardanët ilirë, do të ftillëzohej një qytetërim vibrant.

E lajmëruar për herë të parë në burimet historike në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit të dytë të erës sonë, Ulpiana – që mbante emrin e mesëm të perandorit romak Marcus Ulpius Trajanus – u bë qytet i pashmangshëm që madhështohej me godina, mure, rrugë, tempuj e hierore.

Image

Autostrada e afërt e peizazhet urbane të paralagjeve të Prishtinës që duken në horizont, mund të jenë njëfarë pengese për të përfytyruar totalitetin e Ulpianës, veçmas ditët e saj më të mira, “splendissusin” e saj (Foto: Arben Llapashtica)


Burimet historike në pamjaftueshmërinë e tyre frustruese mund të mos thonë shumë gjëra për Ulpianën, porse historia që po qëmtohet nga nëntoka e fushave të buta të Hajvalisë, Graçanicës dhe Llapnasellës e bën edhe më kuptimplotë namin e saj si “Municipum Ulpiana Splendissima”.

E ky “splendissimus” është shkoqitur në një kronikë unike dokumentare prej kameramanit të KOHËS, Arben Llapashtica.

Në një kohëzgjatje prej rreth gjysmë ore, dokumentari – i cili do ta ketë premierën të shtunën në Kohavision – bën bashkë gjuhën e specialistëve, atë të pamjeve që “flasin vetë” dhe mbishkrimeve e thesaurusit arkeologjik të përfjetur në shtresat e dhéut.

Aty ku gjurmët e para të jetës njerëzore treten në thellësitë e mijëvjeçarëve neolitikë, po aty dalin të rrokshme veçantitë e jetës ilire, ashtu sikurse edhe mbijetojat e ngrehinave grandioze të një prej qyteteve më të rëndësishme të këtyre tërthoreve në pesë shekujt e parë të erës sonë

Llapashtica: “Një dokumentar ku flasin profesionistët”

Me vullnetin e kamotshëm për t’iu përveshur punës për një shkoqitje më të imtësishme të Ulpianës, Llapashtica kishte pasur si nxitje faktin e parezistueshëm se Ulpiana është një prej vendeve më me vlera të trashëguara nga e kaluara.

“Unë si fotograf kam pasur vazhdimisht peizazhe kulturore të përshtatshme për t’u fiksuar në fotografi ose për t’u përcjellë nëpërmjet xhirimeve për sa më shumë sy kureshtarë për këso lloj kulturash antike çfarë paraqet vetë Ulpiana”, ka treguar ai.

Image

E kthyer prej vitesh në një pikëtakim interesant edhe për arkeologë gjermanë, francezë e turq, Ulpiana besohet të ketë mbuluar, bashkë me rrethinën e saj (suburbium), një sipërfaqe prej 120 hektarësh (Foto: Arben Llapashtica)


Kjo kuturisje në hapësirat e qytetit të dikurshëm emërmadh nuk kishte qenë e para. Para shumë kohësh, ai e kishte “dokumentarizuar” Ulpianën kur ajo ishte veçse një lokalitet arkeologjik që gërmohej çdo verë, e më pas mbulohej me dhé.

Herën e dytë e kishte realizuar një dokumentar tjetër kah fundi i 2016-s tok me kolegun Durim Abdullahu, tash asistent në Departamentin e Antropologjisë dhe Historisë në Universitetin e Prishtinës. Ky i fundit, po ashtu, është skenarist i dokumentarit më të ri “Ulpiana – Justiniana Secunda”.

“Ideja ime ka qenë që një dokumentar i tillë që ka edhe dimension historik, të jetë i punuar nga profesionistë të fushave përkatëse”, ka treguar Llapashtica.

Me vullnetin e kamotshëm për t’iu përveshur punës për një shkoqitje më të imtësishme të Ulpianës, Llapashtica kishte pasur si nxitje faktin e parezistueshëm se Ulpiana është një prej vendeve më me vlera të trashëguara nga e kaluara

“Urbs Splendissima”

Me cilësimin plotësisht të merituar si qyteti më i rëndësishëm arkeologjik në 10 mijë kilometra katrorë të Kosovës, “saga” e qytetit tretet në kohët imemoriale, aty ku arkeologët mund të gjejnë veçse thërrime të një filli jete nga koha e neolitit.

“Ky qytet antik ka dy emërtime: Ulpiana antike, që u ngrit në fillim të shekullit të parë, dhe pastaj në nivelin e municipiumit në shekullin e dytë, kurse me zhvillimin e jashtëzakonshëm në dy shekujt pasues mori epitetin Municipium Urbs Splendissima”, thotë arkeologu Milot Berisha me të cilën hapet faqja e parë e dokumentarit.

Në jetën e vet qytetëse, Ulpiana ka të vraguara edhe historinë e tërthoreve ilire të Perandorisë Romake: sulme episodike gotësh e hunësh, tërmeti i 518-s, i përjetuar si i fundbotshëm nga bashkëkohanikë, e pastaj një ringjallje prej feniksi në motet e Bizantit të Hershëm kur mori emrin Justiniana Secunda.

Image

Me cilësimin plotësisht të merituar si qyteti më i rëndësishëm arkeologjik në 10 mijë kilometra katrorë të Kosovës, “saga” e qytetit tretet në kohët imemoriale, aty ku arkeologët mund të gjejnë veçse thërrime të një filli jete nga koha e neolitit (Foto: Arben Llapashtica)


“Ulpiana nuk është vetëm një qytet i antikitetit”, thotë arkeologu Haxhi Mehmetaj teksa bën me dije që atij i paraprinë shtresime që prapakthehen në kohë gjer në mijëvjeçarin e gjashtë para Krishtit.

“Ulpiana ishte një qytet elitar, më i rëndësishmi nga municipiumet e provincës së Myzisë, ndaj edhe infrastruktura e tij i përshtatej këtij elitarizmi”, shpjegon arkeologu tjetër Arben Hajdaraj.

“Qyteti mes pasurish”

I gjithë rrethepërqarku gjeografik ia bënte me sy zhvillimit të Ulpianës. Jo larg tij shtriheshin edhe kodrinat e Artanës me damarët e tyre të pasur xehtarë. Dy familje sqimatare romake, madje me rang senatorial, Fuori e Poni përmenden si nga banorët më të kamur të Ulpianës, me gjasë pronarë të minierave afër.

Me gërmimet e filluara qysh në vitin 1953, njohja e arkeologëve është thelluar vazhdimisht. Disa prej tyre pohojnë që brenda pjesës së fortifikuar të Ulpianës jetonin 15 mijë banorë, e po aq në zonat jashtë qytetit.

“Dikur municipium që mbante emra perandorësh, si Trajani e Justiniani, ky lokalitet arkeologjik është parajsë për arkeologët e park për turistët. Me rrugë, varre, tempuj, mbishkrime, monedha e artefakte, stella dhe mozaikë gur për gurë, Ulpiana po bëhet qytet për t’u banuar sërish si një hapësirë ku historia është e lexueshme dhe e dukshme. Është një shëtitore për historinë antike të Dardanisë dhe Perandorisë Romake”, thuhet në “faqen e fundit” të narracionit të dokumentarit.

“Ulpiana 360-shkallëshe”

Autostrada e afërt e peizazhet urbane të paralagjeve të Prishtinës që duken në horizont mund të jenë njëfarë pengese për të përfytyruar totalitetin e Ulpianës, veçmas ditët e saj më të mira, “splendissusin” e saj.

E shpallur Park Arkeologjik më 2016, si e para dhe e vetmja deri më tani në Kosovë, Ulpiana e dokumentarit të Llapashticës vjen edhe nga një perspektivë tjetër.

Me xhirimet e realizuara nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar, materiali dokumentar ka përplot shpalime të realizuara me dron.

“Kemi punuar një platformë lëvizëse në të cilën janë vendosur eksponate të gjetura në Ulpianë dhe i kemi xhiruar teksa janë rrotulluar, ashtu që të shfaqen në 360 shkallë për publikun”, ka thënë ustahu i dokumentarit.

Me kameramanët profesionistë që e kishin shoqëruar në xhirime, Enes Sahiti dhe Besart Ujkani, pamjet me dron përkapën “pikturën e madhe” të Ulpianës, meqë tri zonat e parkut arkeologjik ndodhen paksa larg prej njëra tjetrës.

Si rrallëherë në dokumentarë të kësollojshëm, ai përfshin edhe materiale të veçanta me modelime animacionesh 3D të punuara nga autorja, Mrinë Godanca.

“Përmes këtij materiali, mund të krijohet një përfytyrim shumë më i qartë dhe besoj goxha i përafërt se si është dukur Ulpiana në kulmin e zhvillimit të saj mes shekujve 2 dhe 4 pas erës së re”, ka shtuar Llapashtica.

“Ulpiana meriton të njihet”

E kthyer prej vitesh në një pikëtakim interesant edhe për arkeologë gjermanë, francezë e turq, Ulpiana besohet të ketë mbuluar, bashkë me rrethinën e saj (suburbium), një sipërfaqe prej 120 hektarësh.

Qyteti përfshinte një vendbanim të fortifikuar prej mureve që mbulonte një sipërfaqe prej 35,5 hektarë, por kësaj hapësire të madhe i bashkëngjitej edhe hapësira e Castrum-it (Garnizon fushor ushtarak romak) që gjendej rreth 100 metra larg murit lindor të qytetit dhe që kapte një sipërfaqe prej 16 hektarësh (400 x 400 m). Gjithashtu në suburbiumin verior dhe atë perëndimor ndodheshin nekropoli verior, gjegjësisht Memoria dhe Nekropoli Perëndimor. Jashtë mureve të qyteti, fare pranë, janë dëshmuar edhe Nekropoli Jugor si dhe Tuma në fushën çerkeze.

Teksa flet për dokumentarin që afirmon historinë pak të njohur të qytetit emërmadh, Llapashtica përsërit që Ulpiana është aseti më i çmueshëm që ka trashëguar Kosova nga historia e saj antike, në kohën kur këto hapësira quheshin Dardani.

“Nuk e di nëse vërtet është eklipsuar nga Manastiri i Graçinicës, por mendoj që Ulpiana është po kaq e denjë e ndoshta edhe më shumë që të njihet nga publiku ndërkombëtar dhe turistët, qoftë dhe duke u përfshirë në listat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, ka thënë ai.

Vetëm gjatë vitit 2018 si Park Arkeologjik kishte pasur 35 mijë vizitorë.

“Prejse Ulpiana është kthyer në park arkeologjik, është bërë një vend shumë më i vizituar dhe më i qasshëm, por që besoj se ky park do të zgjerohet dhe do të rrisë nivelin duke ndjekur rezultate të reja që do të dalin nga projektet arkeologjike të gërmimit”, ka shtuar Llapashtica.

Image

Arben Llapashtica “Nuk e di nëse vërtet është eklipsuar nga Manastiri i Graçinicës, por mendoj që Ulpiana është po kaq e denjë, e ndoshta edhe më shumë që të njihet nga publiku ndërkombëtar dhe turistët, qoftë dhe duke u përfshirë në listat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Konjufca dështon të bëhet kryeministër, Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Konjufca dështon të bëhet kryeministër, Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

19 November, 2025
Task Forcë Rajonale kundër emigracionit të paligjshëm, bashkëpunimit Shqipëri-Britani i shtohen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Task Forcë Rajonale kundër emigracionit të paligjshëm, bashkëpunimit Shqipëri-Britani i shtohen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

19 November, 2025
Gustav Klimt thyen rekordin botëror në ankand: “Portrait of Elisabeth Lederer” shitet për 236.4 milionë dollarë

Gustav Klimt thyen rekordin botëror në ankand: “Portrait of Elisabeth Lederer” shitet për 236.4 milionë dollarë

19 November, 2025
Formacioni më i mirë i kualifikueseve për Kupën e Botës, pjesë e tij edhe ylli i Shqipërisë

Formacioni më i mirë i kualifikueseve për Kupën e Botës, pjesë e tij edhe ylli i Shqipërisë

19 November, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result