Rojet bregdetare franceze kanë kërkuar që planet për të ndaluar varkat e vogla në Kanalin Anglez të pezullohen për shkak të rrezikut për jetën. Ndërhyrja erdhi ndërsa Ministria e Brendshme britanike konfirmoi se Franca po rishikon “doktrinën detare” lidhur me këtë plan.
Në një letër drejtuar drejtorit të përgjithshëm të doganave franceze, Florian Colas, sindikata e doganave Solidaires Douanes, e cila përfshin edhe rojet bregdetare, e përshkruan planin për të ndaluar varkat deri në 300 metra nga bregu francez si “një doktrinë vdekjeprurëse, që bie ndesh me konventat ndërkombëtare ku Franca është palë nënshkruese”.
“Një doktrinë kaq çnjerëzore, absurde dhe e turpshme rrezikon të shkaktojë mbytje dhe vdekje, për të cilat përgjegjësia morale dhe penale do të binte plotësisht mbi personelin që kryen ndërhyrjet”, thuhet në letër.
Këto dyshime mbi zbatueshmërinë e planit për ndalimin e varkave të vogla janë një tjetër goditje për qeverinë britanike, pas raportimit të The Guardian se një azilkërkues iranian, pjesë e grupit të parë të kthyer në Francë sipas marrëveshjes “një për një”, është rikthyer në Britani me një varkë të vogël.
Sipas BBC-së, pjesa e marrëveshjes mes Britanisë dhe Francës për të ndaluar varkat pranë bregut francez është në rrezik dhe mund të mos zbatohet kurrë. Ndërsa shpëtimi i jetëve në det është parim themelor në ligjin detar, plani i ndalimit bazohej në një “doktrinë detare” të re, e shqyrtuar nga autoritetet franceze në qershor, sipas së cilës anijet patrulluese do të përpiqeshin të ndalonin varkat dhe t’i tërhiqnin drejt bregut.
Ministria e Brendshme britanike tha të enjten se Franca po rishikon këtë doktrinë.
Sipas BBC-së, burime të sigurisë detare franceze e kanë përshkruar planin si “thjesht një manovër politike”.
Peter Walsh nga Observatori i Migracionit në Oksford tha se plani mund të mos zbatohet kurrë.
Zëdhënësi i një sindikate policore franceze, Jean-Pierre Cloez, tha se planet janë “në pritje”. “Në atë kohë e konsideruam shumë të rrezikshme. Rregullat, për momentin, janë të njëjta. Nuk ka ndryshim në mënyrën si veprojmë”,
Komandanti i sigurisë kufitare të Britanisë ka shprehur zhgënjim që autoritetet franceze ende nuk e kanë zbatuar planin.
Martin Hewitt tha para deputetëve në komitetin për punët e brendshme se ndryshimet e shpejta në qeverinë franceze kanë qenë “sfond politik” për zbatimin e një taktike që Britania e konsideron thelbësore për të luftuar “varkat taksi” që kontrabandojnë njerëz drejt Britanisë.
Ai tha se ishte “zhgënjyese” që Franca nuk ka arritur të zbatojë taktika më ndërhyrëse kundër varkave që marrin njerëz në ujërat e cekëta pranë plazheve franceze.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike, tha të enjten se “kalimet me varka të vogla janë krejtësisht të papranueshme dhe ne mbetemi të vendosur për të ndërprerë kontrabandistët që qëndrojnë pas tyre. Franca është një partnere kritike në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me ta ndërsa ata rishikojnë doktrinën detare, e cila do t’u lejojë oficerëve të ndërhyjnë në ujërat e cekëta. Duam të shohim zbatimin sa më të shpejtë të këtyre taktikave të reja. Dhe falë marrëveshjes historike me Francën, njerëzit që kalojnë me varka të vogla tani mund të ndalohen dhe të dëbohen”.